Në vizitën e tij të parë në Bruksel, të premten, presidenti amerikan, Donald Trump është i shumëpritur nga krerët e Bashkimit Evropian, për të cilën deklaratat e papritura të miliarderit kanë krijuar atmosfera të ftohta dhe të nxehta muajt e fundit. Trump, i cili e ka cilësuar Belgjikën si “qytet të mrekullueshëm” dhe Brukselin si “vrimë miu” gjatë fushatës së tij, do të takohet aty me presidentët e Komisionit dhe Këshillit evropian, Jean Claude Juncker dhe Donald Tusk. Sigurisht që në këtë takim çështjet që SHBA dhe BE përplasen janë të shumta.
Brexit
Gjërat filluan me këmbën e keqe. Disa ditë pas marrjes së funksioneve, Trump kishte mbajtur deklarata që bënë shumë zhurmë në krahun tjetër të Atlantikut. “Edhe vende të tjera do të dalin nga BE-ja duke ndjekur shembullin e Londrës dhe të Brexit”, kishte parashikuar ai. Më pas ai ishte vetëkorigjuar, duke përgëzuar evropianët për mënyrën e menaxhimit të Brexit. “Kam menduar se kur ndodhi kjo, se edhe vende të tjera do të vazhdonin, por vërtetë mendoj se BE-ja është duke e rimarrë veten”, kishte theksuar ai. Megjithatë në sytë e Trump, “Brexit mbetet një gjë e shkëlqyer për Britaninë e Madhe dhe shumë e mirë për BE-në”.
Kompjuterat në fluturim
Kjo është çështja e fundit në kohë që BE dhe SHBA përplasen. Ndalimi i parashikuar nga SHBA-ja për kompjuterat laptop dhe tabletave në bord të avionëve që vijnë nga Evropa ka shkaktuar shumë reagime. Përgjegjësit evropianë i janë kundërvënë hapur kësaj mase. Kjo çështje është ende në tavolinë bisedimesh mes dy palëve.
Tregtia
Presidenti amerikan i kërkoi administratës së tij të shënojnë vendet përgjegjëse për deficitin tregtar të SHBA-së. Ku shënjestrat kryesore, sipas këshillave të sekretarit të Tregtisë, janë Kina, Japonia, Gjermania dhe Franca. Brukseli reagoi duke i dërguar një letër administratës Trump se në çështje tregtie, BE-ja duhet të konsiderohet si një bllok i vetëm. Ndërsa për sa i përket marrëveshjes së tregtisë së lirë që negociohet që prej vitit 2013 mes Brukselit dhe Uashingtonit (TTIP) ndodhet në një pikë të vdekur.
Konkurenca
Duke dënuar “Apple”, në fund të gushtit 2016, që t’i paguajë Irlandës 13 miliardë euro, Komisioni ka tronditur Uashingtonin, që e kishte paralajmëruar kundër sjelljeve të njëanshme në dosiet fiskale. “Facebook” u dënua më 16 maj me 110 milionë euro për dhënien e informacioneve të pasakta mbi blerjen e aplikacionit “WhatsApp”. Ndërsa shumë kompani të tjera të mëdha si “Amazon”, “Google” apo “McDonald’s” vazhdojnë të jenë nën hetim dhe vendosja e një dënimi tjetër mund të rikthejë tensionet Bruksel-Uashington.
Vizat
Parlamenti Evropian kishte kërkuar në fillim të marsit për të rishikuar heqjen e vizave që i është dhënë qytetarëve amerikanë qëndrimet afat shkurtra në BE. Kjo është një përgjigje ndaj refuzimit të Uashingtonit për të garantuar reciprocitetin për shtetasit e pesë vendeve të BE-së (Bullgari, Kroaci, Qipro, Poloni dhe Rumani). Por aktualisht Komisioni është duke privilegjuar diskutimin diplomatik për këtë çështje. Me shpresën se do ta bindë Ushingtonin ashtu si ka bërë me Kanadanë.
Klima
Hezitimet e administratës Trump mbi marrëveshjen e Parisit për luftën kundër ngrohjes klimatike kanë shtyrë Evropën të reagojë mbi këtë çështje. Vullneti i presidentit amerikan për të ndërprerë luftën kundër karbonit ka shkaktuar shqetësime në Evropë.