Ekonomi

Ekonomia në pikiatë, shkak mbyllja e basteve dhe rënia e prodhimit të energjisë elektrike

By vizional

July 02, 2019

Rritja ekonomike e Shqipërisë u ngadalësua ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti e dëmtuar nga kriza energjetike, por edhe mbyllja e basteve. Sipas Institutit të Statistikave në tre muajt e parë të vitit, prodhimi i përgjithshëm kombëtar u zgjerua me vetëm 2.21 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çka përbën rritjen më të ulët në 14 tremujor me radhë.

 

Të dhënat e detajuara nga INSTAT tregojnë se ngadalësimi i ekonomisë ka ardhur veçanërisht nga dy faktorë. E para është kriza energjetike si pasojë e thatësirës së madhe. Prodhimi i energjisë elektrike në vend gjatë tremujorit të parë të vitit u ul me 2.5 herë krahasuar me tremujorin e parë të 2018-ës.

 

Rënia drastike e prodhimit të energjisë ka patur ndikim të fortë në aktivitetin ekonomik të vendit. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë, grupi i industrisë, energjisë dhe ujit kontribuoi negativisht me 0.81 pikë përqindje në rritjen ekonomike, një efekt negativ i ardhur tërësisht nga energjia, pasi industria ka qenë me rritje.

 

Por ndonëse impakti negativ i krizës energjetike ishte i pritshëm, ekonomia është dëmtuar jo pak edhe nga një tjetër faktor, mbyllja e menjëhershme e basteve dhe lojërave të tjera të fatit. Sipas INSTAT, mbyllja e menjëhershme e basteve ndikoi me minus 0.5 pikë përqindje në rritjen ekonomike të tremujorit të parë.

 

Shqipëria është përballur me një situatë të ngjashme në aspektin ekonomik në vitin 2014, kur falimentoi kompania vendase ajrore Bel Air. Edhe atëherë mbyllja e bel air pati efekt negativ në rritjen ekonomike për pak tremujor.

 

Megjithatë ashtu si në rastin e bel air edhe efekti negativ nga mbyllja e basteve pritet të jetë i përkohshëm, madje më pak se një vit teksa paratë e këtij sektori kanalizohen gradualisht në sektorë të tjerë të ekonomisë, edhe më produktiv.