EKSKLUZIVE/ Zbardhen diskutimet sekrete mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait: Faj ka...

EKSKLUZIVE/ Zbardhen diskutimet sekrete mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait: Faj ka dhe Fiqireti. Nusja e djalit të Mehmetit merrte ushtarakët në motoskaf, rrinte këmba mbi këmbë me cigare në gojë dhe lahet në det para…

410
0

Enveri-Mehmeti-Fiqireti-NexhmijaAFRIM IMAJ/ Në bisedën e parë me Mehmet Shehun për krushqinë e papërshtatshme që kishte bërë, Enver Hoxha, duke i kujtuar ceremoninë e pagëzimit të saj, nuk harron t’i përmendë se një moment e ka futur dhe atë në një situatë komprometuese.

 

“Ne u gëzuam për fejesën, pa ditur gjë për krushqinë, të erdhëm në shtëpi, – i drejtohet ai Shehut, – u përqafuam, madje bëmë fotografi me nusen, pa menduar që kjo pozë mund të vejë në Nju Jork e të na nxjerrë sytë”. Përtej këtij momenti, pjesa në vijim e rrëfimit të Hoxhës për Ramiz Alinë e Hekuran Isain për çfarë ka debatuar me Mehmetin në takimet konfidenciale të 11, 12 dhe 13 shtatorit 1981, shtjellon të tjera detaje të konsumuara në ato takime të panjohura. Ai vë në vëmendjen e kolegëve se historia e lidhjes nuk ka qenë diçka e rastit, pasi djali i Shehut, sipas tij, njihet në gjithë Tiranën për sjellje imorale dhe qëndrime poshtëruese ndaj vajzave.

 

I gjendur përballë këtij fakti, në logjikën e Hoxhës, Mehmeti ka gjykuar ta celebrojë sa më shpejt fejesën e tij me Silva Turdiun. “Dhe ra nga shiu në breshër”, thekson Enveri dhe teksa vazhdon në këtë qasje nuk harron të shtjellojë për miqtë e tij dhe një detaj të denjë për gojët e përdala: Mehmeti e largoi djalin nga një kurvë për ta lidhur me vajzën e Qazim Turdiut?!

 

Sakaq, ish-kreu i Partisë kujton se Shehu ka probleme të këtij lloji dhe me fëmijët e tjerë, sidomos me Bashkimin dhe nusen e tij, që frekuentojnë gati përditë mjediset e hotel Dajtit dhe lokaleve të tjera të destinuara për të huajt. Në aq sa shprehen Alia e Isai, jo vetëm që bien dakord me gjykimin e Njëshit, por janë të mendimit që një çështje e tillë duhet bërë objekt diskutimi në të gjitha forumet e Partisë, për të nxjerrë të plotë përgjegjësinë e Mehmetit dhe të gruas së tij, e cila asokohe kryente detyrën e drejtoreshës së shkollës së Partisë…

 

BISEDA E SHOKUT ENVER HOXHA ME SHOKËT RAMIZ ALIA DHE HEKURAN ISAI MË 12 SHTATOR 1981

 

ENVER HOXHA: Pasi kishin kryer fejesën e Skënderit, Mehmeti dhe Fiqreti i thanë Ilirit dhe nuses së tij: Hajdeni dhe ju te ne, se do të bëjmë fejesën e djalit. Kur morëm vesh për fejesën e Skënderit, unë me gjithë Nexhmijen u gëzuam shumë dhe do të kishim ardhur po atë ditë, i thashë Mehmetit, por meqenëse na njoftoi Iliri, Nexhmija ishte e mendimit që në këto rrethana të mos vinim, prandaj vendosëm e erdhëm të nesërmen. Dhe unë ju erdha në shtëpi, i thashë, u gëzuam për fejesën, u përqafuam, bëmë dhe fotografi, duke e vënë nusen mes nesh. Mirëpo, nesër, kjo fotografi mund të vejë në Nju Jork, ku do të thonë: Shikoni ç’po ngjet në Shqipëri! Vajza e një familjeje nga më reaksionarët, me të gjitha këto që dihen në përbërjen e saj, d.m.th. me pjesëtarë të familjes si kriminelë lufte, me të tjerë të pushkatuar, është futur deri në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe ka dalë në fotografi, siç e shikoni, me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun. E kupton se ku të çon ky hap i gjykuar jo drejt në vijën e Partisë, i thashë Mehmetit. Është diçka shumë e rëndë kjo që ke bërë, i theksova. E kam fajin unë, e kam fajin unë, përsëriti ai me të madhe, faj të rëndë kam bërë. Mirëpo, tani duhet ta rregullojmë medoemos këtë çështje dhe të bie ty, në radhë të parë, që ta rregullosh. Sa për vete jam gati të të jap këshillën time si të veprosh, i sugjerova. Do të mendohem dhe do ta rregulloj. Nuk ma ka fajin djali në këtë çështje, fajin e kam unë, mori përsipër ai. Dëgjo, i thashë pastaj, me siguri që fajin kryesor në këtë çështje e ke ti.

 

RAMIZ ALIA: Po edhe djali ka faj, si nuk ka?

 

ENVER HOXHA: Fajin kryesor e ka ai, se është njeri politik. Sa për djalin, ai ka bërë edhe gjëra të tjera dhe këto ia thashë të tëra Mehemtit. Dhe gjersa ai ka bërë të tëra këto, atëherë përse të mos bënte edhe këtë fejesë, pra, këtë që bëri tani së fundi. Mund të më sqarosh kush ia bëri djalit këtë fejesë?, iu drejtova përsëri Mehmetit. Mos ia kanë futur të tjerët për ta kompromentuar? Dhe pas kësaj ty të vjen nusja e tij gjer në shtëpi dhe bie në pozita të atilla sa e gjykon me shumë lehtësi këtë fejesë dhe këtë e bën ti, që je aq i ashpër me të tjerët, që nuk duhet të jesh i tillë. Në këtë rast, ti e ke shkelur vijën, prandaj fajin kryesor në këtë çështje e ke vet. Faj të madh ka gjithashtu Fiqreti. Pra, që të dy ju keni faj. Si mund të vejë Fiqreti dhe të japë mësim për luftën e klasave në Shkollën e Partisë? Po edhe vetë ti, si do të guxosh kur të flasësh me shokët, me komunistët, me masat për luftën e klasave? Pastaj kjo që bëre ti na prek edhe ne, i vura në dukje. Po të flasim tani ne për luftën e klasave, të tjerët do të thonë: E po ç’na grinë edhe këta për këtë çështje, nuk shikoni çfarë ka bërë Mehmet Shehu?

 

HEKURAN ISAI: Shikoni një çikë më mirë atje lart se ç’bëhet, do të thonë.

 

ENVER HOXHA: Po, drejt e ke, ashtu do të thonë. Ashtu është, pohoi dhe Mehmeti. Megjithatë, edhe djali yt nuk mbetet pa faj, i theksova. Jo, unë e kam fajin, përsëriti ai. Ka si nuk ka faj ai, ia mora fjalën unë.

 

RAMIZ ALIA: Ai është edhe anëtar partie.

 

ENVER HOXHA: Po, edhe unë ia thashë që dhe ai është anëtar partie. More shoku Mehmet, vazhdova unë, kur kishte vdekur Medar Shtylla, gruaja e tij, italiania Marie Shtylla, erdhi më kërkoi mua mendimin për fejesën e vajzës së saj, se ajo dashuronte një djalë të mirë, profesor fizkulture dhe i sjellshëm, por që kish pasur një gjysh deputet në kohën e Zogut. Ajo, megjithëse pa parti, si grua shumë e mirë, meqenëse djali kishte këtë anë negative në biografinë e tij, qe lëkundur, edhe për arsye se gjithë rrethi i Shtyllajve, duke filluar që nga Behari e gjithë mëhalla, po i flisnin keq për këtë fejesë të vajzës. Unë do ta zboj atë djalë nga shtëpia, më tha ajo e shqetësuar, pastaj vazhdoi. Unë mendoj me kokën e Medarit me kokën e Partisë dhe tani pyes veten: Po të ishte Medari, çfarë do të bënte në këtë rast? Jam e bindur se ai do t’i thoshte vajzës, ose ta linte këtë djalë, ose të largohej nga ne. Unë e këshillova Marie Shtyllën që vajza e saj të fejohej me këtë djalë, se përveç gjyshit, asgjë tjetër negative nuk kishte në rrethin e tij familjar. Pas kësaj, të dy këta të rinj u bashkuan në martesë.

 

Dosja-sekrete-Enveri-kasaforta-biseda-faksimile1-copy

 

RAMIZ ALIA: Pastaj ai vetë është djalë i mirë.

 

ENVER HOXHA: Djalë i mirë e me të gjitha cilësitë. Iu drejtova gjithashtu Mehmetit, me pyetjen: Po Fiqreti, kë ka shoqen më të ngushtë? Natyrisht, Nexhmijen, i thashë. Atëherë, përse të mos e lajmëronte ajo Nexhmijen, që ju fejuat djalin? Nga qëndrimi i mbajtur nga ju, nxjerr përfundimin se edhe përpara nuk ishit vetë të bindur për këtë që po bënit, ndërgjegjja, i theksova, që të dyve u ka penguar të më tregonit mua për këtë çështje, të paktën të më kishit njoftuar në telefon për gëzim. E bëra këtë gjë, tha Mehmeti. Mirëpo, çfarë do të bësh tani për të ndrequr gjendjen e rëndë të krijuar, e pyeta. Kjo ngjarje është mësuar kudo, ajo tani ka marrë dhenë, në Tiranë po bëhet avaz nga të katër anët fejesa e djalit tënd.

 

Mbrëmë, vazhdova t’i flisja Mehmetit, duke mbajtur mendjen në këtë çështje, kërkova Ilirin të bisedoja dhe e pyeta: Ke dëgjuar gjë për fejesën e Skënderit në qytet? Flitet, bile boll, m’u përgjigj ai, vajzës po i bëjnë biografinë në popull dhe bënë pyetjen: Si e ka bërë shoku Mehmet këtë hap? Prandaj, kur e thirra, i fola Mehmetit, në mënyrë të prerë që një fejesë të tillë, ne nga ana e Partisë, nuk mund ta lejojmë të përfundohet. Ty, Mehmet, të janë errësuar sytë nga sentimentalizmi për djalin, se ke harruar të zbatosh vijën e Partisë. Ishte e pamundur që ti të bëje këtë gabim të madh, përveçse nga shpirti yt sentimental. Dhe për kë re në këtë gabim të madh? Për një njeri që shkon edhe me kurvën. Që ta largojë nga ajo, e rregullove djalin me vajzën e Qazim Turdiut. U largove nga shiu dhe re në breshër. E kuptoj gabimin që kam bërë, ke shumë të drejtë, më tha Mehemti. Kjo fejesë duhet prerë, duhet prishet menjëherë, e këshillova. Do të mendoj, ma ktheu ai. Do ta thërras djalin, se këto ditë ndodhet në Athinë.

 

RAMIZ ALIA: Ajo ka shkuar atje me skuadrën e volejbollit.

 

ENVER HOXHA: Kështu siç bën ti, që e merr gjithë fajin për vete, vazhdova t’i flas, bën mirë se është e drejtë ta marrësh se je kryesori, por faj duhet të marrë edhe Fiqreti, gjithashtu në radhë të parë, pastaj edhe djali juaj nuk është papërgjegjësi. Unë e kam fajin, unë e kam fajin, theksoi ai përsëri. Dëgjo, Mehmet, i thashë, ti e ke fajin dhe ne jemi shumë të qartë për këtë, por për interesin e Partisë ne nuk mund të vemi e t’i themi popullit që këtë gabim e ka bërë Mehmet Shehu. Nuk e lejon Partia këtë, prandaj ne do të mbrojmë ty, i theksova, se kështu mbrojmë Partinë. Ne do të përpiqemi që ta kapërcejmë këtë vështirësi që iu krijua Partisë nga kjo ngjarje jo e menduar thellë dhe për këtë fajin duhet ta marrë vetë djali dhe ne të themi që Mehmeti nuk dinte gjë, porsa e mori vesh, e prishi menjëherë fejesën.

 

Dhe populli do ta marrë vesh kur të prishet fejesa, nuk është nevoja që të vemi e t’i themi ne për këtë, se lajmi do të përhapet shpejt. Megjithatë, ndërgjegjja ty do të rëndojë jo vetëm përpara Partisë, por edhe përpara djalit, se i ke thënë vetë që ta merrte. Por që të të mos vriste ndërgjegjja, duhet ta kishe menduar mirë këtë hap që bëre. Më në fund, e këshillova që të ruante qetësinë, se Partia është me të, ajo i thashë do të ndihmojë që ta kapërcejmë këtë situatë. Gabimi tani u bë dhe ti nuk duhet të dëshpërohesh, se unë e njoh karakterin e Mehmetit, ai është njeri i ekstremeve, prandaj ia vura në dukje që të mos hidhet në ekstremin tjetër.

 

RAMIZ ALIA: Ai është edhe shumë sensibël.

 

ENVER HOXHA: Mehmeti është edhe shumë i ashpër, po është edhe i butë, kurse ne duhet të jemi kurdoherë në ekuilibër. Me një fjalë, e inkurajova.

 

RAMIZ ALIA: Duhet qetësi, gjakftohtësi në këtë punë.

 

ENVER HOXHA: Më në fund, më falënderoi se e ndihmova. Këtë e kam për detyrë ta bëj, i thashë edhe si sekretar Partie, edhe si shok, përfundova unë. Këto gjëra i thashë Mehmetit dhe ia vura në dukje qartë. Mbetet vetëm që ai të veprojë, të marrë masa, të vërë dhe shokët në korent. Kjo gjë varet prej tij. Por, megjithëse juve e dini si qëndron çështja, iu vura në dijeni që Mehmetin e thirra dhe përmbajtjen e bisedës që bëra me të.

 

RAMIZ ALIA: Jo, ju bëtë shumë mirë, bëtë atë që nuk e bëmë ne të tjerët. Kështu si vepruat ju, është në radhë të parë në interesin e Partisë, por njëkohësisht dhe një ndihmë për vetë Mehmetin…

 

HEKURAN ISAI: Ia keni thënë mirë ju, shoku Enver.

 

ENVER HOXHA: Unë i thashë se kjo vinte nga sentimentalizmi, por edhe nga disa arsye të tjera që ia vura në dukje të gjitha me radhë, sikurse kam bërë dhe herë tjetër me të, se ka dhe mendjemadhësi te Mehmeti.

 

HEKURAN ISAI: Edhe këmbëngulja e tepërt është mendjemadhësi…

 

ENVER HOXHA: Përveç fejesës së djalit, i fola se fëmijët e tij kanë dhe dobësi të tjera. Mua më ka vënë në dijeni për ca gjëra Kadriu, i cili ishte matur të shkonte vetë te Mehmeti, por e kishte këshilluar Hekurani që mos t’ia thoshte në ato kohë, se ishte duke u marrë me raportin e Kongresit dhe do të shqetësohej, pse sikur Kadriu t’ia kishte vënë në dukje, kam bindjen që ai do t’i frenonte djemtë, megjithëse në atë kohë Kadriu nuk kishte dijeni për fejesën e djalit të Mehmetit me vajzën e Qazim Turdiut.

 

HEKURAN ISAI: Atëherë, Kadriu dinte vetëm për sjelljet e nuses së djalit tjetër.

 

ENVER HOXHA: Po për nusen e djalit tjetër, prandaj e këshillova që të ketë shumë kujdes me fëmijët.

 

HEKURAN ISAI: Për Fiqretin, ju shoku Enver, keni bërë një vërejtje shumë të drejtë, ajo duhej të kujdesej një çikë më shumë në këtë drejtim. Biseda që bëra me Kadriun, ishte për nusen e djalit tjetër, që merrte ushtarët në motoskaf, kalonte përpara popullit që lahej në det, duke e ngarë atë vetë, duke qëndruar këmba mbi këmbë dhe me cigare në gojë. Djali i Simonit dhe Kadriut e kishin parë dhe u kishte bërë shumë përshtypje, sidomos qëndrimi i nuses së djalit të Mehmetit dhe ata ia thanë shokut Kadri ato që kishin parë. Përveç kësaj, fëmijët e Mehmetit kishin secili nga një makinë në përdorim, kurse vajza juaj, megjithëse e sëmurë, udhëton me biçikletë…

 

ENVER HOXHA: Këto gjëra bëjnë përshtypje në popull. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në sjelljet e fëmijëve tanë.

 

HEKURAN ISAI: Kadriut i thashë t’ia thoshte dhe Fiqrtetit, megjithëse ajo duhet t’i dijë këto sjellje të fëmijëve.

 

Viojn…