Falsifikoi formularë, 9 muaj burg për gjyqtarin Admir Thanza

Falsifikoi formularë, 9 muaj burg për gjyqtarin Admir Thanza

394
0

Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor ish gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza. Thanza u dënua me 9 muaj burg për ‘Falsifikim të formularëve”. Ish gjyqtari Admir Thanza nuk do të vuajë dënimin në qeli. Gjykata vendosi 18 muaj në Shërbim Prove për gjyqtarin Thanza.

 

Ndaj ish-gjyqtarit të karrierës i nxjerrë përfundimisht jashtë radhëve të sistemit me vendim të institucioneve të Vettingut, rëndonte akuza e falsifikimit të formularëve, përderisa ai nuk deklaroi një dënim të marrë në Itali 20 vite më parë.

 

 

 

Rekordi kriminal për ish-anëtarin e gjykatës Kushtetuese u zbulua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në kuadër të procesit të vettingut, fakt që tronditi edhe shumë prej njerëzve të drejtësisë. Kryesisht, prokuroria e Tiranës nisi hetimet për rastin në fjalë duke marrë të pandehur Thanzën. Në seancën e së premtes, prokurori Gentian Habazaj teksa lexoi pretencën, tha se nga letërporosia e mbërritur nga autoritetet italiane, rezulton e provuar se Admir Thanza është dënuar me 2 muaj burgim dhe 150 mijë lireta gjobë për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Ky dënim është pezulluar më pas. Referuar vendimit italian, Thanza akuzohet se në San Guiliano Terme në bashkëpunim me dy persona të tjerë, E.A dhe A.Th me qëllim përfitimin material mori rroba dhe produkte kozmetike në supermarketin ‘Continente’.

 

Njeriu që ngjiti të gjitha shkallet e karrierës në drejtësi, e ka pranuar faktin se është dënuar nga drejtësia italiane, por në interpretim të ligjit, ai thotë se nuk e ka patur detyrim ta deklaronte këtë rekord, për sa kohë nuk ishte një dënim penal.