Histori njerëzore

Histori/ Hoqi stomakun për shkak të tumorit, ja jeta e re e Irenës

By vizionc

October 26, 2019

Historia e Irena Micit është një nga ato histori që transmetojnë mesazhe shprese, kuraje dhe optimizmi. Para dy vitesh ajo u diagnostikua me tumor në organin kryesor të aparatit tretës, stomak.  Prej kësaj sëmundjeje, kanë humbur jetën edhe nëna e gjyshi i saj. Kjo sëmundje u shfaq edhe tek Irena, e cila u zhvillua aq shpejt, sa mjekët nuk kishin kohë të mendoheshin, por  nxituan t’i shpëtonin jetën.

‘Në fillim kisha disa shqetësime të vogla’, u shpreh ajo e ftuar në programin ‘Rudina’, ‘dhe desha të marr vetë një mjekim të lehtë, por kushërira më shtyu të bëja një vizitë tamam, që të hiqja dhe merakun. E bëra dhe zbulova atë që zbulova. Unë kisha një tumor që po zhvillohej shumë shpejt dhe kishte prekur gjithë pjesën e stomakut.  Mjekët më sugjeruan ta hiqja sepse nuk priste puna. I gjithë ky kalvar zgjati 52 ditë.”

Asaj iu desh të nisej drejt Italisë dhe të  bënte tre ndërhyrje dhe pas operacionit të tretë ishte e pafuqishme dhe me 30 kg më pak. Nuk ecte dot, kishte humbur ekuilibrin, sensin e kohës dhe botës jashtë. Gjatë gjithë këtij kalvari, forcën për të mos u dorëzuar Irena e ka gjetur tek djali i saj Mevlin.

 

Por të gjitha kaluan ani ajo ka një jetë të re. Edhe pse me një organ më pak, për Irenën jeta vazhdon normalisht. Me një regjim ushqimor strikt, ajo shpjegoi se ushqimet tani treten direkt në zorrë. Për këtë arsye ajo duhet të konsumojë një sasi të limituar ushqimesh. Pra duhet të hajë pak edhe shpesh. Ajo ka gjetur ekuilibrin se si duhet ta ndjekë këtë regjim të ri, ka durim dhe forcë për ta bërë.