Histori njerëzore

Historia e 52 vjeçares që përloti botën/ Vendosi të martohet me njeriun e zemrës 1 ditë para ndarjes nga jeta

By vizional

November 06, 2019

Kur Tracey MacDonald takoi për herë të parë Colin, njeriun me të cilin kaloi njëzet vitet më të bukura të jetës së saj, e ndjeu që në fillim se ai ishte i duhuri, burri për të cilin kishte ëndërruar gjithmonë.  Jeta e saj ishte skëterrë, sapo kishte dalë nga një lidhje toksike dhe po rriste krejt e vetme dy vajzat e  katërvjeçare. Colin u kthye në mikun e saj më të mirë, bashkudhëtarin me të cilin ndau rrugën e zemrës. Çifti u bekua me ardhjen e katër fëmijëve, të cilët zbukuruan akoma e më shumë jetën e tyre. Të impenjuar me rritjen e tyre, Tracey dhe Colin nuk e panë të arsyeshme të kurorëzonin në martesë dashurinë e tyre, ndonëse gruaja 52 vjeçare kishte marrë disa propozime gjatë viteve.

Deri këtu duket historia e një çifti normal, mirëpo gjashtë muaj më parë ajo u diagnostikua me kancer në mushkëri. Pavarësisht përpjekjeve të saj për t’ia dalë mbanë, për të fituar edhe këtë betejë, sëmundja ishte më e fortë se dëshira për të jetuar dhe gruas australiane i kishte mbetur edhe pak kohë. Seancat e vazhdueshme të kimioterapisë nuk funksionuan dhe sëmundja tashmë kishte prekur stadin terminal. Por, Tracey kishte akoma një dëshirë: t’i thoshte ‘’Po’’ burrit që dashuroi gjatë gjithë jetës së saj. Ceremonia u mbajt në  ‘’Moorabbin Cancer Centre”, ku Tracey ishte shtruar prej kohësh.

Gjithçka u realizua brenda një dite, nga disa vullnetarë të një shoqatë australiane që kishte dëgjuar së fundmi në rrjete sociale. Tracey (52 vjeç) dhe Colin (51 vjeç) u betuan për dashuri të përjetshme në shoqërinë e fëmijëve, miqve më të mirë dhe stafit mjekësor, i cili asistonte për herë të parë në një ceremoni të tillë. Ditën e nesërme Tracey ndërroi jetë dhe historia u bë aq virale sa ‘’pushtoi’’ jo vetëm shtypin australian, por edhe atë ndërkombëtar. Ajo është shpërndarë më shumë se 120.000 herë, ndërsa në rrjet nuk kanë munguar as komentet dhe mesazhet e ngushëllimit./ ”THE SUN”