Ekskluzive/ Myslim Murrizi: Rezultati i dobët i PD në zgjedhje nga shit-blerja...

Ekskluzive/ Myslim Murrizi: Rezultati i dobët i PD në zgjedhje nga shit-blerja masive e votës. Ju rrëfej ‘drekën e shumëpërfolur’ me krerët e degëve të PD

1211
0

Deputeti demokrat i qarkut të Fierit, Myslim Murrizi, e cilëson garën mes Bashës dhe Selamit, një garë mes dy demokratëve, që duhet të jetë e qetë dhe korrekte, por që  ‘përbaltet’ nga thashethemet dhe opinionet e pavenda të ‘cicëruesve me telekomandë’. Në një intervistë ekskluzive për portalin e lajmeve “vizion.com.al”, zoti Murrizi deklaron se faktori kryesor në disfatën elektorale të PD ishte pikërisht shit-blerja masive e votës. Ndër faktorët e tjerë të cilët ndikuan në këtë rezultat të dobët, ai përmend edhe opozitarizimin që i bëhej Partisë Demokratike nga ata që sipas tij sot bëjnë ciu- ciu por nuk guxuan të përballen me Zotin Basha. Zoti Murrizi rrëfen në intervistë edhe drekën e shumëpërfolur me 19 kryetarët e degëve të PD, duke e cilësuar një drekë miqësore për të festuar fitoren e tij dhe të Luan Baçit si deputet. Me tone të ashpra, zoti Murrizi nuk lë pa nënvizuar rolin deri diku negativ dhe dashakeq në njëfarë mënyre të disa eksponentëve mediatik lidhur me situatën aktuale brenda kampit opozitar.

 

 

Zoti Murrizi, ju keni sulmuar kritikët e Lulzim Bashës të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij. Cili është mendimi juaj për garën aktuale mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit?

Së pari dua të sqaroj që këta nuk janë kritikë të Bashës, por herë duan të hiqen si parimor, e gjoja e bëjnë këtë për të mirë të PD, dhe herë si rival për të marrë drejtimin e PD-së, por nuk kanë këllqe të përballen përballë demokratëve. Në çdo garë e aq më shumë garë brenda së njëjtës parti individë të ndryshëm kanë të gjithë të drejtën e tyre të shprehen lirshëm e të bëjnë lobim për atë që mbështesin. Gara me z Selami është garë mes dy demokratëve, e cila kërkon të jetë e qetë korrekte dhe anëtarësia të vendos më datë 22 korrik se kush do të jetë kryetar i PDSH-së.

Në zgjedhjet parlamentare 2017, PD mori një rezultat të dobët. Sipas jush, çfarë ndikoi në këtë rezultat?

Rezultati i zgjedhjeve të 2017 është rezultat që duke parë se si ka qeverisur Rama, Meta për 4 vjet ishte i pa pritur. E vërteta është që PD nuk kishte përballë një subjekt politikë, por shtetin, bandat dhe kartelin e drogës. Blerja masive e votave ka qenë fenomen që ka filluar qysh në muajin janar. Fukaralliku u shit për pak lekë dhe një thes miell. Në të gjithë vendet ndodh që zihen për të marrë para, në Lushnje janë rrahur mes PS dhe LSI për të dhënë para. Po ashtu pak ndikim në mos pjesëmarrjen e demokratëve në votim ndikoi dhe opozita që i bëhej PD gjatë fushatës nga këta që sot bëjnë ciu- ciu por nuk guxuan të përballen me Z Basha.

Zoti Murrizi, një drekë e juaja së bashku me kryetarë të disa degëve të PD, është komentuar gjatë në media…

Edhe une jam habitur shumë e kurrë nuk e kam menduar që 27 vjet pluralizëm u dashka marrë leje për drekë kur je më shumë se katër persona. E para desha të sqaroj që unë, por dhe pothuajse të gjithë kolegët e mi kryetarë të 19 degëve të katër qarqeve të jugut Fier, Berat, Gjirokastër, Vlorë nuk kemi qenë në pushtet individual gjatë viteve 2005-2013 dhe nuk po shpenzojmë para tenderash, por një drekë simbolike mes kolegesh me rastin e bërjes time dhe të kryetarit të PD Fier z Luan Baçi deputet. Së dyti, asgjë të keqe nuk ka që kur partia është në fushatë të brendshme të ketë takime, lobime, diskutime dhe mbështetje për dikë, dhe kjo mendoj që është shumë normale në një shoqëri demokratike. Po pse kur u grupuan tek Kalzbergu këta të tjerët ose në Durrës apo Vlorë, apo nëpër mejhanet e Tiranës pse nuk pyetën apo moren leje?? Që të qetësohen të gjithë dhe të shuajnë kureshtjen kureshtarët dhe hileqarët, të gjithë kryetarët e degëve të jugut ishin si asnjëherë tjetër në një mendim. Të gjithë në unison për më të mirën që i duhet sot PD-së dhe të gjithë shihnin me përçmim e neveri çdo klloun që nën petkun e të qenit në një pozicion pranë PD deri dje, sot ishin të mërzitur. Të 19 kryetaret kishin një merak që pse nuk u futën në garë këta cicërues me telekomandë që të provonin se sa i respektonin anëtarët e PD.

Ditët e fundit keni qenë në qendër të vëmendjes për shkak të disa replikave në distancë me gazetarët, të cilët kanë komentuar këtë takim. Cili është reagimi juaj në lidhje me këtë gjë?

Sa për replikat me gazetarët apo të punësuarit si port-hale shkruas nuk më shqetëson fare, sepse një pjesë dërrmuese e tyre këtë punë kanë bërë gjithë jetën duke lëpirë ke ka patur pushtet e duke ju sulur kujt nuk ka pas pushtet, në fakt ata që janë gazetarë në të gjithë botën bëjnë të kundërtën. Por meqënëse nëpër studiot e tyre shkohet vetëm me leje të padrinove unë jam i hapur dhe i gatshëm të ju kthej kusurin siç e duan dhe meritojnë si spiunët, si servilët. Kush ka ndonjë gjë dhe ka merak të më ketë përballe le të marrë leje tek padrino e jam i gatshëm të jem përballë kujdo. Unë nuk jam nga ata që paguaj për të dalë në studio e as flas me pagesë.

Intervistoi: Eglantina Alliaj