“Fol me veten”! Klodiana Lala debaton ashpër me Lleshajn: Do më trokasin...

“Fol me veten”! Klodiana Lala debaton ashpër me Lleshajn: Do më trokasin 20 policë në shtëpi! Ministri: Ja kush është subjekt i “Anti-KÇK”

441
0

Paketa anti-KÇK, e prezantuar sot nga qeveria, është bërë temë debati në emisionin “Real Story”, në News24. Gazetarja Klodiana Lala është përplasur me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, lidhur me funksionimin e kësaj pakete. Gazetarja Lala këmbëngul se kjo paketë shkel të drejtat e qytetarëve, por për ministrin vendimet përfundimtare do të merren gjithmonë nga gjykata.

Lala tha se me këtë paketë policia mund të shkojë në çdo rast të trokasë në derën e saj e të kërkojë të bëjë kontroll, por ministri sqaroi se kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë, pasi subjekt të kësaj pakete janë personat e dënuar ose të akuzuar për një vepër penale, kryesisht krim, drogë, trafiqe dhe terrorizëm.

 

Pjesë nga debati:

Lala: Janë aq shumë pikëpyetje në këtë ligj

Lleshaj: Meraku i Lalës mesa kuptova është …

Lala: I shqiptarëve z.ministër

Lleshaj: U bëmë të gjithë zëdhënës të popullit … Për çdo masë administrative që i është dhënë apo do i jepet Policisë së Shtetit do të ketë një procedurë vleftësimi të saj nga gjykata. Pra, asnjë masë e prokurorisë nuk është definitive. Fjalën e fundit do ta ketë sistemi gjyqësor.

 

Lala: Krimi i organizuar nuk luftohet me masa administrative, por duke siguruar prova e duke i çuar pas hekurave, më pas nis sekuestrimi, konfiskimi i pasurive. Problemi është se këtu nuk funksionojnë hallkat. Mua më vijnë 20 policë e më trokasin në shtëpi, më thonë ‘do bëjmë kontroll’.

Lleshaj: Ty s’të vjen askush. Kij pak respekt edhe për mua, edhe për ty. Nuk vjen kush të trokasë te ty.

Lala: Vjen.

Lleshaj: Ke tërësisht gjënë e gabuar në dorë, duhet ta heqësh.

Lala: Duhet ta hiqni ju.

 

Lleshaj: Për sa kohë nuk keni bërë një krim të rëndë, kurrë nuk mund të vijë policia në emër të këtij ligji te dera jote. Subjekt të këtij ligji janë persona të dënuar ose të akuzuar zyrtarisht. Jo të gjithë kriminelët e mundshëm të vendit janë subjekt i ligjit. Kryesisht janë krimet, trafiqet, droga dhe terrorizmi. Ligji fotografon situatën sot dhe nga sot e në të shkuarën janë subjekt i hetimit. Ndaj këtyre personave ka dorë më të lirë policia për t’u marrë me ta. Masë kryesore është sekuestrimi i pasurisë, ne duam ta shkatërrojmë këtë biznes, sepse krimi i organizuar është biznes. Duhet të shkatërrojmë biznesin kriminal, që punon për të siguruar të ardhura. ndonëse i gjithë krimi është i fshehtë, ka një gjë që është e dukshme: pasuria, në makina, vila …Këtë model biznesi ne duam ta shkatërrojmë, duke i dhënë mundësi policisë ta sekuestrojë në çast.

 

Lala: A nuk është kjo shkelje e të drejtave të njeriut?

Lleshaj: Nuk është.

Lala: Ma argumento. Z. ministër po flasim për Policinë e Shtetit.

Lleshaj: Pashë Zotin lëre folklorin.

Lala: Me këtë politikë ju po cenoni të drejtat e qytetarëve.

 

Lleshaj: Çfarë shqetësimi ke. Mirë vazhdo fol me veten.

Lala: Nëse nuk ke argument, mos fyeni.

Lleshaj: Nuk pranoj produktin.

Lala: Ju e keni sjellë.

Lleshaj: policia do marrë të drejtën të sekuestrojë makinën e dikujt që është dënuar më parë. Do i thotë ‘ik në gjykatë dhe provoje që e ke blerë’. Nëse policia ka gabuar, do detyrohet ta dëmshpërblejë. Për çdo veprim përfundimtar është gjykata ajo që vendos.