Lajme

Fiori Dardha kundër Top Channel. “Ja kontrata skandaloze që më largoi nga ekrani i Fiks Fare”

By Vizion

September 22, 2016

Ish moderatorja e Fiks Fare duket se është një prej personave të larguar në operacionin “fshesa” që ka përfshirë Top Channel në këtë fillim sezoni.

Një lojë klanesh apo probleme financiare të gjigandit mediatik? Burimet brenda Top Channel i konfirmojnë të dyja, ku e dyta duket se është akoma më problem se e para.

Gjatë ditës së sotme kryeredaktori të lajmeve Mentor Kikia që u bë “kokë turku” e emocioneve të drejtorit të informacionit Sokol Balla, i cili gjithë inatin e tij kundër “xhaxhit” (siç njihej ndryshe Kikia në TCH) e nxorri duke u kapur me Facebook-un e këtij të fundit.

E mesa duket Fiori Dardha është “firoja” e rradhës e një ekrani që po tretet çdo ditë e më shumë. “Mua nuk më çudisin këto mënyrat e largimit nga puna (verbalisht ose vetëm me një mesazh)”- e nis kështu reagimin e saj Dardha, ndërsa sqaron edhe mënyrën sesi ajo nuk është më pjesë e Top Channel.

Fjala është për disa pika të kontratës që Fiori Dardha firmosi 2 vjet më parë kur zëvendësoi Saimir Kodrën në krah të Doktorrit në Fiks Fare, e që për gazetaren janë ato rreshtat me shkronja të vogla që duhet  ti lexosh me kujdes nëse një ditë nuk do ta shohësh veten pa punë e të mos kesh as mundësi ligjore të mbrohesh.

“Mund ta marrësh vesh që nuk je më në punë edhe fare rastesisht, në formë thashethemi (në urban, lokal, rrugë).  Nëse je person publik konsiderohesh me fat nëse e mëson lajmin pak para portaleve, ose publikimit në gazetë. Në këtë vend nuk njihen procedurat e kur s’i njeh, nuk ke si i respekton. Janë të rrallë punëdhënësit që ndërtojnë marrëdhënie njerëzore me punëmarresit e tyre, ndaj e vetmja gjë që mund të të shpëtoje kur mëson se do të të largojnë nga puna eshte kontrata”- shkruan në profiling e saj Fiori Dardha.

Postimin e saj, moderatorja e njohur e mbyll me këshillën “Jeta duhet të na mësoje që ta lexojmë mire atë dreq kontrate përpara se ta firmosim, mos të shohim vetëm pagën”.