Falja e gjobave të pandemisë/ Si do të kthehen paratë dhe patentat....

Falja e gjobave të pandemisë/ Si do të kthehen paratë dhe patentat. Ja efektet në buxhetin e shtetit

52
0

Efektet vendimit për faljen e gjobave gjatë pandemisë do të përballohen nga institucionet përgjegjëse që kanë vjelë gjobat, shuma e të cilave, sipas numrit 2 të financave, Vasilika Vjero, nuk do të cenojë shumë financat.

“Efektet nuk janë të larta për buxhetin e shtetit, pasi nuk bëhet fjalë për shuma të mëdha gjobash që janë vendosur ndaj subjekteve apo individëve. Brenda datës 30 tetor do të saktësohet i gjithë informacioni dhe gjobat do të kthehen mbrapsht nga institucionet përgjegjëse apo edhe nga thesari i shtetit në llogarinë bankare të individëve apo në llogarinë e subjektit”, ka deklaruar zv.ministrja në një dalje publike.

 

Vendimi per faljen

 

Të gjitha masat drastike gjatë periudhës së pandemisë që kulmuan me nxjerrjen e tankeve në rrugë sot duken krejt të pakuptimta.

 

Madje, edhe vetë qeveria ka kthyer mbrapsht fjalën e saj, duke amnistuar të gjitha gjobat e vendosura në shtatë muaj, përfshi dhe kohën e karantinës. Të mërkurën është zyrtarizuar akti normativ me propozimin e tre ministrave, atij të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ministres së Financave, Anila Denaj, dhe të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, për të amnistuar penalitetet që janë marrë në kuadër të masave kundër përhapjes së virusit. Kështu, “të pabindurve” të ndëshkuar nga autoritetet qendrore dhe vendore do t’iu kthehen paratë, patentat dhe makinat.

 

AMNISTIA E COVID

 

Bashkë me faljen e ndëshkimit të atyre që thyen rregullat gjatë kohës kur qeveria përpiqej të kufizonte përhapjen e covid përfitojnë edhe familjet që u gjobitën pas riparimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti, pa marrë më parë leje nga bashkia. “Falen të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues të vendosura nga autoritetet shtetërore përkatëse për shkeljen e rregullave apo të akteve ligjore e nënligjore dhe të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin luftimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, nga data 17.4.2020 deri në datën 7.10.2020. Falen të gjitha masat administrative të vendosura nga strukturat e njësive të vetëqeverisjes vendore ndaj familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore, tërmetet e datave 21 shtator dhe 26 nëntor 2019, për shkeljet e konstatuara gjatë kryerjes së punimeve për riparimin/rindërtimin e banesave individuale”

 

SI DO KTHEHEN PARATË

 

Individët që kanë paguar gjobat do të kenë paratë në llogaritë e tyre deri në mes të muajit nëntor. Projektligji parashikon deri në fund të këtij muaji krijimin e një databaze me të ndëshkuarit e masave të COVID, ndërsa si datë limit cakton 15 nëntorin. “Kthimi i shumës së detyrimit të falur, por të paguar, për masat administrative me gjobë, merret nga zëri përkatës i buxhetit të shtetit apo buxhetit të institucionit në të cilin është arkëtuar shuma, me urdhër të nëpunësit të parë autorizues, dhe kalohet në llogarinë bankare të subjektit përfitues ose, në mungesë të saj, kjo shumë i dërgohet institucionit shtetëror që ka vendosur masën me gjobë për t’ia dorëzuar subjektit përfitues.

 

Të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë ushtruar autoritetin e vendosjes së masës administrative me gjobë, duhet të përgatisin listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 tetor 2020. Kthimi i shumave pranë llogarisë bankare të subjektit përfitues apo institucionit shtetëror që ka vendosur masën administrative me gjobë të bëhet brenda datës 15 nëntor 2020″, citohet në projektligj procedura e kthimit të parave, e cila do të detajohet përmes një udhëzimi të posaçëm nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Kjo vlen për gjobat e vendosura nga autoritetet qendrore. Ndërsa sa u takon atyre të pushtetit vendor (bashkive), procedura pritet të miratohet përmes vendimmarrjes që do të kalojë në këshillin bashkiak.

 

KTHIMI I PATENTAVE E MAKINAVE

 

Njëjtë si me paratë e vjela përmes gjobës, do të veprohet edhe me lejet e drejtimit apo makinat e sekuestruara gjatë periudhës së pandemisë.

 

15 nëntori është afati limit për dorëzimin e tyre. “Të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues (përjashtuar ato të parashikuara në nenin 2) të këtij akti normativ, si lejet/licencat dhe mjetet e bllokuara, duhet të kthehen brenda datës 15 nëntor 2020 te subjekti përfitues. Ngarkohen titullarët e secilit prej institucioneve shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, që kanë vendosur masa administrative sipas këtij neni, të nxjerrin udhëzimet përkatëse për përcaktimin e mënyrës së kthimit të detyrimit të falur”, thuhet në projektligj. Kjo është falja e dytë që qeveria ndërmerr për masat administrative të vendosura përgjatë periudhës së masave shtrënguese, ndaj praktikisht mund të thuhet se asnjë individ apo biznes nuk ka marrë masë ndëshkuese si shkelje të masave shtrënguese.

loading...