Faji është i gjeneratës tone/ Nga Martín Caparrós

Faji është i gjeneratës tone/ Nga Martín Caparrós

465
0

Me 29 maj kam mbushur të 60-at. Vazhdojnë të më thonë se nuk është e rëndë, se të 60-at janë 40-shat, 25-shat apo 37-shat e rinj, por e vërteta është se shpesh ndjehen (dhe jetojnë) si plakushët 60 vjeçarë. Kam mbushur të 60-at dhe gjëja më mbush me befasi, me një dyzim që I detyrohet vetëdijes se lojërat kanë mbaruar: do të jetë akoma e mundur të ndryshohet ndonjë detaj, por kryesorja ka përfunduar. Të plakurit është të zbulosh se nuk do të jeshë më tjetër. Në fjalën “mbushur” ka diçka të çuditshme dhe të vrullshme që më vë në siklet. Nuk më duket se kam mbushur shumë, por problemi, këtu dhe tani, nuk janë unë apo personi im: ajo që më vë në siklet është ndjesia se nuk kemi arritur pothuajse asgjë. Them ne, pasi them unë; them unë, pasi them ne: ne argjentinasit, 60 vjeçarët argjentinas, bashkëmoshatarët e mi, gjenerata ime, ata si unë. Ndoshta ka ardhur momenti të pyesim veten se si, kur, por edhe çfarë dhe pse; përmbledhtazi, ka ardhur momenti që të fillojmë të marrim përsipër përgjegjësitë tona. Të përkufizosh një gjeneratë është e vështirë, është një process kapriçoz, i pasaktë. Atëhere, sa për të vendosur një kriter, themi: ata që kanë arritur pak më përpara dhe pak më prapa meje, ata që kanë pasur 20 vjeç në Argjentinën e viteve ’60 e ‘70. Në atë kohë, Gjenerali Perón fliste për “këtë rini të mrekullueshme” dhe tani është e lehtë të mendohet se qemë të gjithë të rinj të shqetësuar, të preokupuar për fatin e atdheut, të gatshëm që të jetonim (dhe të vdisnim) për të. Është përhapur një mit: nëqoftëse flas për gjeneratën time, shumë mendojnë për militantët, të vdekurit, për desaparecidos-at dhe për të torturuarit. Ka pasur të tillë, pork a pasur edhe shumë të tjerë akoma që nuk kanë bërë apo nuk kanë pësuar asgjë nga e gjitha kjo. Pa kërkuar shumë larg, ata që na qeverisin sot janë pjesë e gjeneratës time dhe nuk kanë bërë asgjë nga këto. Ato ditë po përgatiteshin – Mauricio Macri, Daniel Scioli, Cristina Fernández, Elisa Carrió dhe plot të njohur të tjerë – që të fitonin më shumë para. Dhe miliona njerëz i shikonin pa ditur se çfarë të thonin, ekzaltoheshin prej golave të Mario Kempes apo këndonin nën zë këngët e Spinetta. Kurse atyre prej nesh që u impenjuan u është dhënë – dhe u jepet akoma – një rëndësi e tepruar. Është e vërtetë se historia nuk është bërë nga mijëra njerëzit që me 25 maj 1810 qëndruan nëpër shtëpira, por nga ata 200 apo 300 që dolën në shesh. Ata që përkufizojnë një gjeneratë janë të paktit që veprojnë dhe jo të shumtit që nuk veprojnë? Ka mundësi të jetë kështu dhe për të gjithë të tjerët është e lehtë. Gjithsesi, miti ka një qëllim të tijin. Për shembull, një truk i lehtë: të flasësh për atë që disa prej nesh nuk bënë në vitet ’70 është një mënyrë për të mos folur për atë që kemi bërë të gjithë në në 40 vitet e mëpasme. E megjithatë dua të filloj pikërisht nga aty: qenë vite, si të gjithë, të çuditshëm. I filluam jetët tona në një mënyrë konvulse, plot me shpresa: gjithçka duhej të ndryshonte, gjithçka po ndryshonte. Çdo i ri, pakashumë për mirë, e dinte se ai rend shoqëror ishte i padrejtë dhe se një tjetër duhej ta zëvendësonte: problem nuk ishte se shoqëria duhej të ndryshonte apo jo, por si, me çfarë mjetesh, në çfarë drejtimi. Në mënyra të ndryshme, e provuam shumë. Humbëm. Humbëm brutalisht, por e provuam. Ajo Argjentinë ishte plot me turpe. E drejtonin gjeneralë të gatshëm të ndërhynon kundër çfarëdo gjëje që kërcënonte pushtetin e një borgjezie të pasur, me fushat e mëdha dhe me industritë e mesme të saj, që shfrytëzonin punëtorë e fshatarë, që bëhej aleate me perandoritë kundër kolonive, që e kontrollonte vendin dhe shtetin në favorin e saj. me të drejtë, vendosëm që të luftonim kundër këtij sistemi. Por në 1970 argjentinasit nën pragun e varfërisë qenë 1 në 30 dhe sot janë 1 në 3: 10 herë më shumë. Në atë kohë të gjithë mendonin se varfëria ishte një gjendje e përkohshme në pritje të një situate më të mirë, e një vendi punë në një fabrikë për të pasur një shtëpi, për të dërguar fëmijët në shkollë, për të fituar pak më shumë, për të qenë i shfrytëzuar më mirë, për të “përparuar”.

 

Miti i mobilitetit social vazhdonte të dominonte. Ishte një vend me një klasë të mesme të gjerë dhe pakashumë të arsimuar që na bënte të dëshpëroheshim: një pengesë për çfarëdo tentative ndryshimi revolucionar. Një klasë e mesme që formohej në shkollën publike, e menduar si një instrument për të homogjenizuar shoqërinë dhe hedhur bazat e përbashkëta, ku mësonim të gjithë se nuk qemë shumë të pasur, shumë të zellshëm apo shumë budallenj. Veçantia argjentinase qëndronte në shkollat shtetërore të saj: privatja kishte qenë gjithmonë një karakteristikë e shoqërisë latinoamerikane. Kurse Argjentina ishte vendi i publikes. Nuk është më. 50 vite më parë, vetëm 1 argjentinas në 10 frekuentonte shkollë private; sot janë 3 në 10. Është një tjetër e dhënë vendimtare. Disa prej nesh donin ta ndryshonin atë vend, të tjerë jo. Bashkë e kemi ndryshuar për keq. Jemi gjenerata e rënies. Tani, 50 vite më vontë, 1/3 e popullsisë më të varfër është ngrirë: jeton në varfëri, në shtëpi të përkohshme, me një punë ilegale apo pa asnjë punë, e varur nga shteti dhe nga lëmosha e tij. Është krejtësisht jashtë sistemi dhe nuk ka shpresa që të rifutet: jeton e ekspozuar ndaj ndryshimeve të papritura. Nuk ka të ardhme dhe tendencialisht tek e ardhmja nuk beson askush.

 

50 vite më parë, e ardhura për frymë argjentinase ishte sa gjysma e asaj së Shteteve të Bashkuara, kurse sot është më pak se çereku. 50 vite më para, inflacioni 10% konsiderohej si rrezik, kurse sot do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Dhe nuk e kemi arritur kurrë. 50 vite më parë, Argjentina kishte 40000 kilometra hekurudha që bashkonin vendin, kurse sot nuk ka as 4000 dhe pjesa më e madhe është jashtë përdorimit. 50 vite më parë, Argjentina mbante veten për sa i përket naftës, gazit dhe elektricitetit, kurse sot hyn në borxh për t’i importuar. 50 vite më parë, Argjentina projektonte e prodhonte avionë e makina, sot bilanci i pagesave është në të kuqe prej blerjes dhe asemblimit të pjesëve të këmbimit. 50 vite më parë, spitalet publike trajtonin pjesën më të madhe të popullsisë, kurse sot kurojnë vetëm ata që nuk kanë zgjedhje tjetër. 50 vite më parë luheshin ndeshje futbolli dhe tifozeritë ulërisinin gjëra të ndryshme, kurse sot të vendosësh dy tifozeri në të njëjtin stadium është rrezik. 50 vite më parë nuk flisnim për pasiguri, kurse sot flasim vetëm për të. 50 vite më parë, kriminelët që aq të rrallë sa përbënin lajm për gazetat, kurse sot janë aq shumë sa nuk përbëjnë më as lajm. 50 vite më parë, politikanët argjentinas qenë personazhë të paaftë që të vendosnin një çerek ideje pas tjetrës, njëlloj edhe sot. 50 vite më parë besonin se Argjentina ishte vendi së ardhmes, kurse sot pyesim veten se pse i thonim ato budallallëqe.

 

Nuk janë vetë të dhënat; gjëja më e keqe është se jeta e përditshme është bërë çdo ditë jokomode, me më shumë përplasje sesa takime, më shumë pakënaqësi sesa kënaqësi, më shumë mosdurim e pafuqishmëri sesa gëzime dhe kënaqësi. Kemi arritur edhe një nivel të rrallë dhune të përditshme. Jo prej rrëmbimeve apo rrahjeve, por prej raporteve midis njerëzve, plot me keqtrajtime, fyerje, urrejtje dhe mëri. E thënë kështu duket si biudallallëk, por në botë ka vende ku njerëzit në rrugë qeshin, trajtohen sikur të mos urreheshin. Neve jetesa shpesh na duket si betejë. Sepse e kemi bërë jetën betejë. 6 muaj më parë një familje refugjatësh nga Alepi, qyteti sirian i shkatërruar nga lufta, ka ardhur në Córdoba, qyteti i dytë argjentinas. Qenë 4 persona: një baba invalid, gruaja, dy vajzat. U kishin premtuar një shtëpi, ndihma, një punë, por në realitet asgjë. Gjithçka për ta ishte e shtrenjtë dhe e vështirë. Më pas i kanë vjedhur. Disa ditë më parë janë kthyer në Alep: “Këtu hidhen bomba, por nuk ekziston gjithë ajo pasiguri dhe jeta është shumë më ekonomike”, ka thënë pater familias sirian). Është e qartë se Argjentina ka zbritur në nivele të paimagjinueshme. E dijmë. Ajo që nuk duam të dimë është se kemi qenë ne. Disa javë më parë, në Bruksel, ish presidentja Cristina Fernández ka thënë se partia e saj i ka humbur zgjedhjet sepse “sot shoqëria nuk është në gjendje të kuptojë atë që ndodh duke shkuar përtej lajmeve. Në gjeneratën time dinim të dallonin atë që na tregohej nga ajo që po ndodhte, pasi qemë arsimuar nga një pikëpamje intelektuale”. Ka qenë gjenerata jonë – e jotja, e imja, ajo kaq e arsimuar – që e ka bërë këtë Argjentinë. Ka akoma disa prej nesh që kanë pafytyrësinë që t’ua veshin fajet të tjerëve.

 

Është e lehtë të fajësosh të tjerët, është gjithnjë e vështirë të kuptosh fajet e tua. Por nëse ndonjë gjë të dobishme ajo është t’i kërkosh: të kërkosh të mendosh sesi dhe pse Argjentina e sotme është faji ynë. të dish se çfarë kemi bërë për të arritur deri këtu është hapi i parë i pashmangshëm për të kërkuar që të arrihet në tjetër. Unë nuk e di, por kam disa dyshime. Sa për tyë filluar, është preteksti heroik: të vdekurit. Kanë vrarë mijëra njerëz dhe jemi ngushëlluar duke menduar se problemi është se “kanë vrarë më të mirët”. Kemi mbetur ne, të këqinjtë, por faji nuk është i yni, është i atyre vrasësve. As më të mirët, as më të këqinjtë: janë vdekur më joekzistentët, ata me më pak fat, më koherentët, ata me më pak fantazi, më kurajozët, më pak të maturit; ata që qenë në vendin e duhur në momentin e duhur, ata që nuk qenë në vendin e duhur në momentin e duhur. Kanë vrarë shumë prej nesh dhe ka qenë tragjedi. Ama problemi nuk ka qenë mungesa e të vrarëve, ka qenë efekti që ata të vdekur kanë pasur mbi të gjallët. Qenë vdekje pedagogjike: na demonstrojnë se “të qënit realistë dhe kërkimi i së pamundshmes” mund të ketë një çmim aq të lartë sa që qysh atëhere kemi preferuar të mos rriskojmë dhe të pranojmë të mundshmen. Që ishte gjithmonë një katastrofë. Kemi kërkuar t’i përshtatemi: jemi kënaqur nga çdo idiot që na recitonte një varg, i kemi zgjedhur njëri pas tjetrit. Mjaftonin dy apo tri shprehje të goditura dhe një nënqeshje për të na bërë të binin në rrjetet e ndonjë budallai, të cilin pak vite më pas e urrenim me gjithë shpirt. I urrenim, imagjinoj, sepse urrenim vetëveten pse i kishim dashur dhe as nuk kemi dashur, as nuk kemi ditur gjatë këtyre 40 viteve të krijojmë kushtet për t’i propozuar vendit që të diskutojë se çfarë dëshiron të jetë, si dëshiron të jetë, se çfarë mendon të bëjë për ta arritur.

 

Kështu, Argjentina është sot sërish ai hambar që kishte kërkuar të linte prapa krahëve 100 vite më parë, kur disa menduan se nuk mjaftonte të eksportohej mish e grurë dhe vendosën të stimulojnë industrinë. Sot, falë sojës, jemi sërish një truall i madh i mbjellë dhe gëzohemi që mund të shesim ndonjë limon. Ky rikonvertim – ky kthim në të kaluarën – është vendimi më i rëndësishëm i gjithë këtyre viteve dhe nuk kemi folur kurrë, nuk e kemi vendosur vërtet kurrë. Pse ta bëjmë? Ishte demokracia. Pa ide, pa debat, pa mundësi për të ardhmen, në vitet tona, Argjentina është bërë një vend reaksionar: një vend në të cilin çdo qeveri shkakton aq shumë katastrofa sa që qeveria e ardhshme vjen për të rregulluar situatën. Qeveria e Alfonsín ka ardhur për t’i dhënë fund rrjetit vrastar të diktaturës; qeveria e Menem për t’i dhënë fund kaosit ekonomik të hiperinflacionit të Alfonsín; qeveria e de la Rúa për t’i dhënë fund korrupsionit menemist; qeveria e Kirchner për t’i dhënë fund katastrofës neoliberiste antishtetërore menemisto – delaruiste; qeveria e Macri për t’i dhënë fund kaosit të korrupsionit e klientelizmit të kirchnerizmit. Vazhdojmë të ecim kështu: edhe qeveria aktuale po përpiqet. Sepse problemi nis kur përfundon reagimi: sapo nisin të zbatojnë recetat e tyre, qeveritë, me katastrofat e tyre, përgatisin reagimin e radhës. Një vend reaksionar është një vend pa projekte, i bërë dhe i zhbërë me hamendje, një vend karusel: i yni.

 

Përtej maskave politike, jemi të korruptueshëm. Jemi lakmiqarë, plot me dëshira. Na pëlqejnë shumë disa kënaqësi të vogla: televizori më i madh, makina më e shkëlqyeshme, udhëtimi për të ngjallur zili. Dhe ngjitemi mbi çdo karro që na i ofron këto karamele. Nuk na pëlqen më të imagjinojmë afatgjatë, t’i vendosim vetes objektiva, të kërkojmë. Ndoshta pse kemi parë se kur kemi kërkuar nuk e kemi gjetur dhe atëhere nuk kërkojmë më, nuk gjejmë më. Problemi është se jemi bërë një vend qaramanësh jo të dëmshëm: duket se jemi të pamëshirshëm, se jemi plot me nder e krenari të shenjtë që na shtyjnë të refuzojmë gjithçka që nuk i përgjigjet asaj që nuk dihet mirë se çfarë. Por më pas e kalojmë jetën duke pranuar gjithçka. Gjithnjë e më shpesh, qëndrimet anormale na duken normale: na duket normale që shumë njerëz hanë pak, jetojnë keq, vdesin shpejt; që dhuna, verbale apo fizike, është mënyra jonë e të qënit; na duket normale që mashtrohemi. Një muaj më parë, në një stadium futbolli, një djalë ka njohur një burrë, që në timonin e një makine të lëshuar me gjithë shpejtësinë, i kishte vrarë vëllain. I ka thënë diçka: vrasësi, për ta hequr qafe, ka nisur të ulërijë se djalin ishte tifoz i skuadrës kundërshtare dhe ka nisur ta rrahë. I janë bashkuar të tjerë. Emanuel Balbo ka kërkuar të largohet, por nuk ia ka arritur: është rrëzuar, ka vdekur. Tashmë kufomë, i shtrirë palëvizur përdhe, tifozët kanë vazhduar ta shajnë sepse, thoshin ata, ishte tifoz i skuadrës tjetër. Dikush i ka vjedhur atletet. Atëhere 2 apo 3 njerëz kanë thënë se ishte e patolerueshme dhe të gjithë kemo toleruar. Jemi si bretkosa e një historie të vjetër: na kanë futur në një banjë me ujë të vakët, pastaj kanë nisur ta ngrohin ujin dhe, me kalimin e kohës, jemi mësuar të jetojmë në një vend që zien; ose pothuajse ziem, pasi nuk kemi mjaftueshëm gaz. Jemi si bretkosa që është mësuar; në fund të fundit, jemi njerëz që shfryn. Shfryrja, thoshte dikush, shërben vetëm nëse më pas veprohet. Përndryshe, është ofshamë.

 

Ofshama është zakoni më argjentinas. Kemi shfryrë dhe kemi ndërtuar një vend me imazhin dhe të ngjashëm me ofshamën; një vend pre e humorit të keq që ulëret prej zemërimit, por që është aq i kënaqur me veten, aq i mashtruar nga vetëvetja sa që ka mundur t’i besojë një Presidenti kur ka thënë se në Argjentinë kishte më pak varfëri sesa në Gjermani. Një vend që vazhdon të mendojë se e ka një vend në botë. Një vend që nuk do t’i shikojë gjërat siç janë. Maksimumi, na vjen në ndihmë një meritë që nuk na braktis: vazhdojnë të furnizojmë fytyr për bluzat e të gjithë botës. Nëse më parë kanë qenë Ernesto “Che” Guevara apo Eva Perón e më pas Borges apo Maradona, tani është Jorge Bergoglio: sasia e personazheve globale të prodhuara nga Argjentina nuk është proporcionale me rolin e saj në kulturën dhe në ekonominë e botës. Edhe pse në këtë kuptim ka diçka që ndoshta na përkufizon: jemi të mëdhenjtë e maskës. Për shembull, është e vështirë të mohohet se njerëzit e gjeneratës tonë që kanë pasur më shumë sukses janë ata 2 50 vjeçarë që 90% e argjentinasve i ka votuar 1 vitë e gjysmë më parë për t’i komanduar. Është e vështirë të durohet se ata që na qeverisin janë një zotëri që kur flet nuk flet dhe një tjetër që gënjen deri edhe kur hesht, e se “xhevahire” të tjera të vendit janë një ish futbollist dikur i jashtëzakonshëm që sot është bërë një pensionist i trishtuar dhe një muzikant dikur i jashtëzakonshëm që është bërë një pensionist i trishtuar. Mauri, Daniel, Diego, Charly. Jemi mirë me maska dhe, gjithnjë e më shumë, me pensionistë të trishtuar. Jemi shumë mediokër ose, më e pakta: aksionet tona publike janë mediokre, kanë rezultate mediocre. Pas disa vjetësh, librat do të rrëfejnë – gjithmonë nëse do të ketë akoma libra, gjithmonë nëse do të ketë ndonjë vend të quajtur Argjentinë – se e jona ka qenë gjenerata më e dështuar e historisë së vendit. Se kemi qenë ne – nuk do të bëjnë diferencime, do të flasin për të gjithë ne – që e kemi çuar vendin deri në këtë pikë. Dukshëm, gjenerata pas tonës do të mund të na konkurrojë skeptrin, por besoj se do të na njohin meritën që u kemi hapur rrugën. Marka jonë: Argjentina në të cilën kemi filluar të jetojmë ishte shumë më mirë se ajo në të cilën do të përfundojmë për të jetuar.

 

Dikush do të më thotë se është e lehtë të flasësh duke qëndruar larg, se është më mirë që të qëndroj gojëmbyllur (“Mbylle sqepin, trap”, do të më thonë); ma kanë thënë tashmë më shumë se një herë. Nuk e di nëse është e lehtë apo e vështirë: di të sigurtë se largësia është një gjendje e zakonshme për shumë dhe kjo më ngushëllon. Por është e vërtetë se në ato vite shumë prej nesh e lanë Argjentinën: nga ata si unë që e braktisën vendin në 1976 prej terrorit, deri tek e ata që e kanë braktisur në 2002 prej katastrofës. Shpesh kemi përfituar nga fakti që Argjentina ishte një vend i vonshëm, se prindërit apo gjyshërit tanë kishin lindur tjetërkund, për të na treguar se po ktheheshim nga ku kishin arritur ata. Për sa më përket mua, jam shtrënguar që të shkoj në Francë në 1976, jam kthyer entuziast në 1983, jam rilarguar (në Spanjë) në 2013. Herën e fundit ka qenë ndryshe: askush nuk më ka detyruar. Nuk e di mirë se pse jam larguar: i kam thënë vetes se bota ishte tepër e madhe dhe e interesante sa për të refuzuar tundimin e një ndryshimi, por di edhe se ka ndodhur pse më kishte ardhur në grykë. I mërzitur nga një jetë me agresione, me përplasje; i mërzitur nga gënjeshtrat që kishin zënë vendin e debatit, lidhur me të cilin kisha thënë e shkruar tashmë gjithçka që mund të thoja e të shkruaja; i mërzitur, përpara kohe, me faktin se alternative e vetme ndaj atij diskutimi plot me falsitete do të kishte qenë një diskutim i destinuar që të bëhej fals. I mërzitur se dija që nuk ekzistontë rrugëdalje. Kam marrë armë e bagazhe, ja kam mbathur. E ndjej veten edhe përgjegjës: kemi jetuar 40, 50 vite argjentinase dhe nuk kemi lënë asgjë që t’ia vlejn të kujtohet (përveç një vendi përtokë, karuselin e përjetshëm të tij, reagimet e varfëra të tij). Mund të ketë pasur edhe përmirësime, por nuk arrij t’i shoh. Është e vërtetë se, në disa aspekte, jeta është më e lirë se 50 vite më parë, ama shumë prej këtyre lirive, sidomos seksuale, që nuk ekzistonin në atë kohë, kanë ardhur nga kultura të tjera. Ne jemi kufizuar që t’i adoptojmë, bile jo të gjitha: për shembull, aborti mbetet i paligjshëm falë nënshtrimit të autoriteteve tona ndaj autoritarizmit pa autoritet të Kishës katolike dhe pjesa tjetër e ndryshimeve vjen nga teknika të shpikura prej amerikanëve dhe të prodhuara prej kinezëve.

 

Ndërkohë, ne kemi dështuar; është kaq e lehtë të dihet se kemi dështuar. Çfarë mund të bëhet kur gjithçka është kaq e qartë? Të shikohet nga ana tjetër, të kërkonte dikush për t’u fajësuar, të mohohet gjithçka, të fshehim apo deri të bindeni se nuk është edhe aq e rëndë? Asnjë prej këtyre reagimeve nuk shërben për të kërkuar që të rregullohet diçka. Ndoshta ideja se kush ka dështuar mund të rregullojë diçka është një tjetër mënyrë për të ikur, larguar. Ndoshta për ne ka ardhur momenti që të ndjehemi të mundur e të tërhiqemi. T’u lëmë hapësirë të tjerëve që, ka mundësi, do ta bëjnë akoma më keq. Por është e vështirë: askush nuk tërhiqet në moshën 60 vjeçare, 40-shat, 25-shat apo 37-shat e gjysmë të rinj. Atëhere çfarë të bëhet? Të vendosim se do të jemi ndryshe, siç bëhet me qëllimet e mira e fundvitit apo të ditëlindjes? Të vendosim se ndoshta nuk të mund të jemi ndryshe, por se mund të veprojmë ndryshe, të kërkojmë rrugë të tjera? Të vendosim se ia vlen barra qiranë që të lëmë menjanë budallallëk dhe ofshama e të marrim përsipër katastrofën, duke e ditur se e kemi ndërtuar me baltë, duke e ditur se nuk mund të ndërtohet gjë me baltë duke u shtirur se është llaç? Të pranojmë se tashmë e kemi humbur mundësinë tonë dhe se do të jenë të tjerë që do të komandojmë, por se gjithsesi do t’ia vlente barra qiranë të bashkëpunohej sa të ishte e mundur? Të pranojmë se duhet të bashkëpunojmë në një hulumtim rezultatet e të cilit, nëse do të jenë ndonjëherë, nuk do t’i shihnim kurrë? Kemi një vend, e kemi çuar për lesh. Mohimi i këtij fakti është mënyra më e sigurtë për të vazhduar në rrugën tonë. Një vend, pavarësisht gjithçkaje. Ndoshta ia vlen barra qiranë të flasim, të dorëzohemi duke e menduar: të rishpikim.

 

(Martín Caparrós është një gazetar dhe shkrimtar agjentinas. Ky artikull i tij ka dalë në botimin spanjisht të New York Times me titullin “La culpa es de nuestra generación”).