Gjykatat, vendime arbitrare në “kurriz” të sigurimeve

Gjykatat, vendime arbitrare në “kurriz” të sigurimeve

431
0

Kur flasim për gjykatat, zakonisht nënkuptojmë (pa dashje) abuzimet që bëhen në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve, të cilat në mënyrë të shpeshtë dhe të përsëritur bien pre e vendimeve të gabuara dhe paguajnë kostot që rrjedhin prej tyre. Duhet ta pranojmë, ky është sistemi gjyqsor në Shqipëri, pavarësisht tentativave të fundit për t’i kthyer një reputacion të kënaqshëm, si vend aspirant për t’u integruar në familjen europiane.

Pre i këtyre vendimeve dhe i paligjshmërisë në marrjen e tyre, është në mënyrë te vazhdueshme edhe sektori i sigurimeve. Kështu, në bazë të ligjit në fuqi, Byroja Shqiptare e Sigurimeve paguan dëmet e shkaktuara nga aksidente me mjete motorike të pasiguruara, por i gjithë dëmshpërblimi ka një procedure, e cila në të shumtën e rasteve kalon përmes sistemit gjyqsor.

Në këto raste, prania e individit të pasiguaruar është e domosdoshme në cilësinë e personit të tretë. Por çfarë ndodh në realitet në gjykatat shqiptare? Këto të fundit, pa asnjë asrsye, shmangin thirrjen e shkaktarit të aksidentit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor për shpërblimin e dëmit, duke i hequr atij mundësinë për një mbrojtje më efektive. Pjesëmarrja e personit të tretë në gjykim frenon rritjen artificiale dhe vendimet e fryra të gjykatave, në rastet e shpërblimit të dëmit kur palë e paditur është Byroja Shqiptare e Sigurimit. Shkaktari i aksidentit, i pasiguruar, në cdo rast do të jetë debitori final për pagimin e shumës së rrjedhur nga ngjarja, e për pasojë gjykata nuk duhet të refuzojë kërkesën për thirrjen e personit të tretë në gjykim , me argumentimin se ky i fundit mund të realizojë mbrojtjen gjatë ngritjes së padisë së regresit për kthimin e shumës.

Por, në përgjithësi kjo nuk ndodh dhe këtë e tregojnë qartë të dhënat e mëposhtëme të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve.

 

Konkretisht, për periudhën Janar 2018- Maj 2019, nga 85 vendime në total, në 69 prej tyre, shkakëtari i aksidentit nuk ka qenë pjesëmarrës ne gjykim, në cilësinë e personit të tretë. Pra është identifikuar dhe nuk është thirrur, ç’ka kemi të bëjmë me shkelje me të “dyja këmbët” të ligjeve në fuqi. Dhe kostoja e këtyre vendimeve të njëanëshme dhe tërësisht arbitrare llogaritet në mbi 410 milione lekë. Dhe nëse nis një proces ankimimi, përsëri nuk ia vlen “barra qiranë”, pasi afatet, zvarritjet dhe procedurat janë rrugë pa krye. Më shpejt mbyllet në themel çështja gjyqësore për shpërblimin e demit sesa vetë shqyrtimi i kërkesës për thirrje të personit të tretë. Kjo është një e metë e madhe e sistemit shqiptar të drejtësisë, që përtej çdo arsye rrit në mënyrë artificiale vlerat e Fondit të Kompensimit. E teksa kjo praktikë bëhet e gjitha në kurriz të biznesit, pyetja që ngrihet është:

 

Po gjykatat kush i gjykon dhe biznesin kush e mbron ?

 

Pyetje kjo, që në një vend si Shqipëria, ku duhet të kesh pretendime minimaliste, mbetet pa përgjigje.

Anisa B.