Aktualitet

Historia e shqiptares në “Le Iene”,familja: ‘Vjehrra’ e manipulon

By vizional

April 23, 2019

Historia e 19-vjeçares shqiptare Antonela Zenelaj ka qenë në fokus të mediave italiane ditët e fundit, pasi familja e saj kërkoi ndihmën e emisionit “Le Iene”, për ta rikthyer vajzën në banesë. Antonela është e shurdhër dhe ka lindur me prapambetje mendore.

 

Nga ekzaminimet e kryera rezulton se vajza mund të manipulohet lehtësisht, pasi mendon si një 8-vjeçare. Në vitin 2017, në një takim me të rinj shurdhmemecë në Romë Antonela njohu Xhovanin, një djalë nga Napoli me të cilin u dashurua. Pak muaj më vonë, vajza u largua nga banesa, ndërroi numrin e telefonit dhe fshiu të gjithë të afërmit nga rrjetet sociale. Motrat e saj dyshojnë se Antonela është manipuluar nga nëna e Xhovanit, e cila e mban vajzën në një banesë në Napoli, vetëm për të përfituar nga pensioni që ajo merr, që shkon në rreth 900 euro në muaj. Gazetarët e emisionit “Le Iene” në Italia1 arritën të gjenin shtëpinë ku qëndron vajza, por ajo nuk pranoi ta hapte derën.

Në pamundësi për të gjetur zgjidhje në Itali, ku Antonela konsiderohet maxhorene dhe ka të drejtë të jetojë me të dashurin, familja e saj kërkon ndërhyrjen e shtetit shqiptar. News24 takoi në Vlorë motrën e 19-vjeçares.

Motra e Antoneles Eliza Zenelaj shprehet e bindur se vajza është manipuluar nga nëna e të dashurit të saj, e cila e ka bërë të besojë se familja nuk e do. Gjatë këtyre muajve që vajza është larguar nga shtëpia pensioni i saj është tërhequr me shumë mundësi nga nëna e djalit italian. Emisioni “Le Iene” komunikoi me nënën e Xhovanit, e cila tha se pretendimet e familjes për prapambetjen mendore të vajzës nuk janë të vërteta. Sipas saj, të rinjtë janë maxhorenë dhe kanë të drejtë të jetojnë bashkë.