DOSSIER

Historia e panjohur e ‘Dedës’. Familja thirri në dasmë aktorin

By vizional

January 22, 2021

 

Publikohet historia e panjohur e Pjetër Llesh Dodës, me origjinë nga fshati Domgjon i Mirditës, i cili në mëngjesin e 31 dhjetorit 1966, u nis të rregullonte linjën që lidhte Kukësin me Tiranën dhe nuk u kthye më në shtëpi! Dëshmitë e rralla të bashkëshortes së tij Liza dhe të birit, Zefit mbi historinë e dhimbshme të ‘fillrojtësit Dedë’, i cili sikur kishte parandjerë fundin e tij tragjik, i kishte lënë amanetet gruas së tij!

Si dështuan përpjekjet e fshatarëve të asaj zone për gjetjen e tij në malet më dëborë të asaj zone të thellë në Veri të vendit dhe dyshimet e Sigurimit të Shtetit, të cilët mendonin se ai ishte arratisur në Jugosllavi dhe u bënë gati t’i internonin familjen?! Si u bë e mundur gjetja e tij në shkurt të vitit 1967, në fshatin Kolsh të rrethit të Kukësit dhe varrimi madhështor pasi ai u shpall “Hero i Punës Socialiste”, si dhe kujdesja e shtetit dhe e vetë udhëheqësit kryesor, Enver Hoxha, për t’u mbaruar shtëpinë e lënë përgjysmë, shkollimin e fëmijëve, dhe punësimin e Lizës si centraliste. Historia e rrallë e ‘fillërojtësit Dedë’, familja e të cilit thirri aktorin Rikard Ljarja në dasmën e djalit të dytë, madje duke e vënë atë në krye të vëndit, aty ku do ishte Pjetri, ndërsa me centralisten ‘Zana”, do të takoheshin familjarisht, vetëm në vitin 2015, në studion e një emisioni televiziv …?!

Memorie.al, publikon për herë të parë historinë e panjohur, edhe në shenjë homazhi për aktorët Rikard Ljarja dhe Elida Cangonji, si dhe të Lizës, bashkëshortes së fillërojtësit Pjetër Llesh Doda, e cila u nda nga jeta para disa ditësh, në moshën 84 vjeçare!

Rrëfimi i Rikard Ljarjes dhe emisioni televiziv në 2015-ën, ku e gjithë familja e ‘fillrojtësit Dedë’, u takua edhe me, ‘Zanën”, Elida Cangonjin!

“Mbasi u dhashë fjalën se do shkoja në dasmën e djalit të tyne, pas disa ditësh, e shtunë ka kenë, dola nga shtpia dhe u nisa me shku te Kafe “Flora”, ku kisha lënë me u taku me dy punonjësit e Kinostudios, që do vinin me më marr me makinë, për me shku në fshatin Domgjon të Mirditës, ku e kishte shtëpinë familja e fillrojtësit Pjetër Llesh Doda. Pak pa mrrit te vëndi ku ata do vinin, rastësisht takoj Dor Kekon, që sapo kishte dalë prej shpiet qe kish po aty ngjit me Kafe “Flora”, i cili më ftoi të uleshim aty për kafe dhe ndonjë gotë. Edhe pse Keko insistoi shumë, nuk neja, duke i than se nuk kisha kohë, pasi po më priste makina, me të cilin do udhëtoja për në fshatin e largët të Mirditës dhe i tregova arsyen se pse po shkoja atje. Pa maru mirë fjalën, Dori më tha: ‘Ouuu, po kjo qenka një mrekulli, do t’ja propozoj shefit tim, kryeredaktorit, sa të shkoj ne redaksi dhe do ta bëj shkrim te “Drita”, ku…’! dhe aty u damë me Kekon, pasi e lamë me u taku përsëri, kur të kthehesha unë. Kshu, unë shkova në atë darsëm, ku më pritën me shumë përzemënsi, duke më vënë në krye të venit, si i pari dasmës, njisoj sikur aty të ishte i zoti i shtëpisë, Pjetër Llesh Doda, fillërojtësi, rolin e të cilit unë e kisha pas rastin me e lujt n’ film. Pas dy tre ditësh, erdhi më takoj Keko-ja, i cili bëri një shkrim në “Drita”, për atë histori që i kallxova…”!

Kjo ishte një nga ngjarjet që na pat treguar disa vite të shkuara, i madhi Rikard Ljarja, miku im, gjatë një dreke në fshatin Skuraj të Kurbinit, ku na kishte ftuar Lek Pervizi (me bashkëshorten e tij, Beba, ish-të përndjekur politik), kur aty ra biseda për doket, zakonet, traditat e gjithë historinë e asaj treve që kufizohej me rrethin e Mirditës, për të cilat, Rriku (siç e thërrisnim ne), kishte aq njohuri, saqë pa e tepruar aspak, them se do ja kishin zili edhe studjuesit e historianët më në zë. Ngjarjen në fjalë, pra pjesmarrjen e aktorit dhe regjizorit të madh Rikard Ljarja në dasmën e djalit të ‘fillërojtësit Dedë’, diku aty nga pranvera e vitit 2015, ja tregova gazetares dhe moderatores së njohur, Sonila Meço, kur punonim bashkë në televizionin ‘Agon Channel’ dhe po përzgjidhnim temat për emisionin ‘Surpriza je ti’, ku unë isha skenarist-autor dhe ajo moderatore. Sonila u mrekullua nga ajo histori dhe vendosëm menjëherë ta realizonim emisionin, edhe pse që në fillim u pezmatuam disi, pasi ndeshëm në refuzimin e prerë të Rikardit, të cilin ne donim t’ia bënim suprizë familjes së fillërojtësit, Pjetër Llesh Doda. Lidhur me këtë ide tonën, Rriku na “ngushëlloi”, duke na thënë: “Shikjo…, nuk shkon me ardh unë në emision, pasi jam kenë njiherë te dasma e tyne, por ma mirë merrni Elida Cangonjin dhe do të shikjoni sa mirë ka me u dal…”. Dhe kështu ndodhi vërtetë, Elida Cangonji pranoi me shumë kënaqësi të ishte pjesë e atij emisioni që realizuam asokohe bashkë me Sonilën dhe gjithë stafin realizues, aqsa, duartrokijet e publikut që ishte i pranishëm në atë format, vazhduan gjatë.

Memorie.al