Historia e panjohur e Nju Jorkut: Si u këmbye me një ishull...

Historia e panjohur e Nju Jorkut: Si u këmbye me një ishull të vogël në Oqeani

468
0

Zyrtarisht, holandezët nuk e njohën këtë vendim për një kohë të gjatë. Pati madje edhe një luftë tjetër, dhe vetëm me marrëveshjen për paqe të Bredas, në vitin 1667, u ra dakord që Nju Jorku t’i përkiste përfundimisht kurorës britanike. Por jo pa kompensim. U bënë këmbime që nga pikëpamja e sotme duken si shumë të çuditshme. Para së gjithash, ishulli liliput Run (i njohur edhe si Pulo Run, ose Rhun) në Indonezinë e sotme, iu dha pra holandezëve. I vogël siç është, ai kishte një vlerë të stërmadhe. Ishulli i përket arkipelagut Banda, e kësisoj është pjesë e Molukëve, tej në Lindje, shumë pranë Guinesë së Re. Por Molukët, të gjithë ashtu siç ishin të vegjël, shpesh të kërcënuar edhe nga vullkanet, në atë kohë vlerësoheshin si ishujt e erëzave, që u bënë simbol i një epoke të madhe e të re historike: atë të zbulimeve të mëdha.

Gjuetia për erëzat motivoi zbuluesit e mëdhenj

“Në fillim ishin erëzat”, e nis Shtefan Cvajk (Stefan Zweig) biografinë e tij mbi Ferdinand Magelanin. Me këtë, siç pohon Cvajk, ai nuk mendon vetëm mbi Magelanin, por për këdo e çdo gjë tjetër që në atë kohë kishin zbuluar e lënë pa zbuluar duke kërkuar botën Kristofor Kolumbi, Vasco da Gama e të tjerë si puna e tyre. Sigurisht se në atë kohë, kërkohej shumë, pikësëpari ari e gurët e çmuar, mirëpo erëzat premtonin një përfitim të madh ekonomik, nëse i merrje ato nga fundi i botës e i dërgoje për në atdheun tënd në Europë, për t’i shitur. Një rol të rëndësishëm këtu nuk luanin aq shumë erëzat e zakonshme si piperi, kanella apo vanilja, por të tilla që më vonë do të shfaqeshin paksa më në sfond, siç ishin: karafilat dhe arrat e muskatit, dhe ato pra vinin vetëm nga “ishujt e erëzave”. Muskati i Bandës, karafilat e Molukëve veriore rreth Ternatëve dhe Tidorëve, u bënë të famshme ndër breza.