Histori njerëzore

Historia e trishtë e familjes me djalin e sëmurë, mjekët shqiptarë i prenë shpresat, por në Suedi nisi dhimbja më e madhe. Nëna tregon skenën…

By vizional

January 21, 2020

Një histori e pazakontë është publikuar sot në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” në News24. 55-vjeçarja Evrianthi Bajraktari nga Shkodra ka treguar jetën e saj plot vuajtje. Ajo është nënë e katër fëmijëve, të voglin Edionin e ka të sëmurë prej 15 vitesh, por mjekësia është treguar shumë e ashpër me këtë nënë.

 

 

Në vitin 2012 familja Bajraktari nisen për në azil në shtetin suedez, i njohur me famë botërore për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, por me rastin e Edionit do të ndodhte e kundërta. Nëna e dëshpëruar rend në dyert e spitaleve për djalin 15- vjeçar, për të cilin mjekët shqiptar i kishin thënë se nuk ka shpresë për të jetuar.

 

Gjatë një operacioni që këta të fundit i kishin bërë vite më parë në kokë, gjendja e djalit u komplikua. Me impaktin e parë, mjekët në Suedi i thanë se Edioni gjatë gjithë kësaj kohe kishte në kokë një shkop që nuk funksiononte.

 

Ata i bëjnë operimin e parë, i ndërrojnë shuntën e kokës dhe përmirësohet disi gjendja e djalit. Familja ndërkohë ishte e strehuar në një shtëpi azilantësh afër spitalit, ku Edioni mund të merrte mjekimet e nevojshme. Në vitin 2013 neurokirurgu do të vizitojë këmbët e djalit të mitur, por teksa tenton për t’ia shtrirë i thyen ligamentin, çka sjell komplikacione të panumërta në gjendjen e tij. Edhe operacionet e mëpasshme nuk do ta përmirësojnë djalin.

 

Ndërkohë që mjekët përgatisin të gjitha procedurat për të kthyer familjen në Shqipëri, duke lënë përgjysmë mjekimin e te miturit. Nëna e djalit pohon, se për këtë gabim fatal të ortopedit kishin shkruar dhe mediat franceze.

 

Një natë në vitin 2016 një skenë horrori do të ndodhte në familjen shqiptare nga policia suedeze. Ata vijnë natën dhe shtiren si mjekë. Dy prej tyre kyçen në një dhomë me djalin e sëmurë dhe kryejnë disa veprime, ndërsa nënën nuk e lejojnë të futet. Pas 40 minutash hapin derën dhe 55-vjeçarja rrëfen se djali ishte duke qarë pa zë, lotët i binin deri te qafa, i zhveshur dhe i shtrirë në mënyrë çnjerëzore. Nga ky moment ata do të kthehen në Shqipëri në mënyrë barbare. Por pas tre javësh, ata do të emigrojnë në rrugë jo ligjore për të kërkuar shpjegim për gjendjen shëndetësore të djalit, i cili përkeqësohej.

 

“Djalin e kam lindur në moshën 41-vjeçare dhe u gëzova që do bëja një fëmijë të katërt, linda normal. Shkoi deri në 8 muaj dhe më pas pati probleme me kokën. Doktoresha e lagjes më tha që ky fëmijë reagon, por shkon deri në 1 vjeç. Në muajin e 8-të Edioni nuk reagonte më, as këmbët e as duart nuk i lëvizte. Një neurokirurg e operoi dhe ai filloi të reagonte. Më pas ngela rrugëve vija shpesh në Tiranë.

Na thanë që ai fëmijë do jetonte maksimumi deri në 7-8 vjeç. Unë vetë bëra disa operacione në atë kohë, ndihesha shumë e lodhur. Kemi shkuar të prisnim biletat për të ikur jashtë, iu thashë fëmijëve do ikim të shërojmë Edionin. Vajza e la shkollën e mesme përgjysmë, djalin e hoqa nga shkolla e muzikës. Brenda 24 orëve vendosëm dhe shkuam në 2012 në Suedi

 

Shkuam me avionë deri në Podgoricë. Edioni ishte në gjendje të rëndë. Ju lutëm policit që të kalonim dhe na lejoi. Biletat i kishim marrë shumë lirë, por para me vete nuk kishim fare. Edioni kërkonte ndihmë na shikonte në sy. Na çuan në azil direkt na dhanë një dhomë, kishte shumë rregull. Pasi panë Edionin na çuan në një vend tjetër që të kishim spitalin afër dhe të merrte gjithë shërbimet.

Mjekja që e vizitoi më tha që djali ka ardhur në Suedi dhe nuk ka për të vdekur. Pastaj vazhdoi kontrollet e tjera me mjekë të tjerë. Si ka mbijetuar ky fëmijë me këtë gjendje kaq të bllokuar ka thënë mjeku tjetër. Më pas e operoi në kokë dhe ma ngjallën djalin u përmirësua, më njihte mua, hante, merrte bukën vetë, shkonte në shkollë atje, e merrnin me makinë, gëzohej shumë që shkonte në shkollë”, tregoi nëna e djalit.

Më pas ajo rrëfeu dhe incidentin që ndodhi gjatë trajtimit të tij.

“Filluam procedurat për azil dhe djali duhej të trajtonte këmbët. Sapo doktori i mori këmbën dëgjuam një kërcitje dhe e futën këmbën në allci. Mjeku tha që kishte 30 vite në profesion por kjo ishte hera e parë që ndodhte dhe ai do ta riparonte vetë një gjë të tillë. Pas një muaji në allçi na thirrën prapë. Në maj të 2013 u bë operacioni dhe pati përmirësim. Por gabimi që mjeku bëri nuk u mor përsipër. Një ditë kur erdhi nga shkolla pamë që kishte dëmtuar këmbën dhe kishte shumë dhimbje”, tha nëna e Edionit.

 

Pas kësaj për familjen e tyre rifilluan vuajtjet.

“Në 2016 na kanë ardhur pa na lajmëruar, 2 polica më nxorën jashtë, thanë që mjekët po kontrollojnë djalin, por unë e dija që ata nuk ishin mjekë, ishin polic. Vajzën e çuan nga krevati me forcë. Askush nuk na kishte lajmëruar as, avokati që shteti suedez do na deportonte. Kërkoja me forcë të hyja të shikoja djalin, Edioni nuk reagonte, qante pa zë, me lot.

Në 2016 u kthyem në Shkodër dhe djali ishte shumë rëndë. Kur e pashë djalin për 3 javë që nuk reagonte, rrinte si i habitur. U rikthyem sërish në Suedi e mësuam se nuk kishim ekspuls dhe kaluam, shkuam sërish atje në të njëjtin vend dhe na priste avokati. Shkuam direkt në spital, por azili nuk u hap për ne. Edioni vazhdoi jetën e tij si normalisht dhe u përmirësua gjendja e tij.

Mjekët e mundësuan operacionin e vështirë, na premtuan, ndërsa zyra e migracionit tha se ishim kundër rregullave të azilit. Na dhanë ekspuls më pas dhe na kthyen mbrapsht sërish. Edioni duhet te vazhdojë mjekimet e të marrë ilaçet”, rrëfeu nëna, duke bërë apel për ndihmë që djalit t’i mundësohet kurimi në Suedi.