Evropa – A është krisur sistemi?

Evropa – A është krisur sistemi?

533
0

Kris Bledouski, drejtori i këshillit dhe ekonomisti kryesor  i Aleancës së Prodhuesve për Produkvitetit dhe Inovacion:

 

Jo, sistemi evropian nuk është krisur. Por, institucionet evropiane duhet të bëjnë më mire, në disa fusha ku munden. BE s’mund të zbusë efektet e ndryshimeve strukturore, që zhvendosin disa punëtorë nga vende pune të qëndrueshme. Gjithashtu, as politikat fiskale, ose monetare, nuk mund të ngushtojnë pabarazitë rajonale në ecurinë ekonomike.

 

BE-ja nuk mund të luftojë kërcënimet kibernetike, apo të mbështesë masat antiterror. Në të kundërt, BE ushtron një pushtet të vërtetë në fusha të tjera. Në tregti, KE pati aftësinë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë dhe investimeve, me Shtetet e Bashkuara, partnerin e saj më të rëndësishëm.

 

Marrëveshja do të influenconte në rritjen ekonomike, dhe do t’i bënte më të qëndrueshme ekonomitë evropiane. Në kushtet e konkurrencës, Komisioni dhe Këshilli Evropian duhet të shtërngojë radhët me Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Korenë dhe të tjerët, kundër praktikave të padrejta të Kinës ne fushën e tregtisë dhe investimeve.

 

Në fund, në rrezik është asgjë më pak, se siguria më e madhe ekonomike për evropianët. Së fundmi, BE duhet të japë më shumë fonde për Frontex, që mbron kufirin e saj të jashtëm. Migrimi i pakontrolluar, është në krye të shqetësimeve të evropianëve. Në tërësi, duhet një kontroll i fakteve në terren. BE nuk është e gjitha, për të gjithë njerëzit. Ajo duhet të jetë ambicioze aty ku mundet, dhe e sinqertë në pranimin e kufizimeve të saj.

 

Margareta Cederfelt, deputete e parlamentit suedez:

 

Sistemi evropian nuk është krisur, por gjendet nën presion. Ajo që nevojitet është ndërtimi i besimit midis politikës dhe shoqërisë, politikanëve dhe votuesve. BE duhet të mbetet e paprekur. Kjo do të thotë komunikim dhe dialog. Emigracini është një sfidë e madhe.

 

Rusia është një kërcënim real për BE-në. Dhe sfida e mbrojtjes së lirisë së lëvizjes, fjalës, besimit fetar, barazisë dhe liberalizmit, është gjithashtu e madhe. Evropianët kanë përfituar nga BE-ja gjatë këtyre dekadave të fundit të paqes, të drejtave individuale, vlerave të përbashkëta, dhe rritjes ekonomike.

 

Problemi është se evropianët nuk e shohin gjithmonë këtë, dhe politikanët e kanë harruar rëndësinë e komunikimit të këtyre përfitimeve, duke e marrë vetë BE-në, si një gjë të mirëqenë. Historia tregon se Evropa nuk ka përfituar kurrë nga lëvizjet populiste dhe nacionaliste. Zgjedhjet për në Parlamentin Evropian në muajin maj, do të jenë një provë e vërtetë për sistemin. Evropa ndodhet nën presion, dhe po sfidohet në disa fronte, por ideja e një shoqërie të lirë do të mbijetojë.

 

Angelos Krisogelos, anëtar i Qendrës “Weatheread” në Universitetin e Harvardit, dhe bashkëpunëtor në think-tankun “Chattam House”:

 

Po, por kjo nuk do të thotë se do të shembet shumë shpejt. Siç e ka treguar 10-vjeçari i kaluar i krizave qeverisëse, BE-ja vuan si nga defiçitet politike, ashtu edhe nga ato të përfaqësimit. Nga njëra anë, qeveritë kanë qenë të gatëshme të ndërtojnë mjete efektive të përbashkëta, në mënyrë që këto kriza të mos përsëriten:një kapacitet fiskal i eurozonës, apo një sistem i drejtë dhe i detyrueshëm i azilit.

 

Nga ana tjetër, zgjidhjet e hartuara me gjysmë zemre, si paketat financiare të shpëtimit, dhe kuotat e detyrueshme të refugjatëve, i vendosën demokracite kombëtare kundër njëra-tjetrës. Ngërçi politik dhe pakënaqësia demokratike, përfunduan duke përforcuar njëra-tjetrën.

 

Por rrëmuja e gati një Grexit në Greqi, dhe një Brexit i pasigurtë për Britaninë e Madhe, kanë demonstruar gjithashtu, se sa e rrezikshme është në praktikë mosangazhimi me BE-në, çka ka bërë që shumica e partive populiste të ndryshojnë strategji, duke e kritikuar sistemin nga Brenda, dhe jo për të dalë prej tij.

 

Kjo çon drejt një ekuilibri të ri:elitat politike mund të evokojnë spektrin e populizmit, për të legjitimuar bashkëpunimin evropian me ta si ‘rojtarë’, por gjithashtu, ato mund ta përdorin atë,

 

si një justifikim për mos transferimin e më shumë pushteti, dhe kompetencave, në një union mbikombëtar. Populizmi bëhet kësisoj një tipar strukturor i politikës së BE-së, duke vepruar si shtyllë de facto demokratike e një sistemi ndërqeveritar shpesh në ngërç.

 

Denis Mekshejn, ish-ministër i Britanisë së Madhe për Evropën:

 

Jo, pavarësisht nga një politikë e shëmtuar. Gjithsesi, situata nuk është me e keqe sesa tëherë kur partitë staliniste fituan deri më 30 përqind të votimeve, në zgjedhjet evropiane midis viteve 1950-1975; apo në epokën e IRA-s, ETA-s, dhe dhunës politike “revolucionare” në Itali, Gjermani dhe Greqi, midis viteve 1970-1990.

 

Krahasuar me këto periudha, qeverisja politike e kombeve, rajoneve dhe qyteteve të Evropës, nuk ka qenë kurrë më e shëndetshme se sa sot. Të drejtat sociale dhe kulturore, që nuk ekzistonin në Evropën e shekullit XX-të, janë tashmë të mishëruara në të 28 shtetet anëtare të BE-së.

 

BE-ja, dhe veçanërisht institucionet e Brukselit, kanë qenë gjithnjë të kontestuara. Edhe pse De Goli, Theçëri, Berluskoni dhe Aznari, ishin paksa më ndryshe nga disa prej kritikëve të sotëm të Komisionit, Këshillit apo Parlamentit Evropian. Në vitet 2008-2009, BE-ja i mbijetoi një krize financiare globale, të krijuar në SHBA, me potenciale për të bërë po aq keq, sa (në mos më keq), se në Depresionin e Madh të vitit 1929.

 

Zhurma nga ardhja e 1 milionë emigrantëve në vitin 2015 në Evropë, pas vendimit të njëanshëm të zonjës Anglea Merkel, për të hapur kufijtë e Gjermanisë, tashmë është zbehur. Brexit ka rezultuar të jetë një katastrofë politike-ekonomike. Partitë populiste dhe anti-BE, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë, kanë hequr dorë nga thirrjet për një referendum për largimin nga BE, ose eurozona, ndërsa shohin me tmerr skenarin e Brexit të Britanisë së Madhe.

 

Natyrisht, burokracia e Brukselit ka nevojë të modernizohet, dhe Parlamenti Evropian është gjithnjë e më pak përfaqësues. Por Bashkimi Evropian, është një bashkim i shteteve kombëtare, dhe jo një zëvendësues i tyre. Evropa mund dhe duhet të punojë më mirë, por kurrësesi nuk është duke u shembur.

 

Marrë me shkurtime nga Carnegie Europe