Gratë shqiptare janë nënat më të reja të Europës

Gratë shqiptare janë nënat më të reja të Europës

370
0

Sipas një publikimi të fundit të Eurostat mosha mesatare e fermave që bëhen nëna për herë të parë në Shqipëri është 26.1 vjeç, më të rejat në Europë së bashku me Bullgarinë.

Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të vajzave që bëhen nëna në moshë të re, ndërsa ka shënuar në 2017-n përqindjen më të ulët të grave që bëhen nëna për herë të parë mbi 40 vjeç.

Në 2017-n numri total i lindjeve në Shqipëri ishte 30896, prej të cilave ishin 12,918 lindje për herë të parë.

Rreth 10.8% e këtyre lindjeve u kryen nga vajza nën 20 vjeç, çka bën që Shqipëria të renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të nënave adoleshente, pas Bullgarisë dhe Rumanisë, në të cilat lindjet për herë të parë nga nënat adoleshentë ishin përkatësisht 13.8% dhe 13.9%.

Rreth 72% e lindjeve për herë të parë u kryen nga nëna që i përkisnin moshës në intervalin 20-29 vjeç. Ndërkohë 16.1% e këtyre lindjeve u kryen nga nëna që i përkisnin moshës 30-39 vjeç. Nga ana tjetër Shqipëria ka përqindjen më të ulët të lindjeve për herë të parë nga nëna mbi moshën 40 vjeç. Ato përbënin rreth 1% të totalit të lindjeve për herë të parë në 2017-n.

Për çdo 100 lindje gjatë 2017-s në Shqipëri, 45 ishin lindje për herë të parë, 36 ishin lindje të fëmijës së dytë, 13 ishin lindje të fëmijës së tretë dhe vetëm 4 lindje ishte lindje pas 3 fëmijësh.