HALIL RAMA DHE JEHONA E VENDLINDJES/ Impresione nga personalitete të letrave për...

HALIL RAMA DHE JEHONA E VENDLINDJES/ Impresione nga personalitete të letrave për librin “Muhurri, histori dhe personalitete

617
0

Impresione nga personalitete të letrave për librin “Muhurri, histori dhe personalitete

 

Nga Sakip CAMI

 

Libri i 17-të i Halil Ramës “Muhurri, histori dhe personalitete”  në më pak se një muaj prej daljes në qarkullim nga Shtëpia Botuese “M&B” ka qenë mjaft i shitur dhe i kërkuar  nga lexuesi, sidomos nga treva e Muhurrit. Kjo edhe për faktin se ai është përcjellur nga akademiku prof.dr.Shaban Sinani dhe nga Nderi i Kombit  prof.dr. Bujar Kapexhiu si dhe nga Prof Asoc. Dr. Hajri Mandri me vlerësime maksimale.

Ndërkohë ky libër është vlerësuar edhe nga personalitete dibrane të botës së letrave, si poetët e prozatorët e mirënjohur Ahmet Prençi e Naim Berisha dhe gazetari e moderatori i talentuar i spektakleve televizive Dëfrim Methasani, opinionet e të cilëve po i sjellim për lexuesin si vijon:

AHMET PRENÇI:  NJË VEPËR ENCIKLOPEDIKE SHUMË E ÇMUAR

Libri i Halil Ramës, “Muhurri – Histori dhe Personalitete” të fton në një “lundrim” që fillon shumë larg në historinë e lashtë të Muhurrit e përfundon në ditët tona.

Në këtë libër voluminoz, autori ka prezantuar qartë: seriozitetin, këmbënguljen, pasionin, dashurinë për vendlindjen, mundin për të na dhuruar një vepër enciklopedike shumë të çmuar dhe mjaft të plotë.

Një vepër e vlerësuar me të drejtë nga akademiku Prof. Dr. Shaban Sinani dhe Nderi i Kombit Bujar Kapexhiu. Ata i kanë shpalosur vlerësimet e tyre në ballinën e librit.

Kam qenë për të parën herë në Muhurr që në vegëli. Kam njohur në vazhdimësi mjaft personalitete të kësaj zone, por dhe njerëz të thjeshtë me mjaft mirësi, bujari e virtyte të larta.

Disa emra që përmenden në libër kam patur fatin t’i njoh personalisht, të punoj ngushtësisht me ta e të kem miqësi e bashkëpunim mjaft të sinqertë. Për të tjerë që i përkasin historisë kisha dëgjuar dhe lexuar shkarazi. Tek ky libër gjeta vërtet detaje, ndodhi dhe të dhëna që unë nuk i dija më parë. Muhurrin aty e kemi patur, aty e kemi. Halili na e sjell të gjithin aq bukur në një libër.

Autori i ka bërë nderin më të madh zonës ku lindi dhe, ka skalitur me dashuri portretin e Muhurrit, të bijve e bijave të saj që e nderuan dhe e nderojnë këtë perlë të bukurisë natyrore të Dibrës me traditën dhe historinë e lavdishme të saj. Vepra është një thesar i çmuar për këdo që e lexon, për të rinjtë dhe brezat që do vijnë.

Halil Rama ka gjetur mënyrën më fisnike për t’i shprehur mirënjohjen zonës së tij, Muhurrit.

Është shkruar në fakt nga autorë të ndryshëm për të gjitha trevat e Dibrës, janë studime serioze të kryra me profesionalizëm e përkushtim.

Gjithkush nga ne lexuesit dibranë, do ta dëshironte një përmbledhje të vetme, ku enciklopedia të  ndërtohej në: nëntë malet, shtatë teqet, katër  oxhaqet dhe qytetin e Dibrës. Do ishte një vepër e madhe siç është Dibra.  Halili na e sjell Muhurrin me gjithçka që ka prej hershmërisë e deri më sot në mënyrë gjithpërfshirëse e të plotë.

Falenderim dhe mirënjohje autorit Halil Rama, i cili nuk resht së krijuari, duke na pasuruar mendjen dhe bibliotekën me libra të çmuar.

Faleminderim të veçantë, Bujar Karoshi dhe “M&B” për botimin cilësor.

 

DEFRIM MET’HASANI: NJË UDHËTIM EMOCIONUES NË MUHURR     

Librat e botuar së fundmi dhe dashuria për vendlindjen, na bënë bashkë në një udhëtim emocionues në Muhurr të Dibrës. Nisma e mikut tonë Shemsi Prençi që shquhet për ide të tilla, mori jetë të dielën, duke patur me vete dy autorë të suksesshëm librash dhe miq të nderuar, Ahmet Prençi dhe Halil Rama.

Monografia për Muhurrin pikasur mrekullisht nga biri i tij, gazetari dhe shkrimtari Halil Rama dhe romani i bukur Anja, shkruar mjeshtërisht nga  prozatori Prençi, u prezantuan dhe u dhuruan tek shumë njerëz që na respektuan kudo ku shkelëm.  Halil Rama ka bërë atë që në fakt meriton krahina e Muhurrit.

E paharruar për mua dhe për të gjithë ne do të jetë çasti solemn kur autori i dhuroi  veteranit 100 vjeçar Xhetan Prençi librin për Muhurrin. Xhetani është vetë enciklopedia e gjallë, por librin ai e vlerëson më shumë se gjithçka. Shërbimi i tij për vendlindjen me librin që tashmë muhrrakët e kanë në dorë, është një shërbim historik, një pasuri dhe vlerë njohjeje, thotë  Xhetani.

Një dhuratë e jashtëzakonshme për mua. Kështu e vlersoi mësuesi i autorit dhe i gjithë dekadave Rexhep Hoxha. Aty ka shumë të dhëna, monografi, histori, protagonistë, kuriozitete, etj.

Përmes librit të H.Ramës, nënvizon gazetari i mirënjohur  D.Met’hasani  mësova se shkolla e parë u hap në vitin 1925 në shtëpinë e Destan Sinës e më pas kaloi te Farruku. Në këtë libër zbulova që pas Himarës, në vend të dytë në Shqipëri ishte Muhurri për shoferët. Nga ky libër kuptova se si u kthyen dasmat nga darka në drekë dhe dhjetra e qindra kuriozitete. Aty tregohet lufta, historia, dija, patriotizmi, arsimi, puna, vlerat, mikpritja, tradita, e djeshmja dhe e sotmja. Libri është enciklopedi e gjallë, një muze në letër, një bibliotekë në shtëpi. Aty njeh vlerat njerëzore, që nga Dine Hoxha e deri te Dine Doda. Aty mësohet më shumë për emblema sportive të Dibrës dhe Shqipërise, si legjenda e volejbollit Bashkim Lala. Ndaj pērgëzoj Halil Ramën dhe ata që e mbështetën ta realizonte këtë vepër artistike dhe njerëzore. Defakto Halil Rama është “Qytetar Nderi” i asaj treve!     Urime atyre që gdhendin në letër dhe lënë pas një thesar të çmuar për brezat.

 

NAIM BERISHA: LIBËR INTERESANT, SPECIFIK NË LLOJIN E VET

Autori i njohur i shumë librave publicistikë, i talentuari Halil Rama, me librin më të fundit “Muhurri, Histori dhe Personalitete” i bën një shërbim të rëndësishëm vendlindjes sonë të bukur dhe njerëzve të saj duarartë. Ky libër meriton të zerë një vend të veçantë në raftin e librave të çdo muhurraku dhe jo vetëm. Ai është një enciklopedi e vërtetë e historisë së Muhurrit, që zë fill e merr jetë qysh në kohët e mugëta të lashtësisë pellazgo-ilire. Halil Rama përmes perifrazimeve të shumta që iu bën ekspertëve të fushave të ndryshme, përfshirë edhe ata muhurrakë, hedh dritë, pothuaj, në të gjitha gollet e errta të historisë së jetës së muhurrakëve, vijueshmërisht, në trojet e tyre, (përreth Drinit të Zi, në këmbë të vargmaleve të Muhurrit, që nisin me malin e bekuar të Shënmërisë, pasojnë me Runjën krenare dhe bitisin me malet-ballkon të Bulaçit dhe të Sinës) duke na mundësuar të shohim dhe të ndiejmë më nga afër zërat dhe siluetat e të parëve tanë, të cilët kanë parakaluar mbi këto troje të lashta dhe të pamposhtuara, duke mbrojtur çdo pëllëmbë të kësaj toke me gjak dhe sakrifica të panumërta.

Ai shkruan gjerë e gjatë edhe për jetën e sotme në Muhurr, për njerëzit më përfaqësues të fushave të ndryshme të kësaj treve shumë të njohur e të përmendur edhe në kohët e reja. Shkruan për personalitete të luftës dhe të punës, të blegtorisë e të bujqësisë, të zanateve dhe të zejeve, të dijes, të kulturës, të shkencave, të letërsisë, muzikës dhe të artit. Ai shkruan aq bukur, shkurt dhe me plot finesë edhe për dy bashkëfshatarët tanë, dy nga personalitetet më të spikatur të letrave në Dibër dhe në shkallë vendi, zotërinjtë Hysni Bruçi dhe Kamber Faruku. Natyrisht, mund të ketë edhe ndonjë hatërmbetje, tek akecili person, pasi, në të vërtetë, Muhurri ka dhe plot të tjerë, që mund të ishin përfshirë në këtë libër. Megjithëse voluminoz, (712 faqe në 17 kapituj), libri në fjalë, nuk ka mundësuar përfshirjen e të gjithë atyre që e meritonin, për punën, kontributin dhe vlerat që kanë manifestuar. Kjo mund të kompensohet nga Halili në vëllimin e dytë me të njejtin titull ose dhe nga të rinjtë e apasionuar të së ardhmes muhurrake! Halili, me hullinë e sapoçelur, fton gjithë krijuesit dhe publicistët muhurrakë të ndjekin shembullin e tij, të japin pa u kursyer sa më shumë për vendlindjen, për njerëzit e mrekullueshëm të kësaj pjese të tokës, që quhet SHQIPËRI!

S’më mbetet veçse t’i uroj Halilit tonë të dashur që të shkruaj sa më shumë libra për Muhurrin dhe muhurrakët, dhe jo vetëm, sepse librat mbeten përjetësisht, ato rrezatojnë dritë dhe dashuri, sjellin bashkim, unitet dhe jetë të lumtur për të gjithë. Librin e blen një njeri, por e lexojnë 100, ngase ai shkon dorë më dorë. Dhe në kohët më të vështira librat janë ruajtur në sepetet dhe sendukët më të fshehtë. Shkoftë ky libër te lexuesi me një “happy end” …!

Le ta blejmë këtë libër interesant, specifik në llojin e vet, për t’i blatuar autorit pasionant pengun e nderit!

 

Përgatiti: Sakip  Cami

Shperndaje