Historia e qytetit me dy dete

Historia e qytetit me dy dete

1105
0

E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “qyteti me dy dete” apo “porti jugor i Adriatikut’’ ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar, me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit. Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero. Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftërave për liri dhe qëndresës shqiptare, Vlora ka edhe një status tjetër si atelje natyrore e piktorëve, vatër e artistëve dhe urë lidhëse e Shqipërisë me botën.

Vlora në lashtësi quhej Aulona. Ajo përmendet nga shumë udhëtarë dhe kronikanë të huaj, si një nga qytetet – skelë kryesore të Ilirisë së Jugut, që lulëzoi pas rënies së Apollonisë dhe Orikut. Emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografike të bregdetit lindor të Adriatikut që i ka qëndruar kohës qysh nga lashtësia.

Amantia, e themeluar në shek. V p.e s., është një nga qytetet e pakta të Ilirisë jugore që ka pasur jetë 1000 vjeçare.Në jug të qytetit të Vlorës gjendet qyteti i Orikumit, i cili ka qenë një nga portet më të lashte të bregdetit të Vlorës, i themeluar si vendbanim në shek. VI-V p.e s.

 

Oriku u bë port i fortifikuar, bazë e rëndësishme ushtarake në Adriatik dhe në shek. II-I p.e.s ishte kantier i rëndësishëm detar për ndërtim e riparim anijesh, gjë që favorizohej nga prania e madhe e pyllit me pisha të Llogarase dhe Sera e Selenicës. Në shek.II p.e.s., Oriku u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe u shkatërrua duke e humbur rëndësine e tij, pa mundur të rimbëkëmbej më. Ishte pikërisht koha kur në gjirin e Vlorës del në pah një tjetër qytet-Skelë, që ishte “Aulona – Vlora e sotme”. Dëshmi arkeologjike e lashtësisë dhe autoktonisë është edhe vetë simboli i saj – “Vajza aulonase”, një skulpturë “hyjnesh” 87 cm., e gdhendur nga mjeshtër vendas me gurin gëlqeror të Kaninës, që simbolizon veshjen e grave ilire.

Për tu vizituar. Kurora e Uliinjve ndodhen në hyrje të Vlorës në kodrat e Bestrovës, përgjatë rrugës së vjetër automobilistike. Janë me dhjetra ullinj shekullorë, të cilët të japin një kënaqësi mbresëlënëse të kësaj mrekullie njerëzore. Midis tyre gjejmë edhe llojet e tipit kalinjot dhe vlonjat të përmendur për frutat dhe vajin.

Sheshi i Flamurit përbëhet nga disa objekte kulturore. Në qëndër ndodhet Monumenti i Pavarsisë, simbol i qëndresës kombëtare. I ndërtuar në vitin 1972 ai është 17 m i lartë dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e skulpturës monumentale. Midis gjashtë figurave të bronzta spikat ajo e Ismail Qemalit, arkitektit të Pavarësisë Kombëtare. Në të majtë të monumentit ndodhet shtiza e flamurit, një piedestal në formë kolone me faqe të dekoruara nga data e pavarësisë dhe shqiponja kombëtare. Ajo u ndërtua në vitin 1937 nën kujdesin e kryetarit të atëhershëm të bashkisë, poetit lirik Ali Asllani. Pas shtizës së flamurit, disa metra brenda lulishtes ndodhet varri i Ismail Qemalit.

 

Varri është ndërtuar në vitin 1932, kur eshtrat e tij u zhvendosën këtu nga Kanina. Sipër tij qëndron skulptura e Luftëtarit Kombëtar, vepër e skulptorit Odise Paskali.

 

Muzeu i Pavarësisë ndodhet në Skelë përballë portit detar. Përbëhet nga një ndërtesë e thjeshtë me disa dhoma, e cila ka shërbyer si seli e Qeverisë Shqiptare në vitet 1912-1914. Midis sallave dhe relikeve në katin e dytë ndodhet edhe studjoja e kryeministrit Ismail Qemali.

 

Kalaja e Kaninës ndodhet në pjesën J-L të qytetit të Vlorës në një kodër të lartë 380 m. Ka patur funksion mbrojtës për bashkësinë e ilirëve amantë qysh nga periudha antike. Arkeologët kanë specifikuar mure të periudhave të ndryshme historike që i përkasin stileve dhe teknikave të ndyshme. Sipërfaqja e konsiderushme prej 3.5 ha tregon për arsenalin ushtarak dhe njerëzit që mund të strehonte.

Karaburuni është gadishulli më i madh që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet midis detit Adriatik( gjirit të Vlorës) dhe detit Jon . Me një gjatësi prej 16 km, Karaburuni shërben si kufiri ndarës midis midis këtyre dy deteve. Peisazhi i çuditshëm i tij ofron forma nga më të ndryshmet si gjire të vegjël, pllaja, shpella karstike, kepe, plazhe, shpate të zhveshur, maja malesh, etj. Maja më e lartë e Karaburunit është Koreta me lartësi 826m, kurse fare pranë saj ndodhet pllaja karstike e Ravenës me lartësi që varion nga 200-300 m, në lartësinë e të cilës Sovietikët mendonin të instalonin raketat e tyre në fund të viteve 1950. Përhapja e dukurisë gjeografike të Karstit ka bërë që në gadishull të zhvillohet dukuria e shpellave.

 

Fare pranë Karaburunit ndodhet ishulli i Sazanit i cili njihet nga të gjithë si Ishulli më i madh i Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 5.5 km2 ai ndodhet në hyrje të gjirit të Vlorës, 16 km larg kësaj të fundit dhe ndahet nga Karaburuni prej ngushticës së Mezokanalit, 4.8 km e gjerë, ndërsa largësia e tij nga kepi i triporteve është 8.5 km. Iërbërë nga dy kodra pothuaj “binjake”, Sazani ka një lartësi maksimale prej 342 m, dhe një vije bregdetare të lartë e shkëmbore, të pasur me gjire të vegjël. Më i rëndësishmi ndër ta është ai i Shën Kollit ku ndodhet edhe Porti ushtarak i Sazanit.

 

Parku kombëtar i Llogorasë shtrihet atje ku nis lugina e Dukatit përgjatë shpateve të Lungarës dhë Rrëzës së Kanalit. Me një sipërfaqe prej 1010 ha kjo hapësirë shtrihet nga lartësia 500 m duke u ngjitur deri në lartësinë 1100 m. Brenda tij ndeshim një bimësi të dendur që nis nga shkurret mesdhetare, halorët e ndryshëm, drurët gjethegjërë, kullotat, etj. Llogoraja përmendet edhe për faunën e pasur të saj ku mund të përmendim shpendë të rrallë dhe gjitarë të ndryshëm. Brenda parkut, buzë rrugës në lartësinë 910 m ndodhet edhe monument culture shumë I veçantë, siç është pisha flamur, e quajtur kështu nga forma e degëve të përpunuara nga era.

 

Poshtë Llogorasë ndodhet fshati i Dukatit i përmendur për folklorin, historinë dhe traditat. Këtu ndeshim një nga monumentet e kulturës popullore siç janë kullat e Dervish Aliut, një shtëpi-kështjellë e shekullit të XVIII-të.

 

 

 

Laguna e Orikumit ndodhet midis Karaburunit dhe qytetit të Orikumit. Dallohet për shpendët dhe speciet e shumta të liqeneve detare, ku nga veprimtaritë ekonomike mund të veçojmë peshkimin.

 

Zvërneci është një nga zonat turistike të Vlorës. Këtu ndodhet Triporti një bukuri natyrore e paeksploruar nga vizitorët. Në vitet 1970 arkeologu Vasil Bereti kreu këtu disa fushata gërmimesh, ku dolën në dritë porti detar, disa mure rrethuese, disa ndërtesa, karkasën e një anijeje dhe qeramika të ndryshme.

 

Manastiri i Zvërnecit ndodhet në një nga dy ishujt e lagunës së Nartës. Kisha ndodhet në ishullin më të madh i cili lidhet me bregun nga një urë druri me gjatësi prej 200 m. Ajo i përket shekullit të XII-të dhe ka shërbyer edhe si mauzoleum, sepse brenda saj ndodhet varri i gjeneralit bizantin Argjiro Karanxhas, varrosur këtu në shekullin e XI-të. Në varrezën e këtij manastiri ndodhet që nga viti 1932 varri i qëndistares së flamurit Marigo Pozios.

 

Laguna e Nartës me sipërfaqe 45 km2 është liqeni i dytë detar për nga madhësia në Shqipëri. Veçori e saj është numri i madh i shpendëve dhe peshqve që jetojnë në të. Prej disa shekujsh këtu jeton edhe një koloni pelikanësh. Edhe sot në këtë lagunë ruhet tradita e peshkimit me varka druri. Në kodrat përreth peshkatarët nartiotë kanë treguar se janë kultivues të famshëm edhe të vreshtarisë, e cila prodhon verën e njohur të Nartës.

 

M.H/ Dita

Shperndaje