Lajme

FACT CHECKING/ Ndërtimet pas tërmetit, afatet e premtuara nga zyrtarët që nuk u mbajtën për banorët e dëmtuar

By vizional

November 27, 2023

Nga Eglantina Alliaj

 

Më 14 dhjetor 2019, gati tre javë pas tërmetit të 26 nëntorit, kryeministri Edi Rama bëri të ditur para shqiptarëve se brenda vitit 2020 do të rindërtohen të gjitha shtëpitë e prekura nga tërmeti dhe se brenda qershorit të vitit 2021 të gjithë qytetarët që humbën shtëpitë e tyre do të jenë në apartamente të reja. Në një video-live në profiling e tij në Facebook, Rama u shpreh se brenda vitit 2020 do të rindërtohen të gjitha shtëpitë e prekura nga tërmeti dhe se brenda qershorit të vitit 2021 të gjithë qytetarët që humbën shtëpitë e tyre do ët jenë në apartamente të reja. Kjo sipas tij, duke përdurur para nga buxheti i shtetit, nga donacione të ndryshme, madje lidhur me konferencën e donatorëve, Rama tha asokohe se do të mbahej në fund të muajit Janar ose në fillim të muajit shkurt, në varësi të përfundimit të raportit të plotë për dëmet e tërmetit tragjik.

 

Çfarë premtoi kryeministri Edi Rama në 2019

 

Miqtë e mi, besoj kemi bërë më të mirën, deri në këtë moment, edhe pse e mira nuk ka fund dhe me siguri ka pasur plot të meta dhe gabime ndoshta, në këtë rrugë, për të kapërcyer një mal të mall hallesh që duheshin kapërcyer me shpejtësi. Ama kemi sistemuar në kohë rekord mijëra e mijëra njerëz, që nga hotelet me katër dhe pesë yje, shtëpia me qera. Kemi sistemuar dhe vazhdojmë, mijëra të tjera në çadra dimërore, pranë banesave të tyre të dëmtuara, në zonë e fshatit, ku me të drejtë ata nuk duan të lëvizin. Kemi angazhuar specialistë për të përcaktuar shkallën e dëmeve. Kemi nisur punën për rindërtimin, në bashkëpunim me organizatat solidare për njerëzit në nevojë, me Elvisin, Arbrin dhe Marinin për shtëpitë në fshat. Gjithashtu me arkitektë të huaj dhe vendas për zonat urbane të Tiranës, Krujës, Fushë Krujës, Laçit, Thumanës dhe Kavajës. Edhe për ndërhyrje të tjera deri në Lezhë. Kemi arritur të krijojmë bindjen e liderëve evropianë për domosdoshmërin e një conference donatorësh. Tashmë është vendosur, do ta mbajmë në Tiranë, në fund të muajit Janar dhe në fillim të muajit shkurt, në varësi të përfundimit të raportit final për dëmet. Raporti po shkruhet. Nuk do të jetë e lehtë që të bëjmë gjërat shumë mirë dhe shumë shpejt, por në mënyrë që brenda vitit 2020 askush mos të mbetet pa një perspektivë konkrete. Qëllimi im është që të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë ta gëzojnë vitin e ri në një shtëpi më të bkur, brenda këtij afati. Ndërsa brenda qershorit 2021 të gjithë ata banorë që kanë humbur shtëpinë në qytete, të kthehen në apartamente të reja.

 

Ndryshe nga ç’premtoi Rama, procesit të rindërtimit nuk po i duket fundi. Qeveria nuk ka një afat konkret se kur do të përmbyllet rindërtimi, pas shkeljes seriale të premtimeve vit pas viti. 

 

Deklaratat e zyrtarëve e kryebashkiakut

Një javë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019,edhe  Arben Ahmetaj, Ministri për Rindërtimin në atë kohë, në seancën plenare të Kuvendit të datës 5 dhjetor deklaroi se deri në Krishtlindje të vitit 2020, 80-90% e familjeve që mbetën të pastreha nga tërmeti, do të futeshin në banesat e tyre të reja. Të tilla zotime ka dhënë dhe Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili ka përsëritur shpesh në daljet e tij publike, se nën shembullin e rindërtimit të banesave të prishura nga tërmeti i 21 shtatorit 2019, do të procedohej edhe me ato të tërmetit të 26 nëntorit të të njëjtit vit. Në 18 qershor të vitit 2020, Erion Veliaj, teksa dorëzonte çelësat e banesës së rindërtuar në familjen Rrushi në Zall Her, shprehej se në “10 muaj u ndërtuan të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit”. Më tej, Erion Veliaj premtonte se nën këtë shembull do të vijohej puna për ndërtimin e më shumë se 800 banesave individuale në Tiranë, me qëllim që deri në 26 nëntor 2020 të strehoheshin sa më shumë familje në banesat e reja. “Për më pak se 10 muaj mbyllëm të gjitha shtëpitë e shtatorit. Na dhëntë Zoti kohë të mirë, vullnet, zemër të madhe, që gjatë gjithë verës të punojmë non- stop. Kur qytetarët të ikin me pushime, të rikuperojmë edhe një pjesë të madhe të shtëpive të nëntorit dhe sa më shumë familje të futen në banesë para datës 26 nëntor. Më pas do fillojmë me pallatet, që sigurisht do marrin pak më shumë kohë”, shprehej Veliaj. Por, a u mbajt premtimi

 

Pas 4 vjetësh si është situata

 

Katër vjet pas Tërmetit të 26 nëntor 2019 dhe Pasojave të rënda të tij në jetë njerëzish, banesa dhe infrastrukturë, Qeveria Shqiptare nuk bën dot një inventar ku jemi me përballimin dhe rehabilitimit e pasojave.

Nëntor 2023 mungon një raport i qartë mbi:

–  numrin e familjeve të strehuara përmes Programit të Rindërtimit

–  Veprave publike të rindërtuara,

–  Familjeve të trajtuara me grante individuale,

–  Ecurisë në rikonstruksion për këto raste apo veprave publike të përfunduara. Qeveria dhe asnjë nga 11 Bashkitë e dëmtuara nuk garanton afat për Finalizim të Programit të Rindërtimit pas Pasojave të Tërmetit.

Sipas Open Date Albania, 4 vjet pas Tërmetit dhe njoftimit të Programit mësohen disa evidenca mbi keqqeverisjen e Programit të Rindërtimit dhe konkretisht:

–  me 17 shkurt 2020 Qeveria Shqiptare prezantoi në Konferencën e Donatorëve në Bruksel të mbajtur nga Komisioni Europian, nevojën për Ndihmë për Programin e Rindërtimit pas tërmetit me Kosto mbi 1 miliard Euro.

–  Në këtë konferencë Donatorët dhe shtete Mike duke u bazuar në Kërkesat financiare për rikuperim premtuan ndihmë dhe kreditim për Shqipërinë si Shtet i Dëmtuar nga Tërmeti në vlerën 1.15 miliardë euro ose rreth 140 miliarde Lekë.

–  Në vitin e katërt buxhetor të këtij konstatohet se Buxheti i Shtetit ka realizuar konsoliduar deri mars 2023 vetëm 75 miliard lekë (2022 janë16.6 miliard, 2021 janë 29.5, në 2022 28,9 dhe në 2023 vetëm 5 miliard Lekë).

–  Absurdi qëndron që ndërkohë përmes 11 bashkive dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim Qeveria ka njoftuar Prokurime Publike dhe Fitues për 856 tendera me fond limit total 96.65 miliard lekë ku me lidhje kontrate rezultojnë 84.69 miliard lekë.

–  Diferenca në Rakordim bëhet më e thellë duke analizuar se veç Prokurimeve Publike, Programi i Rindërtimit ka shpërndarë me grante individuale 11.5 miliard lekë.

–  Grant Individual plus Prokurim Publik kërkojnë rreth 108.15 miliard, ndërsa Buxheti i Shtetit pa detajuar veprat dhe objektet këtij Programi i jep vetëm 75 miliard. Viti 2024 planifikon edhe 7 miliard të tjera. Diferenca mbetet ende dhe asnjë nga Ministrat e Financës që kanë ushtruar detyrën në këtë periudhë nuk ka bërë shpjegime në Parlament për Mos-Rakordime të tilla Buxhetore.

– Grantet Individuale për Rindërtimin ju dhanë përmes Thesarit të Shtetit, Individëve që kishin dëme te lehta në Banesat e tyre. Vendimmarrjet për shpërndarje dhe pagesat përmes Transaksione thesari u bënë në mënyrë të spikatur në data zgjedhore sidomos në Prill 2021 .

Sa ka shpenzuar qeveria  

Të ndara në pesë vite, qeveria harxhoi nga buxheti në total rreth 93 miliardë lekë apo 910 milion euro. Në 2021- 2022, u alokuan shumat më të larta deri në 5% të PBB-së. Deri më tani gati 6 mijë familje kanë marrë çelësat e shtëpive të reja, ndërsa në raportimin e ministrisë së financave në kuvend gjatë marsit  rezultonin ende 8 mijë familje që trajtohen me bonus qiraje. Brenda këtij viti qeveria pritet të mbyllë procesin në Kavajë, Rrogozhinë, Vorë dhe Krujë. Ndërsa nuk ka ende një datë përfundimi për rindërtimin në Durrës dhe Lezhë. Punimet ende vijojnë dhe për lagjet e reja të Tiranës, Kombinatin dhe 5 Maji. Programi vijon edhe në vitin e ardhshëm ku janë parashikuar 7 miliardë lekë fonde, ndërsa qeveria ka tejkaluar afatin e vendosur për mbylljen e rindërtimit në vitin 2022, ndikuar edhe nga kriza e Covidit dhe çmimeve të energjisë elektrike për shkak të luftës në Ukrainë.

Procesi vijon të zvarritet 4 vite kaluar nga tërmeti, por qeveria ende s’jep afat se kur do të mbarojë saga e familjeve të prekura që presin dimrin e katërt pa shtëpinë e tyre. Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar 83,7 miliardë lekë për rindërtimin. Ndërsa premtimi i kryeministrit Edi Rama se ‘Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti’, por edhe e zyrtarëve të tjerë të qeverisë, dukshëm është i pambajtur dhe i shtyrë në kohë.