Është derdhur shumë gjak në Ballkan, të afrojmë njerëzit/ Nga Alfred Moisiu

Është derdhur shumë gjak në Ballkan, të afrojmë njerëzit/ Nga Alfred Moisiu

349
0

FJALA  NË  TAKIMIN  E  KLUBIT TË  PODGORICËS

Alfred Moisiu/ President i Republikës së Shqipërisë 2002-2007

 

Të ndashur anëtarë të KLUBIT të PODGORICËS,

Pikë së pari ju falenderoj që pranuat ftesën tonë për të qenë bashkë në aktivitetin që organizon FEDERATA BOTËRORE E PAQES këtu në Tiranë.

Pjesëmarrja e jonë në këtë aktivitet si bashkë autor në këtë konferencë të rëndësishmeështë në përputhje të plotë me synimet e këtij klubit, dhe është një kontribut i madh në interes të forcimit të paqes, sigurisë dhe mirëkuptimit midis vendeve të rajonit tonë hallemadh. Është një shprehje e përdorur e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli, i cili i drejtohet Shqipërisë me fjalët “Shqipëria ime hallemadhe”. Unë them se kjo shprehje, për fat të keq, i përshtatet gjithë rajonit të Ballkani.

Shumë luftra, trazira, tmerre kanëparë dhe kaluar popujt tanë. Shumë gjak i panevojshëm është derdhur. Shumë mëri dhe keqkuptime janë krijuar midis njerëzve të thjeshtë në vendet tona vetëm se nuk flasin të njëjtën gjuhë, ose nuk janë i të njëjtit besim fetar apo gjëra të tjera të kësaj kategorie.

Është vërtet për tu habitur se si u zhvilluan tragjeditë në rajon. Çuditërisht në mënyrë të pakuptueshme dhe pothuajse të menjëhershme, njerëzit nga fqinjë të mirëme njëri-tjetrin, ndonjëherë edhe çifte me fëmijë të përbashkët, u gjendën përballë njëri-tjetrit të egërsuar deri në vdekje. Kur shikonin njëri-tjetrin nuk e konsideronin më të tyrin, por sikur të kishin përpara një bishë të egër të rrezikshme që duhej asgjësuar. Për këtë do ju tregoj një shembull; Në vitin 1995 unë isha i ftuar në një konferencë që NATO organizonte në Zagreb, ku unë isha Zv. Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Atlantikut të Shqipërisë dhe avion direkt nuk kishte, kështu që fluturonim pë në Mynih dhe nga Mynih në Zagreb. Gjatë fluturimit që bënim për në Zagreb avioni ishte i vogël me shumë pasagjerë, ngjitur ishte një zonjë e cila ishte Kroate e po shkonte në Zagreb pasi kishte nënën pa qef. E pyeta ku e kishte burrin dhe më tha që më ka vdekur. Rrugës kur po i afroheshim Zagrebit më tha se më kishte gënjyer, pasi burri nuk i kishte vdekur por e kishte gjallë, por ishte Serb dhe po ta shihnin atje do ta vrisnin menjëherë. Cifti i martuar, kroat me serb kishin dy fëmijë dhe ishin për bukuri në të gjitha drejtimet. Por është ajo që thashë pak më parë që ishin bërë egërsira njëri me tjetrin dhe nuk dihet arsyeja pse.

Pse ndodhën këto metamorfoza në ndërgjegjen e njerëzve që deri dje ndanin me njëri-tjetrin vetëm gjëra të mira, ndanin të njëjtën hapësirë deri dhe të njëjtin shtrat dhe të njëjtat interesa. Ç’farë ndodhi, si dhe pse? Si mund të shpjegohen këto? Sigurisht psikologët e kanë një shpjegim sesi mund të lirohen tek njeriu ndjenjat e njeriut parahistorik në kohën e zhvillimit të lartë shkencor të njerëzimit. Dhe të gjithë ne e dimë se në këtë mes disa njerëz kanë pamje njerëzore, por me shpirt djalli dhe krimineli, arrijnë të nxisin tek njerëzit paqësorë ato vese dhe krime të papara. Dhe çuditërisht dukej sikur asnjeriu nuk i bëninmë përshtypje sjelljet e reja antinjerëzore.

Ne gjatë punës në detyrat tona shtetërore i kemi ndjerë këto çështje, mbase më shumë nga të gjithë, por megjithëse jemi përpjekur që ti zhduknim, kemi arritur pak ose aspak. Dhe kjo ka ndodhur jo sepse ne nuk donim apo nuk duam, por mentalitetet nacionaliste që bartin disa liderëtë veçantë politikë kanë bërëgjithmonë më shumë për të injektuar të kundërtën. Po ashtu edhe disa drejtues fetarë, të prirë më shumë nga disa ideologji makabre,sesa nga porositë e librave të shenjtë, kanë krijuar bindje dhe frymëzime për veprime të tilla. Prirjet e tyre më shumë janë udhëhequr nga interesa klanore sesa nga porositë e librave të shenjtë.

Është e çuditshme sesi një njeri fetar, vetëm sepse tjetri nuk bën kryq me tre gishta, ose falet duke u ulur në gjunjë e të tjera gjëra si këto, shpallet armik deri në herezi. Kur Zoti, natyra vetë kanë krijuar gjithë këtë diversitet, pse nuk duhet ta pranojmënjëri-tjetrin ashtu siçjemi. Pse nuk duhet ta duam dhe taurrejmë pasi gjykon ndryshe nga ne? Të gjitha këto kërkojnë shpjegim, por më kryesorja është që të luftohen këto gjëra në mënyrë të veçantë që nga bankat e shkollës, ndërsa familja e cila është baza dhe një objekt i rëndësishëm i Federatë tonë duhet të bëjë më shumë punë në këto drejtime për të mbyllur shtigjet e armiqësisë dhe urrejtjes me njëri-tjetrin.

Pra, neve që e kemi kuptuar këtë situate më përpara ose më mirë se të tjerët duhet të angazhohemi seriozisht për afrimin e njerëzve. Ne nuk duhet të na gënjejë kjo qetësia e tanishme, pasi ende ka disa që janë gati të na kthejnëatje ku ishim.Etja për pushtet dhe para çfarë nuk bën, këtë e dimë dhe e kemi parë. Pra, kjo mendoj se kërkon jo thjesht të jemi të kujdesëshëm, por të jemi edhe aktiv për ti prerë rrugën këtyre veseve dhe tentativave të rrezikshme për paqen në vendet tona.

Fakti që ne bashkuam shqetësimin dhe zërin tonë me Federatën e Paqes Botërore dhe Klubin e Podgoricës, është një hap i mirëmenduar dhe pozitiv në shërbim të kauzës që ne kemi vendosur t’i përkushtohemi. Ne sot na mungojnë disa anëtarë për arsye objektive, por pavarësisht prezenca jonëkëtu tregon për vlerësimin maksimal të punës që po bën Federata, duke i shtuar asaj edhe kontributin tonë shumë të vlefshëm dhe të rëndësishëm.

Misioni që kemi marrë përsipër është fisnik dhe domethënës, pasi sigurisht është më mirë që të rrish sipas programit personal dhe të bëhesh thjesht një shikues anësor indiferent. Por ne kemi vendosur që të bëjmë më të mirën dhe pavarësisht se nuk kemi pushtet ekzekutiv ose kushtetues, ne kemi fjalën tonë, që dëgjohet nga njerëzit që na njohin dhe ruajnë respekt për kontributin që kemi dhënë dhe për atë që kemi vendosur të japim. Edhe nëse ata vërtet nuk i pëlqejnë mendimet dhe qëndrimet tona, populli shikon, dëgjon dhe pastaj vepron. Ai këtë e bën në radhë të parë me votë pastaj edhe me protresta të forta që detyrojnë edhe më kokëfortët ti shohin gjërat më realisht.E theksoj këtë pasi ka edhe njerëz që thonë fol sa të duash, por kush të dëgjon! Politikanët aktualë do veprojnë sipas interesave të tyre, por kjo nuk duhet të na dekurajojë.

Unë mendoj se me zërin, vullnetin, kembënguljen dhe punën tonë duhet tja bashkangjitim punës së përsgjithshme që bën gjithë shoqëria civile, gjithë populli që të arrihet më e mira. Mendoj se duhet të shikojmë mënyra veprimi më efikase që të ndikojnë në veprimet e politikës aktuale. Kjo do të bëhet jo vetëm duke takuar njëri-tjetrin, duke shkëmbyer mendime në distancë, por edhe duke koperuar punën me organizma të tjera sjoqërore të rëndësishme sikurse është FEDERATA E PAQES UNIVERSALE apo rrugë të tjera që duhet ti mendojmë bashkërisht. Ne si Klub i Podgoricës përputhemi plotësisht me qëllimet dhe idealet e Federatës dhe do vazhdojmë punën tonë sëbashku.

Ju faleminderit për vëmendjen!

 

Tiranë, 26 Tetor  2019