Histori/ 100 vjet më parë në luftën e Dibrës/ Osman Paci, trimi...

Histori/ 100 vjet më parë në luftën e Dibrës/ Osman Paci, trimi që bllokoi me gjoks mitrolozin serb në Kodrën e Salbatrës

566
0

Nga Sakip  CAMI

 Haki Pernezha

 

Nga Shtabi i Përgjithshëm i Luftës së Dibrës marrja e Salbatrës dhe e Kodrës së Shkekës ishte konsideruar  vendimtare, sepse hapte rrugën për përparimin e mëtejshëm, prandaj sulmi kundër saj u studiua dhe u përgatit me kujdes të veçantë.

Pushka vlonte në të katër anët. Çidhnakët që kishin rrethuar Ostushin po përparonin me shpejtësi dhe synonin, që t’iu shkonin në ndihmë forcave që sulmonin Salbatrën. Forcat çidhnake, të udhëhequr nga Selim Alia, Haxhi Noka e Kurt Spata, ishin pykëzuar drejt Salbatrës dhe po përparonin ngadalë e me kujdes kodrës përpjetë, duke shfrytëzuar dushkun e madh. “Në majë të kodrës një mitraloz nuk pushonte për asnjë çast së qëlluari drejt fshatit Fushë – Alie. Një pjesë e luftëtarëve kishin avancuar dhe kishin hyrë nëpër shelgjishtet e përroit të Biçajës në drejtim të Përpijes. Këto forca do të hidheshin në sulm atëhere kur serbët që ndodheshin në Kodër të Shkekës do të shkonin në ndihmë të atyre të Salbatrës.

Portreti  i Osman Pacit në Muzeun e Dibrës

Luftëtarë  dibranë në luftën e vitit 1920

Ishte ndërtuar ky plan: përballë Salbatrës ishte Selim Alia me fushas; në të majtë ishin Kurt e Dik Spata me çidhnakë, të cilët duke shfrytëzuar përroin e Përnezhe pastaj atë të Biçajës po futeshin në Përpije; në të djathtë, Haxhi Noka me grykas duke shfrytëzuar shelgjishtet e porenet e arnajve, nga Shteku i Tretë po përparonte drejt Suleve. Në këtë mënyrë Salbatra dhe më pas edhe Kodra e Shkekës ishte futur në një darë të fortë. “Ushtarët serb nuk pushonin së qëlluari sa nga e majta aq dhe nga e djathta e po aq drejt nga shkonin fushasit, por lëvizjet e shpejta e taktike, që kryenin çidhnakët duke shfrytëzuar shumë mirë terrenin, i çoroditën ato. Kjo situatë disi kaotike u dha krahë fushasve të cilët iu afruan shumë telave të shumtë të vendosur në transhetë a “istikamet” e hapura nga serbët në “hundën” e kodrës, në Salbatra.”

Këtu në Salbatra është zhvilluar me të vërtetë beteja më heroike e kësaj lufte, këtu luftimet u bënë trup me trup, transhetë u mbushën me trupa serbe të vrarë, por vetëm një mitraloz vazhdonte të qëllonte mbi fushasit dhe nuk i lejonte ato të kapathereshin në istikam. Situata kërkonte veprim të menjëhershëm. Riza Lusha që, sapo kish ardhë me disa trima të Arrasit u bashkua me luftëtarët e Fushë Çidhnës dhe po mendonin të asgjësonin mitrolozin serb. Kishte vetëm një rrugë: duhej shkuar drejt istikamit, ku ishte strehuar mitralieri serb me ndihmësin, por kjo ishte e rrezikshme.

Osman Tahir Paci një djalë çidhnak, i sapomartuar, ngrihet në këmbë dhe u kërkon shokëve ta mbulojnë me zjarr. Niset drejt istikamit duke mbajtur dy alltie në dorë e duke qëlluar drejt mitralierit, ndërkohë që batare pushkësh, nga të dy anët qëllonin papushim drejt istikamit. Trimi Osman Paci, ashtu duke qëlluar, i afrohet serbit, i cili lë mënjanë armën dhe bëhet gati për tu përleshur trup me trup. Ndihmës-mitralieri serb merr në dorë mitralozin dhe ia vendos atë në bark Osmanit, i cili njërën pistoletë ia shkreh mitralierit, duke e lënë të vrarë në vend. Por plumbat e panumërt të mitralozit i qerthullojnë trupin burrëror të trimit, i cili paloset e bie mbi armën vdekjeprurëse. Gryka e mitalozit pushoi dhe fushasit, që ishin vetëm 10 metra më poshtë, hidhen mbi istikam dhe aty gjejnë trupin e Osmanit, mbi grykën e mitralozit, i bërë shosh nga plumbat e shumtë që kish marrë në bark.

Një ndër luftëtarët e dalluar në këtë betejë ishte edhe Isuf Herçeku, i cili, kur pa skenën e heroizmit të Osman Pacit, shpejt thuri një këngë, e cila këndohet edhe sot në odat çidhnake.

“U ngrit Çidhna tuj vikat, /

Ngrihi 70 e m’shtatë,/

Erdhi vakti për shamatë! /

N’Ostush e n’Shumat,/

Rrok martinat për nër dorë /

E në xhep bukën e norë ./

Mbush kollanat me fishekë, /

S’tremben burrat kur rrjedh xhek, /

Tërtëllajçka  po kërcet, /

Osman Paci i shkon drejt/

Osman Paci qysh po thotë?/

Bini burra se s’ka mort!/

Osman Paci e Riza Lusha,/

Ma t’mirë djem qi i ka Fusha ./

Kjo Salbatra, kodër e keqe,/

Mbush me krejna e teneqe./

Pas rënies së Salbatrës, forca kryengritëse e përbërë nga fushasit dhe disa çidhnakë e arras, u nisën drejt kodrës së Shkekës. Nga Përpijes filluan të vërshojnë edhe grykënokasit, ndërsa te varri i “Majc Idrizit” qëllonin pa pushim forcat e Riza Lushës. Kodra e Shkekës u rrethua në tri anët, ndërsa nga Shumbati po afroheshin me shpejtësi forcat e Suf Xhelilit, që vinin nga Lugjaprava. Beteja në Kodër Shekë ka qënë ndër betejat më dëshpëruese të forcave serbe. Ato i kapi paniku dhe kush mundi të shpëtojë u largua. Kënga popullore e ka përjetësuar këtë ngjarje me vargje, por edhe studiues të tjerë kanë gjurmuar, ndër të cilët B.Xhafa, i cili thotë: “Ushtrinë jugosllave e zuri paniku dhe u vu në ikje pasi la mbi 1000 vetë të vrarë e robër… 200 serb u zunë jesir… Mud Basha dhe Rushit Kadriu i shoqëruan robërit serb deri në Tiranë dhe pastaj qeveria ua dorëzoi Serbisë.

Tregohet se askush prej çidhnakëve nuk i preku robërit, edhe pse ata i kishin duart me gjak. “Robërit, një batalion, dërgohen në Tiranë, dhe pas 10 ditësh prej Durrësit me një vapor jugosllav dorëzohen në Jugosllavi. Aq i rrufeshëm qe ai sulm, sa që në orën 8 të mëngjesit, forcat e Batalionit të Parë, të vendosura në vijën Trojak – Shumbat e deri në Suhodoll, u shpartalluan dhe u tërhoqën në panik të plotë. Në krahun e djathtë të Ferrës së Pashës, forcat e Dervish Lushës, pasi shpartalluan “notkën” serbe të Ostushit dhe, pasi morën lajmin se Salbatra po binte, u drejtuan për në Tabe të Përgjegjit, ku i prisnin sinjanët e drejtuar nga Abdi Kaloshi.

Topa serbë të rrëmbyer nga serbët në luftën e vitit 1913

Në Kodër të Visokës ishin luftëtarë nga fshatrat Brest, Kandërr, Kukaj  e Kastriot, të cilët nën udhëheqjen e Murat Kaloshit, kishin pastruar zonën nga serbët dhe u bashkuan me luftëtarët e Sinës dhe të Arrasit, për të shpartalluar serbët në Pasmar e Gjarajcë. Pasmari nuk u mori shumë kohë kryengritësve dhe rruga për në Gjarajcë ishte e hapur. Kur iu afruan Gjarajcës, erdhën edhe muhurrakët me Dine Hoxhën dhe për pak kohë morën edhe këto istikame serbe. Tani drejtimi i kryengritësve ishte Çapi i Brezhdanit e më pas Peshkopia. Në mbrëmjen e asaj dite gjithë Dibra ishte e çliruar.

Ai nuk la pasardhës, por kjo nuk është arsye që shteti dhe atdheu, për të cilin u sakrifikua të mos kujtohej për të.