Aktualitet

Humbi aksionet në ‘Klan’ dhe i falimentoi kompania ajrore, Marsel Skendaj rikthehet me biznesin e energjisë

By vizional

January 30, 2019

Një nga emrat më të njohur të biznesit të fillimviteve ’90, është rikthyer në skenë, duke hyrë në biznesin fitimprurës të energjisë elektrike. Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi që të licencojë shoqërinë “ReNRGY Trading Group” sh.p.k., në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar. Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Bizneseve (QKB), kompania ka si administrator dhe ortak me 15 për qind të aksioneve, biznesmenin Marsel Skendaj, që për shumëkënd njihet si ish-bashkëpronar i ‘Klan’ dhe i kompanisë ajrore ‘Ada Air’. ERE vendosi ta licensojë shoqërinë  edhe pse, sipas vërejtjeve të saj, aplikimi i shoqërisë “ReNRGY Trading Group” sh.p.k., plotëson pjesërisht kërkesat e parashikuara nga ERE në “Rregulloren për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin dhe heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike”. Kompania nuk plotësoi dokumentacionin juridik, administrativ dhe pronësor, dokumentacionin teknik për aktivitetin furnizimit të energjisë elektrike.

 

Marsel Skendaj njihet si ndër pionerët e kapitalizmit shqiptar në vitet ’90. Ai dhe francezi Julien Roche kishin nga 25 për qind të aksioneve në kompaninë ‘Media 6’, ndërsa Aleksandër Frangaj 50 për qind. në vitin 2013 kompania e ndërroi emrin në ‘TV Klan” dhe Frangaj mori, bashkë me të shoqen, 100 për qind të aksioneve. Më pas Skendaj provoi edhe biznesin e fluturimeve ajrore me kompaninë ‘Ada Air’, e cila më pas falimentoi.