“Gjeniu i anijes”. Poezia plot ndjenjë e Lasgush Poradecit. Ia vlen ta...

“Gjeniu i anijes”. Poezia plot ndjenjë e Lasgush Poradecit. Ia vlen ta lexoni…

540
0

Vështroni si shket sipër valash

E tundet anija më nge? —

…Me krismë-e me prush prej stërkalash

Mi të shkrepëtiu një rrufe!…

 

Ti det, brohori fshehtësire!

Kuptim i potershëm, ti det!

…Po heshtje: ndaj vales së nxire

Gjeniu i anijes po flet:

 

Prej zallit që sot po largohem,

Fillova mërgimin e ri;

Hepohem… anohem… humbohem…

Po sulmën s´e ndal kursesi.

 

Dh´aspak nuk më tremb zhurmërija,

Ndaj turret me hov e vërtik

Mi ballë-e mi korje të mija

Ndërsimi-i tallazit armik.

 

Përpara kur shoh gjeratore,

Dh´ato më gremisin në fund —

Mi kulmin e vales malore

Un´ heq të shpëtoj sa me mund.

 

E morti fatkeq në më çiku,

N´u desh tmerrësisht të fundas

Aspak nuk më thyen reziku,

Po nis e përmbysem me gas:

 

Se prapa le vazhdën e ndritur —

Q´e hapa me shpirtin fatos: —

Fistonin gazmor ku pat shkitur

Valim-i anijes q´u sos.

 

………………………………………………………………….

 

Valimi-i anijes së letë

Qetohet, ndalohet, mbaron:

Gjeniu i anijes përjetë

Hepohet.. anohet… valon…