Fare papritur dëgjoj fëmijët që përdorin fjalë vulgare, të cilat personalisht kërkoj t’ua shmang nga fjalori i shtëpisë dhe në veçanti t’i dëgjoj nga goja e tyre! Pasi i pyes se ku i kishin mësuar ato fjalë, përgjigjja më habiti akoma më shumë…!
Në televizor! – më tha vajza vetëm katër vjeçe, duke treguar me gisht ekranin e vogël! Besoj se edhe lexuesit tonë, si mua në momente të ngjashme i vijnë në mend programet e humorit, të cilat kanë padyshim një fjalor vulgar dhe shprehje banale, të cilat bëjnë më kollaj telespektatorët për të qeshur! Ky fenomen i diskutueshëm ndjehet më i pranishëm në programet popullore të humorit si “Portokalli”, “Kalifornia Tv Klan” ku fjalori që mbizotëron, padyshim është vulgar dhe banal, por në fund e pranoj që bën për të qeshur shumicën e popullsisë! Në fakt, edhe tek këto dy programe që sapo përmendëm etika dhe gjuha e përdorur nuk është e njëjtë! Është e vërtetë që shumicës së thjeshtë nuk i pëlqejnë gjërat që të lodhin trurin, gjërat që kërkojnë thellësi analize, gjërat që përmbajnë esencë cilësore, por kjo nuk do të thotë që pakica, kryesisht elita e shoqërisë duhet të vihet në nivelin e shumicës dhe të bëhet si ajo!
Shumica është e prirur të pëlqejë dhe ndjekë gjërat e thjeshta: telenovelat, turbo-folkun, tabloidet, sepse perceptimi i tyre deri në atë pikë arrin, por kjo nuk duhet të bëj që elita e shoqërisë në të cilën pas shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve bën pjesë edhe grupi i gazetarëve, të mos gjejë gjuhën e nevojshme të përcjellë mesazhe esenciale deri tek shumica.
Eksperiencat e shkuara televizive të humorit…
Kujtojmë këtu që gjatë viteve të diktaturës kishte shfaqje të mira humori, të cilat pavarësisht propagandës komuniste që përcillnin, kishin edhe nivel artistikor të pëlqyeshëm dhe humori nuk mungonte!
Padyshim që nuk po kërkoj të kthehemi aty ku kemi qenë nga pikëpamja politike, por nga ajo kulturore dhe profesionale, të shkruarit e humorit, ashtu edhe të interpretuarit, dhe padyshim etika e përdorur, sigurisht që mund të merren si eksperienca të nevojshme.
Unë nuk pretendoj që fjalori i ekranit të jetë puritan si dikur në diktaturë, por emancipues mund të jetë dhe një etikë të nevojshme duhet ta respektojë! Kur të ftohet në studio kushdo, atij apo asaj, i duhet imponuar si tema ashtu edhe mënyra e të diskutuarit, pse jo edhe të qëndruarit në studio.
Padyshim që nuk mungojnë edhe programet mjaft pozitive dhe kronikat profesionale, të cilat sjellin në vëmendjen publike nevojat sociale dhe kulturore të shoqërisë sonë në zhvillim dhe sigurisht problematikën e tyre, por kjo me sa duket nuk mjafton!
Personalisht besoj se mundësia e transmetimit të mesazhit elitar drejt shumicës nuk është e pamundur. Format janë nga më të ndryshmet, por me efektivet janë formatet e emisioneve popullore, tek të cilët gjithsecili ka mundësi të marrë pjesë!
Në eksperiencën modeste që kam pasur në ekranin e “GjeliVizion” në emisionin divulgativ “Anketa Jonë”, ne NTV “Forum Sondazh” me qytetarë të të gjitha kategorive sociale, ne kemi pasur mundësi të diskutojmë edhe për Faik Konicën dhe veprën e tij, e cila mbetet nga më kritiket për shoqërinë shqiptare problematike.
Fjalori i përditshëm i gjuhës së folur…
Jam i ndërgjegjshëm që fjalori i fëmijëve të mi do të përmbajë në erudicionin e tij edhe fjalë banale, por kjo duhet të ndodhë në një moment që duhet të përkojë me një moshë të caktuar.
Ndryshe, besoj se do të jetë pjesë, e cila influencon në një formim të pakontrolluar të fëmijës dhe pjesë e shijeve të tij psiko-emocionale të pandreqshme. Si prind kërkoj që fëmijëve të mi t’u jap një kulturë pozitiviste! Në ditët e sotme, këtë gjë na duhet ta bëjmë së bashku me mjetet e shumta të komunikimit, kryesisht televizionit si mjeti më divulgativ!
Në opinionin tim modest kjo përgjegjësi kulturore mungon në hartimin e programacioneve të ekranit të vogël, i cili padyshim që ka vështirësi për të mbushur kohën e caktuar televizive të përcaktuar nga ligji përkatës.
Por nëse i referohemi po të njëjtit ligj, ai parimisht detyron për përcjellje emancipimi kulturor dhe socio-shpirtëror të gjitha mjetet e komunikimit masiv. Por përtej ligjit, si detyrim moral dhe kulturor, si moderatorët ashtu edhe pjesëmarrësit, të cilët pranojnë të bashkëpunojnë me ekranin, duhet padyshim të ruajnë një etike mesatare ndërsa komunikojnë me publikun.
Për këtë mungesë të etikës padyshim që edhe institucionet shtetërore përkatëse do të duhet të reagojnë, duke u kërkuar televizioneve, radiove, shtypit, përmbushjen e stafeve të tyre me njerëz profesionalë të fushës që kjo situatë të krijojë ekuilibrin e saj të nevojshëm social kulturor…