Gjuha e trupit, si shitësit vëzhgojnë emocionet e blerësve

Gjuha e trupit, si shitësit vëzhgojnë emocionet e blerësve

401
0

 Kamerat me qark të mbyllur, kamerat me imazhe termike, kapelet me elektroda të inkorporuara dhe pajisje të tjera po rrisin shitjet. Nga muaji shtator i vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, një rrjet librarish franceze në Paris, ka vendosur kamera në ambientet e brendshme për të vëzhguar lëvizjet e blerësve, shprehitë e tyre të ndryshme të fytyrës, habinë, pakënaqësinë, konfuzionin apo hezitimin. Kur një blerës ecte në fund të një rreshti, por dukej i paqartë, atëherë kamerat në atë moment i dërgojnë punonjësve një mesazh dhe ata shkojnë menjëherë për ta ndihmuar atë. Shitjet u rritën me një të dhjetën, shkruan The Economist. Pronari i librarive dëshiron të ruajë privatësinë e tij për publikun. Klientë të tjerë francezë, përkrahës të kësaj nisme dhe të teknologjisë Angus.ai, po i testojnë ato në dyqane të ndryshme. Këtu mund të përmendim aeroportet e Parisit; LVMH, një konglomerat luksoz dhe Carrefour, një zinxhir supermarketesh. Në një testim që u bë në një dyqan, Mothercare, në Talin të Estonisë, software nga Realeyes, një firmë për zbulimin e emocioneve me qendër në Londër, tregoi se blerësit që hynin në dyqan të qeshur shpenzuan një të tretën më shumë se të tjerët. Nga një video e tillë e thjeshtë mund të nxirren shumë të dhëna. Por ka edhe mënyra të tjera, më të sofistikuara, për të mësuar rreth emocioneve të blerësve. Kamerat me imazhe termike mund të shkojnë deri aty sa të zbulojnë edhe rrahjet e zemrës. Të dhënat e kapura nga sensorët e smartphone-ve si akselerometri mund të tregojnë se kur blerësit hipnotizohen nga një produkt (sepse në këtë rast lëvizja e këtij sensori ndalon) apo kur janë të habitur nga çmimet e larta, sepse shkojnë në kërkim të produkteve më të lira. Për më shumë njohuri, blerësve ndonjëherë u kërkohet të dhurojnë diçka në këmbim të një uljeje apo të shpërblimeve të tjera që mund të përfitojnë si pasojë e një veprimi të tillë. Në sajë të një galvanometri bëhet e mundur matja e lagështisë dhe rezistencës elektrike në lëkurën e dorës, për të zbuluar ndjesinë e tyre në atë moment. Sipas disave, e gjithë kjo mund të jetë një mundësi shumë e mirë për të rritur shitjet. Një garë e vërtetë ka nisur në këtë industri të re të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave në lidhje me emocionet shprehet Rana June, drejtorja ekzekutive e një firme në Nju Jork të quajtur Lightwave, e cila mat emocionet e blerësve në qendrat e mëdha tregtare dhe të disa produkteve të konsumit si PepsiCo, Procter Gamble dhe Unilever. Jo të gjithë janë të impresionuar nga kjo metodë, madje nga disa ajo cilësohet si vërtet e frikshme. Ricardo Gutiérrez, nga kompania gjigante e kërkimit në fushën e konsumit, Nielsen Colombia në Bogotá, e sheh përdorimin e teknologjisë për të përpunuar të dhënat në lidhje me emocionet e blerësve si diçka tejet avangarde tani për tani. Por ka kosto shumë herë më lirë se intervistat, sipas metodës së vjetër. Kompania Nielsen ka shpenzuar rreth 10,000 dollarë për të intervistuar 25 blerës rreth tre produkteve. Shërbimi i Angus.ai kushton vetëm 59 dollarë (66 euro) në muaj/ kamera. Kundrejt vlerës 15,000 dollarë apo pak më shumë, iMotions, me qendër në Kopenhagë, u jep shitësve një kapele me elektroda të inkorporuara që zbulojnë aktivitetin e trurit dhe një pajisje në formën e syzeve, e cila zbulon menjëherë nëse bebet e syrit janë të tërhequr nga një objekt i caktuar si edhe brenda këtij çmimi përfshihet edhe një galvanometër.

iMotions, një prej kompanive më të mëdha në fushën e kërkimit të sjelljes njerëzore nëpërmjet pajisjeve të ndryshme që ka, ofron të dhëna për kompani të tilla si Mondelez International, Nestlé dhe Unilever. Por ajo që mund të çalojë në këtë drejtim është se tregjet konvencionale të kërkimit mund të nxjerrin të dhëna çorientuese. Zakonisht njerëzit nëpërmjet përgjigjeve verbale që japin mundohen që ta shprehin sa më qartë mendimin e tyre dhe ai të jetë sa më racional. Sipas, Jeff Hershey nga VideoMining, një firmë në Pensilvani, që merret me analizimin dhe përpunimin e të dhënave që nxirren nga video të ndryshme, shprehet se çelësi i suksesit i kësaj sipërmarrjeje është në gjurmimin e atyre lëvizjeve të pandërgjegjshme që blerësit bëjnë. Nocioni i “terapisë së shitjes me pakicë”, i shtyn konsumatorët të shpenzojnë shumë më shumë kur ndihen të mërzitur, dhe ky element është pikërisht një shembull i qartë i anës emocionale të blerjes. Çdo dyqan, cilido qoftë ai do të dëshironte të zbulonte atë target të “mërzitur” blerësish, të cilët është e sigurt se do të shpenzonin shuma të mëdha në blerje./Monitor