Aktualitet

Helikopterët ‘Black Hawk’, ambasadorja Yuri Kim: SHBA-të dhe Shqipëria qëndrojnë krah për krah sot, nesër dhe të gjitha të nesërmet që do vijnë

By vizional

May 29, 2020

Nënshkruhet kontrata e pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore me helikopterë Black Hawk. Kontrata e pranimit u nënshkrua nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. Kjo e fundit tha se kjo marrëveshje në fakt, përfaqëson shkëlqyeshëm dy aleatë.

“Ky program përfaqëson shkëlqyeshëm dy aleatë që punojnë së bashku për të arritur qëllime të përbashkëta të sigurisë. Siç e dini, ky nuk është vetëm një dhurim i pajisjeve amerikane të mbrojtjes. Ky është një program i financuar bashkërisht, ku si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Shqipëria ndajnë përgjegjësinë financiare për të mbrojtur Aleancën… Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë “krah për krah” sot, do të qëndrojmë “krah për krah” nesër dhe të gjitha të nesërmet që vijnë më pas”, u shpreh Ambasadorja Yuri Kim në ceremoninë për nënshkrimin e Letrës së Ofertës dhe Pranimit të Helikopterëve UH-60 Blackhawk.