Ka ndodhur ajo që nuk mendohej ndonjëherë. Një amerikan 57-vjeçar, është bërë personi i parë në botë, të cilit iu bë transplant, zemra e një derri të modifikuar gjenetikisht. Tre ditë pas operacionit eksperimental shtatë-orësh, të kryer nga mjekët e Qendrës Mjekësore të Universitetit të Maryland në Baltimore, pacienti gëzon shëndet të plotë, shkruan BBC. Transplanti me zemrën derrit ishte shpresa e fundit për të shpëtuar jetën e tij, megjithëse nuk është ende e qartë se sa janë shanset e tij afatgjate për të mbijetuar.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka dhënë autorizim të veçantë për transplantin novator me arsyetimin se përndryshe pacienti do të kishte vdekur.
Mjekët e udhëhequr nga profesori Bartley Griffith i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Maryland, shpresojnë të hapin rrugën për një lloj të ri transplanti që do të shpëtojë jetën e shumë njerëzve në mbarë botën për shkak të mungesës së organeve adekuate njerëzore për transplantim.
Shumë njerëz në listat e pritjes së transplantit vdesin çdo vit përpara se të marrin organin vital që u nevojitet.
Transplant i marrë nga një kafshë (ksenotransplant) është testuar për herë të parë në vitet 1980.