Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregëtare Botërore, të njohur në gjuhën popullore si “Kullat Binjake”.
Ata humbën jetën në sulmin terrorist dhe përkujtohen çdo vit bashkë me viktimat e tjera të asaj tragjedie.Shkrimet që vijojnë janë marrë nga libri “Shqiptarët e Amerikës” të Vehbi Bajramit
Njeriu nuk mund të trembet nga pasioni i vet
Njeriu për të cilin shkruhen këta rreshta, për nga profesioni është i jashtëzakonshëm. Rrok Camaj, nga Sukrugji i Malësisë së Mbishkodrës, që nga viti 1975 pastron xhamat e jashtëm të dritareve të Qendrës Botërore të Tregtisë (World Trade Center), në New York. Për ta bërë këtë punë, atij i vjen në ndihmë makina e madhe automatike që komandohet nga kulmi i ndërtesës. Ajo arrin nga kati i sipërm, deri në katin e nëntë dhe kthehet lart për gjysmë ore. Vetëm katin e 107-të të ndërtesës, makina nuk mund ta pastrojë për shkak të përmasave të xhamave. Ata janë më të mëdha se xhamat e kateve të tjera dhe vetëm Rrok Camaj dhe ndihmësi i tij, Jimmy Meehan, mund t’ua heqin blozën “binjakeve” tri herë në vit. Në një proces pune, që zgjat çdo herë nga dy javë, ata i pastrojnë me dorë 516 xhama nga 43600 sa kanë gjithsejt ndërtesat e mëdha.
Rrok Camaj duke komunikuar me punetoret
Rrok Camajn e takova në vendin e punës më 1996. Për disa minuta, nga kulmi i qiellgrryesit nr. 1, soditëm tokën. Para nesh u shfaq Manhattan-i, Statuja e Lirisë, urat e gjata të New York-ut, aeroporti Kennedy, New Jersey. Njerëzit poshtë të duken si miza, qenie fare të vogla, që mezi i shquan. Në kulmin e ndërtesës, Camaj më tregoi si operon makina e tij e madhe, pastaj u fut në njërën prej dy “shportave” të çelikta që shërbejnë për të zbritur ai dhe kolegu i tij poshtë, në katin 107, për të pastruar xhamat me dorë.
– A mund të futem edhe unë në atë “strofull” për të parë si duket qyteti? – e pyeta Rrokun me një dëshirë të fshehtë, por jo pa frikë.
– Jo! Askush, përveç meje dhe Jimmy-t, nuk ka të drejtë të hyjë në të. Madje, as shefi im, – ma preu shkurt dhe prerë.
Për punën që bën, shumëkush Rrok Camajn e ka quajtur “crazy” (i krisur).
“Nuk frikësohesh? Nuk të merren mendtë nga tërë kjo lartësi? Po sikur të ndodhë një defekt në makinë…?”, e kanë pyetur gazetarët e të afërmit. Rroku u është përgjegjur gjithnjë duke qeshur:
– Kjo është punë shumë e lehtë dhe nuk më frikëson fare. Jam mësuar, më duket e lehtë si buka që ha…
– Nuk të trembin lartësitë? – e pyes dhe unë.
– Njeriu nuk mund të trembet nga pasioni i vet. Tradita e familjes sonë ka qenë të mos u trembemi lartësive. Vëllai im, Pjetri, i cili jeton në Belgjikë, ka qenë parashutist në Mal të Zi, – thotë Camaj, duke u përgatitur për të hyrë në “shportën” e tij të punës.
Gazetat “The New York Times”, “Daily News” e të tjera, që botohen në New York e shtete të tjera të botës, kanë shkruar shumë herë për Rrok Camajn. Kjo e fundit, më 24 prill 1980 i kushtonte atij dy faqe. Më 1995, Keith Elliot Greenberg dhe Bob Strong botuan një libër 32 faqesh për Camajn, të ilustruar me fotografi.
* * *
Rrok Camaj erdhi në New York më 1969 me zonjën e tij, Katrinën. Si të gjithë shqiptarët e tjerë që kishin mërguar në atë kohë në Amerikë, të shtyrë nga vështirësitë ekonomike dhe trajtimi jo i drejtë i tyre nga pushteti jugosllav, ai nuk dinte gjuhën angleze dhe nuk kishte ndonjë përgatitje profesionale që do t’i hapte lehtë rrugën për të gjetur punë. Pas peripecive të para, me të cilat ndeshet çdo emigrant i ardhur në Amerikë, më në fund ai gjeti punë si ndihmëskujdestar i një ndërtese në Manhattan. Më vonë Camaj e la këtë punë dhe filloi të punonte në aeroportin “Kennedy” të New York-ut. Katër vjet pastroi dritaret e këtij aeroporti të madh, derisa në mars 1975 gjeti punë në “binjaket” e New York-ut, vetëm dy vjet pasi ato u përuruan në një ceremoni që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës. Këto dy ndërtesa, në atë kohë, ishin më të lartat në botë. Më shumë se 350 kompani kanë zyrat e tyre në këtë qendër të madhe të biznesit, në të cilat punojnë rreth 50 mijë vetë të profesioneve të ndryshme. Rreth 70 mijë turistë vizitojnë për çdo ditë qiellgërryesit e New York-ut, të cilat i japin “kryeqytetit” të botës një pamje të mrekullueshme.
– Të kujtohet dita e parë e punës? Pate frikë? – e pyes Rrokun.
– Ditën e parë, kur erdha të punoj në këtë ndërtesë gjigande, u pendova, – përgjigjet ai. “Kjo nuk është punë për mua”, – i thashë kryepunëtorit, i cili ma ktheu: “Eja provo edhe nesër”.
Ditën e dytë, Camaj vendosi të fillonte punën.
“Që sot jam punëtor i juaj”, i tha kryepunëtorit.
Por, më vështirë se të vendoste për të filluar punën këtu, Rroku e kishte të vështirë t’u tregonte gruas e fëmijëve që kishte zgjedhur këtë profesion “në qiell”, siç do të shkruante një gazetar. E shoqja e pyeti shumë herë se ku kishte filluar të punonte, ndërsa ai nuk ia thoshte të vërtetën dhe i tregonte adresa të tjera. Për dy vjet Rroku e mbajti sekret nga familja vendin e punës, deri kur gazeta “Daily News” e bëri të njohur për lexuesit e saj, shqiptarin e Malësisë së Mbishkodrës. Atëherë, gruaja dhe fëmijët e tij erdhën e u ngjitën në katin më të lartë të ndërtesës e pastaj edhe në kulm fare për të parë se si e ku punonte njeriu i tyre, që druhej t’u tregonte të vërtetën.
Rroku sot fiton 769 dollarë në javë, 75 dollarë më shumë se pastruesit e kateve të ulëta, për shkak se punon në lartësi të madhe. Atje klima ndryshon nga toka. Ndodh që të bjerë borë kur në qytet ka mot me shi, apo edhe e kundërta që në tokë të bjerë shi e atje të shkëlqejnë rrezet e diellit. Ndaj dhe Rroku shpeshherë, në vendin e punës “rrezitet” në diell, ndërsa qytetarët e New York-ut mezi mbrohen me çadra nga shiu i rrëmbyeshëm.
Ai thotë me shaka se është edhe punëtor, edhe shef.
– Askush nuk më përzihet në punë, – pohon Rroku.
Puna i sjell kënaqësi kur kryepunëtorët i thonë se dritaret janë pastruar si jo më mirë.
Shpeshherë ka ndodhur që gjatë punës të ndërpritet rryma në “shportën” që e mbart poshtë e lart dhe ai ka mbetur për një farë kohë në hapësirë.
– Dimrit, – thotë ai, – mund të ketë rreziqe, për shkak të erës nga e cila, nganjëherë, s’mund të hapësh as derën për të dalë jashtë. Ndaj ai preferon të punojë më mirë para dite, kur ka më pak erë, se sa në orët e pasditës, kur zë e fryn era e fortë, aq sa njëherë i hoqi kapelën, e cila humbi në hapësirën e pafund.
– Do të ketë rënë diku në Kanada, – thotë duke qeshur Rroku dhe shton: – Një monedhë metalike, nëse bie në kokën e dikujt në tokë nga kjo lartësi, mund të jetë vdekjeprurëse.
Vetëm dy herë është frikësuar Rroku gjatë 21 vjetëve të punës në Qendrën Botërore të Tregtisë: ditën e parë të punës dhe kur terroristët hodhën bombën në bodrumin e ndërtesës, nga shpërthimi i së cilës vdiqën disa njerëz dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.
Ishte mesdita e 26 shkurtit 1993, kur Rroku dëgjoi një dridhje të lehtë të ndërtesës, që u pasua me fikjen e dritave elektrike. Mund të jetë ndonjë defekt në katin e sipërm, kishte menduar ai. Më vonë dalloi tymin që vinte nga ana e poshtme dhe futej si një gjarpër në të gjitha pjesët e ndërtesës. Pastaj dëgjoi klithmën e njerëzve, thirrjet për ndihmë.
– Nuk shpresova se do të shpëtoj i gjallë, – thotë Rroku, i cili zbriti përmes shkallëve pas 3 orë e gjysmë, me frymëmarje të vështirësuar nga gazrat që kishin shpërthyer.
– Kur dola nga ndërtesa, fytyra ime ishte nxirë, e zezë sterrë. Kjo ka qenë dita më e vështirë në jetën time, – thekson ai.
Në dy ndërtesat më të mëdha të New York-ut kanë ndodhur disa ngjarje të jashtëzakonshme që tani kujtohen si kuriozitete. Më 1977, George Willing “pushtoi” ndërtesën 107 katëshe. Në orën shtatë të mëngjesit ai kishte filluar t’u ngjitej mureve të jashtme të ndërtesës. Kur i kaloi 30 “feet” (këmbë) rrugë vertikale, arritën policia, zjarrfikësit, ambulanca dhe i thirrën: “Zbrit poshtë!” Willing nuk iu bind urdhërave të askujt dhe vazhdoi të ngjitej deri në katin më të lartë të ndërtesës me kukëza e kuka, me litarë e një trastë, hap pas hapi për katër orë e 30 minuta. Në tokë, kujton Rroku, ekipet shpëtuese krijuan një balonë të madhe me ajër që, nëse “njeriu i krisur” do të binte poshtë, të shpëtonte i gjallë. Ata që e vështronin prej së poshtmi dhe ata që punonin në ndërtesë dyshonin se mos ky njeri në trastë mund të kishte ndonjë bombë. Vetëm kur Willing arriti në majë, ku e priste policia, morën frymë lirisht. “Pushtuesin” e ndërtesës më të madhe në botë e dërguan në spital për të kontrolluar gjendjen e tij psikike, ngaqë dyshonin se qe i çmendur.
– Parashikimi doli i gabuar, – thotë Rroku. – Willing, nga Queens-i, ishte njeri krejt normal, bile me kolegj të kryer.
Kuriozitete të tjera: Në gusht të vitit 1974, Philippe Petit nga Parisi lidhi një kabllo ndërmjet dy ndërtesave dhe kaloi mbi të; ndërsa më 23 korrik të vitit 1975, Owen Quinn parashutoi nga ndërtesa veriore.
Edhe Rrok Camaj, i cili u heq blozën nga “sytë” binjakëve të New York-ut, për shumë njerëz është kuriozitet më vete.
P. S.
Rrok Camaj humbi jetën në vendin e punës nga pasojat e akteve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ai i përjetoi dy herë aktet e terroristëve në këtë qendër: më 1993, kur ata hodhën bombat në ndërtesa dhe herën e dytë, kur i sulmuan ato me aeroplanë më 11 shtator 2001.
Në ditën tragjike ai shkoi me kohë në punë, si zakonisht. Në orën 9 e 15 minuta të mëngjesit, pasi ndërtesa ku punonte u godit me aeroplan, ai kishte telefonuar në shtëpi nga kati 105 dhe kishte biseduar me të shoqen, Katrinën.
– Unë jam shëndosh e mirë. Në dorë të Zotit jemi e çka të bahet, le të bahet. Pa marrë parasysh se çdo të ndodhë, të lutem mos i shqetëso fëmijët! – ishin fjalët e fundit të Rrokut.
Rrok Camaj ishte trim me plot kuptimin e fjalës, sepse punën e tij pak kush mund ta bënte. Pastrimi i dritareve të katit 107, ishte i mbarsur me rreziqe.
Mon Gjonbalaj e kish lënë amanet të varrosej në Vuthaj.
Mon Gjonbalaj (djathas) me bashkëshorten Hanifen (e dyta nga e majta) dhe djemtë: Selimin, Salihun e Bekimin dhe vajzën Shkurtën (fotografi e fundit, dalë në maj 2001).
Mon Gjonbalaj kujdesej për pastrimin e zyrave në ndërtesën numër 2. Më 11 shtator, si përherë, ishte nisur në orën 5 të mëngjesit për të shkuar në punë. Kishte 29 vjet që punonte në katin 86.
– Babai zakonisht shkonte në punë një orë para orarit. E ka dashur shumë punën, por edhe shokët me të cilët kalonte shumë mirë. Babai ishte 65 vjeç. Për shkak të moshës mund të kishte dalë në pension, por nuk i pëlqente të ndahej nga puna. Disa minuta pasi terroristët sulmuan ndërtesën e parë, ai telefonoi në shtëpi dhe bisedoi me vëllanë, Bekimin, i cili në atë moment po ndiqte kanalin televiziv CNN, – tregon biri i tij, Salihu.
– Diçka ka ndodhur këtu. Një bombë ka eksploduar në ndërtesën tjetër, – ishin fjalët e Monit.
– Nuk është bombë, por është aeroplan, – ia ktheu Bekimi.
-Aeroplan?! – kishte pyetur i habitur Moni dhe kishte shtuar: – Do t’ju telefonoj përsëri.
Në orën 9 e 9 minuta Moni telefonoi sërish në shtëpi. Kësaj here bisedoi me Albianën, bashkëshorten e Bekimit.
– Gjendem në katin 86, – tha Moni – Jemi blokuar të gjithë. Nuk shohim tjetër, veçse tym. Nuk di a do të shihemi më. Të keni kujdes veten dhe familjen.
Për gjashtë javë familja e tij jetoi me shpresë se ai do të kishte shpëtuar. Tre djemtë gati për çdo ditë shkonin në spitalet e New Jersey-t, New York-ut e Connecticut-it për të marrë ndonjë lajm për babanë e tyre. Sa më shumë që zgjaste kjo pritje, aq më shumë shtohej dhimbja për të. Të afërmit e Monit nga Vuthajt e Kosova erdhën në Amerikë për t’ia bërë më të lehtë dhimbjen familjes.
Nipi i Monit, Samidi, 11 vjeç, i tha një ditë xhaxhait të vet Salihut se kishte diçka për t’i treguar. Ishte një ëndërr që i forcoi bindjen familjes Gjonbalaj të hiqnin dorë nga pritja e të bindeshin se Moni kishte vdekur.
Shkurta Gjonbalaj dhe i vëllai, Saliu hedhin lule në vendin e tragjedisë një vit pasi ndodhi ajo.
“E kam parë në ëndërr Bacin (kështu e thërriste nipi Monin). Më tha që t’u them të gjithëve se nuk mundeni të më gjeni dot. Mos të më kërkojnë më. Bacit i shkuan lotët faqeve se e dinte sa vështirë e kishim pa të”, tregoi ëndrrën e tij Samidi.
Pas gjashtë javësh, familja Gjonbalaj hapi derën për ngushëllime. Mijëra vetë nga New York-u e shtete të tjera të Amerikës morën pjesë në atë ceremoni. Po ato ditë, kryebashkiaku i qytetit, Rudolph Giulian-i e kongresistja Nita Lowery, i dërguan letër ngushëlluese familjes Gjonbalaj.
– Më ka mbetur peng se babai kishte dëshirë të varrosej në Vuthaj, ku edhe kishte lindur. Kur të gjenden eshtrat e tij do t’i çojmë atje. Ky do të jetë një ngushëllim i vogël pas tragjedisë së madhe që përjetuam, – thotë Salihu.
Mon Gjonbalaj la pas bashkëshorten, tre djem, një vajzë dhe tetë nipa e mbesa.
Simon Dedvukaj, lumturia e tij i bënte dhe të tjerët të lumtur
Pas një viti nga vdekja e Simonit, Kodi Biologjik konstatoi eshtrat e tij të cilat u varrosën ne New York, më 21 shtator 2002./Illyria