Gianni, Shqipëria nuk është e zhytur por e mbytur! Nga Arian Galdini

Gianni, Shqipëria nuk është e zhytur por e mbytur! Nga Arian Galdini

635
0

Nëqoftëse Europa do të kishte një emër emblematik si dëshmi e gjallë e jetës, dijes dhe përvojës me drejtësi, ky do të ishte pa asnjë mëdyshje vetë Presidenti i Komisionit të Venecias z. Gianni Buquicchio. E shkruaj me bindje këtë gjë sepse kam lexuar, kërkuar e pyetur shumë. Në ditët e sotme, vetë BE dhe vendet anëtare të BE, kanë një fuqizim të modeleve politike dhe korporative, më shumë sesa personaliteteve të doktrinave, bindjeve dhe përvojës së drejtpërdrejtë në Drejtësi. Gjykatës dhe Prokurorë të niveleve të epërme, po zgjidhen gjithnjë e më tepër ‘lojtarët e preferuar të korporatave, grupeve të interesit dhe politikanëve’. Mund të lexojmë pafund artikuj, debate dhe studime mbi këtë fenomen. Pafund.  Gianni është një nga të paktët e mbijetuar si zotërues, ushtrues dhe besimtar doktrine dhe bindjesh të qarta. Për këtë, them se është një fat i madh për Shqipërinë që ka një mik kaq nderuar e kaq të dashuruar me vendin tonë. Prej shumë e shumë vitesh, Giannin e kanë ndërlidhur punët me Shqipërinë, por edhe shumë miq që ai ka bërë këtu. Së fundmi, ai ishte përsëri në Tiranë ku edhe bëri një deklaratë të fortë e të drejtpërdrejtë, në të cilën pak a shumë shprehej se Shqipëria është e zhytur në korupsion dhe krim… Nuk e di pse, por ndërsa lexoja deklaratën e tij, mu krijua përshtypja se sado e fortë të duket ajo, ka gjithësesi romantikën e qytetit ku punon e ndoshta frymezohet Gianni. Venecia është e zhytur. Venezia ka madheshtinë e tmerrit të ndërtesave që ngadhnjejnë e ngrihen mbi ujin e detit, e që madje janë aq të bukura sa të magjepsin. Shqipëria, ta vret imagjinatën. Asgjë nuk qëndron përmbi, këtu. Kur dikush e sheh këtë vend të zhytur bën 2 gabime bazë por të fanepsura prej dëshirës së mirë. Së pari me zhytje, lënë të kuptohet se ose ka një vullnet nga vetë vendi për tu kredhur, ose forcat madhore e kanë ndëshkuar. Së dyti, me zhytje nënkuptojnë edhe daljen përmbi. Nuk ka zhytje pa kredhje, e nuk ka kredhje pa dalje përmbi. Këtë mund ta klasifikojmë edhe si inkurajim. Por jo. Askush që flet për zhytje, madje as vetë Gianni, nuk kanë të drejtë. Shqipëria është e mbytur nga krimi dhe korupsioni. Kjo është e vërteta e hidhur dhe dëshpëruese. E kanë mbytur pa pikën e mëshirës ata që e kanë qeverisur në 105 vjet shtet shqiptar. Ata që kanë qenë në krye të punëve të këtij vendi, kanë patur gjithmonë vesin, mendjengushtësinë dhe shpirtligësinë e bërjes plaçkë dhe grumbullimit të sa më shumë pushteteve pranë e rreth vetes. Kur nuk u ka mjaftuar shteti, janë shitur tek të huajt, kur nuk u kanë mjaftuar as të huajt, janë shitur tek krimi dhe mafia. S’kanë lënë gjë pa bërë për të qenë në pushtet a me pushtete. Shteti për ta ka qenë pllaja a shpella e çetës së komitëve, prej ngaku bënin planet e plaçkitjes, e ku fshiheshin që të mos kapeshin. Shteti nuk ka qenë kurrë për këta, një ide e madhe, një vizion, një pasion e ideal për të cilin mund të sakrifikohet e mira personale e madje edhe vetja. Jo. Shtetin dhe pushtetet i kanë parë si hapësira dhe vegla perversitetesh dhe nginjesh personale. Prandaj edhe e kanë mbytur këtë vend. Sepse i mbytur u vlen si relike, si ekzotikë, si strehë piraterie moderne. Janë aty si varkëtarët që edhe për ta çuar vendin e tyre në Hades, i kërkojnë dy monedhat në sytë e mbyllur dhe fytyrën e pafrymë. E kanë mbytur këtë vend këta, I dashur Gianni. E kanë mbytur dhe janë kujdesur tia lidhin trupin me tonelata kanabis që të mos ketë kurrë fuqi e mundësi të dalë mbi ujë. Janë kujdesur që gjymtyrët tia lidhin me gurë të rëndë krimi dhe hajnie, ndërsa si kostum përcjellje i kanë veshur një tufë me kaqola, kokëboshë, trutharë, trushplarë e batakçinj të cilët i kanë bërë deputetë e ofiqarë. Të merituarve u kanë lënë si shans ose heshtjen e dorëzimin, ose sikterisjen nga ky vend. Të zotëve, të talentuarve, të ndershmëve, njerëzve me integritet u kanë lënë si shpresë vetëm muajin tetor të çdo viti, kur vjen koha e aplikimit për llotarinë amerikane. Nuk ka vetting e Reformë në Drejtësi që e nxjerr mbi ujë këtë vend të mbytur në krim, hajni e batërdi. Vetëm një mrekulli nga Qiejt ose një rijetësim i trupit të vendit nga një revolucion i ndritur, nga një Zgjim i Madh Kombëtar, mund të na nxjerrë përmbi. Përndryshe, vendin e mbytur do ta braktisim të gjithë. Me keqardhje mik por kështu e mendoj.