Gerta Meta: Sfida e KQZ-së, parandalimi i veprimtarisë që ndikon në zgjedhje

Gerta Meta: Sfida e KQZ-së, parandalimi i veprimtarisë që ndikon në zgjedhje

316
0

Përfaqësuesja e Shoqates per Kulture Demokratike pjese e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, Gerta Meta, ka folur në studion e “Ditari” në A2 CNN në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, risitë dhe sfidat e KQZ-së.

Sipas Metës, sfida kryesore e KQZ-së, përpos votës së emigrantëve, identifikimit biometrik dhe votimit elektronik është edhe parandalimi i veprimtarisë së qeverisë që ndikon direkt te votuesi në zgjedhje. Për këtë, KQZ-ja ka detyruar institucionet që brenda 5 ditëve të deklarojnë veprimtarinë  e tyre.

“Ka një risi dhe po punohet. Është miratuar projektvendimi, që është sfida e parandalimit të veprimtarisë që ndikon drejtpërdrejt në natyrën e votuesve në zgjedhje. Të gjitha mazhorancat e kanë përdorur administratën dhe asetet shtetërore për zgjedhje. KQZ ka detyruar institucionet që brenda 5 ditëve të deklarojnë aktivitetet e tyre dhe do jetë KQZ që do t’i  lejojë ose jo. Mazhoranca aktuale nuk themi që nuk është në dijeni, por mosdakordësia për të ngatërruar gjërat se qeveria po bën punën e saj për të thënë se ne nuk mund të braktisim veprimtarinë e qeverisë”.

Meta nxit të gjithë aktorët, dhe jo vetëm opozitën, që të denoncojnë sa më shumë raste për të ndihmuar KQZ-në dhe Komisionerin Shtetëror që qeveria të tregohet e përgjegjshme. Sipas saj, institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, por duhet të ndalojë propaganda e qeverisë në emër të procesit zgjedhor.

“Kompromiset, forcat politike i gjejnë, dhe KQZ e ka marrë përsipër për të qenë e drejtë dhe transparente. Të gjithë aktorët dhe qytetarët janë të lirë, jo vetëm opozita duhet të bëjë kallëzime, për të ndihmuar KQZ e Komisionerin Shtetëror për të denoncuar raste sa më shumë, që edhe qeveria të jetë më e matur dhe e përgjegjshme. Ne nuk jemi kundër që qeveria të bëjë punën e saj, por publiciteti shfrytëzohet më shumë në kohë zgjedhjesh nuk ka sens që kryeministri të kthehet në tapivënës. Institucioni i legalizimeve le të punojë, por nuk ka pse kryeministri të kthehet në tapivënës. Të ndalojë propaganda e qeverisë duke luajtur në emër të procesit zgjedhor. Kjo është pozitive dhe qeveria, kabineti duhet ta kuptojnë. Është një risi. Është shqetësuese që në kamera media është kryeministri, Kryetari i Bashkisë dhe kabineti qeveritar dhe nuk duhet të abuzohet me pushtetin e dhënë nga qytetarët”.

Meta u ndal edhe te vonesat në publikimin e kandidatëve. Sipas saj, ka pikëpyetje të mëdha në lidhje me transparencën e përzgjedhjes së tyre, përveç filtrit të dekriminalizimit. Përgjegjësia thotë nuk është vetëm personale, por edhe e partisë dhe kryetarit që bën listën.

“Qytetarët duan programe e vizion të subjekteve elektorale dhe ajo që është e rëndësishme çfarë do të ndodhë me kandidatët?  Ata janë një nga pikëpyetjet më të mëdha. Publikimi i kandidaturave i vonuar. Pati propagandë me lojën që partitë dhe karshillëkun që i bënin njëri-tjetrin dhe përzgjedhjet e kandidatëve dhe sot nuk flet asnjë njeri nuk dimë ç’ndodhi, me filtrin e opozitës apo të mazhorancës, cila do të jetë transparenca e përzgjedhjes dhe çfarë CV e risish do të sjellin këta kandidatë për ta merituar këtë, nuk kemi asnjë filtër të publikuar përveç dekriminalizimit. Përgjegjësia duhet të jetë personale, por edhe partia e lideri i saj që bën listën e mbyllur”.

Meta u bëri apel qytetarëve që të kontrollojnë emrat e tyre, në listë për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës.

“Në janar del ekstrakti i parë, në shkurt i dyti dhe më 16 mars është ekstrakti i fundit te lista e votuesve. Qytetarët t’i drejtohen njësive administrative, të kërkojnë emrin në listë, se është e vetmja alternativë për të ushtruar të drejtën e votimit.”