Është koha të dëshmojmë se Shqipëria zhvillon zgjedhje të standarteve më të...

Është koha të dëshmojmë se Shqipëria zhvillon zgjedhje të standarteve më të larta demokratike! Nga Klement Zguri

409
0

 

Ndihem i privilegjuar të adresoj këtë përshëndetje në  Eventin e organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, për shpalljen e Aksionit të Vëzhgimit për Zgjedhjet e 25 Qershorit! KVV vëzhgon zgjedhjet prej 2005, unë jam anëtar i KQZ  prej 2000. Për shkak të detyrës, jam dëshmitar i punës së madhe dhe gjithnjë e më cilësore të këtij  bashkimi organizatash, angazhimit real dhe demokratik të tyre si pjesë e shoqërisë civile në proceset zgjedhore. Angazhime civile si i KVV, janë ato të cilat kanë ndikuar fort në rritjen e ndërgjegjes qytetare, dhe forcimin e kulturës zgjedhore tek shtetasit, por  njëherazi kanë dhënë kontribut në punën e organeve të ngarkuara për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, ku padyshim KQZ është përfituesi më i drejtpërdrejtë. KVV, me vëzhgimin e  proceseve zgjedhore në vite, i ka shërbyer rritjes së rolit dhe besimit të qytetarëve shqiptarë në integritetin e proceseve zgjedhore në vendit, duke ndikuar jo pak në  zbehjen e klimës së  mosbesimit që partitë politike jo rrallë herë kanë krijuar. KQZ për zgjedhjet e datës 25 qershor, ka akredituar një numër të madh vëzhguesish të organizatave ndërkombëtare dhe organizatave vendase, të cilët do të jenë garancia më e madhe e standarteve të procesit. Duke i shprehur mirënjohjen çdo organizate dhe çdo individi të angazhuar në këtë mision të rëndësishëm, do të më mirëkuptoni të shpreh konsidertë të veçantë për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë, zërin kritik, njëherazi ndër më të shëndetshmit për rritjen e standarteve të procesit zgjedhor, dhe veçanërisht të performancës së KQZ ! Në emër edhe të kolegëve të mi,  po përfitoj nga rasti për të përcjellë një mesazh të shkurtër për vëzhguesit e akredituar: Së pari, shprehem besiminplotë, se vëzhguesit e KVV, ashtu sic kanë  dëshmuar profesionalizmin e tyre edhe në proceset pararendëse, do të kryejnë vëzhgimin në përputhje me përcaktimet e ligjore, duke kryer vëzhgimin dhe mbledhjen e informacionit për zbatimin e kërkesave të kuadrit ligjor zgjedhor, pa ndërhyrë në punën dhe aktivitetin e administratës zgjedhore, duke dëshmuar sërish më 25 qershor, objektivitet, profesionalizëm në gjykim, paanësi, transparencë dhe saktësi në informacion; Së dyti, t’ju falënderoj për angazhimin në realizimin e një misioni kaq të rëndësishëm, që i bën shërbimin më të mirë  klimës së qetë dhe demokratike që votuesit shqiptarë krijojnë me pjesëmarrjen e tyre masive në votim, si dëshmi e vlerave të qytetarisë dhe të shpirtit të tyre demokratik;  Së treti, si Kryetar i  KQZ,  por edhe si qytetar i këtij vendi ju falënderoj, për angazhimin tuaj civil, me domethënie të madhe për demokracinë dhe shtetin e së drejtës; është koha që me punën, përkushtimin, shoqëror, civil dhe institucional, të dëshmojmë se Shqipëria zhvillon procese zgjedhore të standarteve më të larta demokratike!

Ju faleminderit e punë të mbarë!

Përshëndetja e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri në aktivitetin e KVV.