Ekonomi

Gonxhja: Investimet e huaja direkte, 749 milionë euro në fund të qershorit

By vizional

October 08, 2024

Investimet e huaja direkte, një ndër burimet kryesore të financimit të ekonomisë dhe krijimit të vendeve të punës, vijuan rritjen edhe përgjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se të dhënat tregojnë një rritje të qëndrueshme dhe të rëndësishme.“Fluksi i investimeve të huaja ka pësuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit, duke arritur në rreth 14.376 milionë euro në fund të 6-mujorit, niveli më i lartë i shënuar vitet e fundit. Ndërkohë që për 6-mujorin e këtij viti, investimet e huaja arritën në 749 milionë euro”, u shpreh ministri. Këto investime, sipas tij, kanë ardhur kryesisht në sektorët strategjikë si aktivitetet e pasurive të paluajtshme që përfaqëson 24.1% të fluksit total.

Sektorë të tjerë ekonomik me një kontribut të lartë në IHD, shtoi Gonxhja, janë sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me 16.8%, si edhe industrisë nxjerrëse, asaj përpunuese dhe i energjisë elektrike, gazit, dhe furnizimit me ujë. Ministri informoi se fluksi i investimeve të huaja në vend është dominuar nga Turqia, e cila ka kontribuar me 19.5% në fluksin total, e ndjekur nga Italia dhe Holanda, të cilat kanë kontribuar me 12.4% dhe 8.1% ndaj totalit dhe më pas nga Franca dhe Austria me përkatësisht 7% dhe 6.6%. “Përmes këtyre investimeve, janë krijuar vende të reja pune, janë rritur standardet teknologjike dhe janë përmirësuar kapacitetet e prodhimit. Shqipëria synon të vazhdojë të përmirësojë mjedisin e biznesit për tërheqjen e investimeve të reja dhe për të forcuar pozicionin e saj si një qendër e rëndësishme ekonomike në rajon”, deklaroi ministri Gonxhja. Fluksi i investimeve të huaja ka pësuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit, duke arritur në rreth 1.5 miliardë euro vitin e kaluar, niveli më i lartë i shënuar vitet e fundit. Ndërkohë që në fund të pjesës së parë të këtij viti, investimet e huaja arritën në 750 milionë euro.