Gomonia me drogë/ Policia: Trafikantët përfituan nga errësira, u arratisën

Gomonia me drogë/ Policia: Trafikantët përfituan nga errësira, u arratisën

509
0

Policia jep informacion për gomonen me drogë që u kap pranë Fier në grykëderdhjen e Vjosës. Në njoftim thuhet se në operacion u kap mjeti lundrues dhe lënda narkotike, por trafikantët u arratisën. Policia ende nuk e ka peshuar lëndë narkotike, por burimet thanë se është rreth 500 kg.

 

Njoftimi i policisë së shtetit

 

Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Guardia di Finanza-s kanë parandaluar një tentativë për trafik lënde narkotike, përmes detit drejt Italisë. Operacioni nisi rreth orës 03:30 të mëngjes, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det. Policia Kufitare e Vlorës dhe GdF kanë vijuar ndjekjen në det. Forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të Policisë lokale Fier e Vlorë kanë organizuar punën duke patrulluar me disa grupe nga toka, megjithë kushtet e vështira të motit. Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit.

 

Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë, pranë fshatit Bishan. Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit janë larguar në drejtim të pyllit. Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre.

 

Policia sekuestroi 1 mjet lundrues, 2 automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.

 

Nën drejtimin e një grupi të posaçëm po vijojnë hetimet intensive për ndalimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe përballjen e tyre me drejtësinë.