Eglantina Toska me projekte të reja muzikore për vitin 2023

Eglantina Toska me projekte të reja muzikore për vitin 2023

29
0

Eglantina Toska është këngëtare e njohur e këngës popullore të trevës së Shqipërisë së mesme, një ndër zërat më të bukur të muzikës popullore qytetare shqiptare. Eglantina prej vitesh ēshtë soliste e Ansamblit Popullor “Isuf Myzyri” të qytetit të Elbasanit si dhe ka përfaqësuar muzikën shqiptare në shumë vende brenda dhe jashtë kufijve. Ajo interpreton bukur dhe me mjeshtëri të lartë artistike këngët popullore të çdo treve të vendit. Eglantina mban titullin e lartë “Artiste e shquar e qytetit të Elbasanit”, një vlerësim mëse i merituar për këtë këngëtare me zë brilant.   Kohët e fundit ka publikuar dy materiale të reja muzikore që janë pritur mjaft mirë nga publiku.

Eglantina përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë.

Eglantina Toska: Përshëndetje dhe kënaqësi që jam gjithmonë pjesë e intervistave tuaja.

 

Si ka qenë viti 2022 në realizimin e projekteve tuaja dhe aktiviteteve muzikore?

 

Eglantina Toska: Në sajë të aktiviteteve muzikore ka qenë një viti shumë i suksesshëm. Ndoshta ka ndikuar pandemia dhe njerëzit kanë qenë të etur për të bërë sa më shumë festa familjare, dhe jam ndjerë shumë mirë realisht. Gjithashtu në lidhje me produksionet muzikore kam sjellë dy materiale këtë vit, dhe jam duke pregatitur një material të tretë muzikor që do ta nxjerr në fillim të vitit 2023.

Projekti juaj i fundit ishte një këngë me rastin e festës së 28 nëntorit, një këngë e vjetër popullore e trevës së veriut. Pse erdhët këtë herë me një këngë të veritut?

 

Eglantina Toska: Në fakt këtë këngë e kam dëgjuar që e vogël në emisionet e hershme muzikore të TVSH-së, nëse nuk gaboj ka qenë Dava Gjergji që e këndonte dhe më ka mbetur në mendje që atëhere. Meqenëse ishin dhe festat sepse kam vite që e mendoj në fakt, thashë pse mos ta risjell si këngë ku me atë rast të provoja dhe njëhere trevën e veritut dhe sesi do pritem nga publiku.

Si ishin përshtypjet e publikut për këtë këngë?

 

Eglantina Toska: Relativisht për klikime në kanalin Youtube mund të them mirë, por sa për pjesën që unë e solla pikërisht për atë ditë ishte shumë e dëgjuar pasi më lajmëronin miqtë dhe shokët që e transmetonin shumë tek shkollat, kopshtet, çerdhet duke festuar festën me fëmijët. Mendoj se dhe brezi i ri po e dëgjon, kështu që mendoj se është në rregull për mua.

Jeni rritur në qytetin e Elbasanit por origjina juaj është nga jugu, ku keni kënduar dhe këngë të trevës së jugut. Pse u fokusove më shumë te treva e Shqipërisë së mesme?

 

Eglantina Toska: Në fakt unë u rrita në Shqipërinë e mesme dhe mbase aty jam formuar më mire, dhe njeriu i përshtatet trevës ku rritet, por këngët e Shqipërisë së mesme janë shumë të bukura dhe unë i kam shumë pasion. Kam dëgjuar shumë Parashqevi Simakun në atë kohë ku ajo këndonte disa këngë popullore, dhe mbase aty ka ardhur dhe spuntoja.

Keni interpretuar në fillimet tuaja këngë të trevës së jugut?

 

Eglantina Toska: Po kam kënduar, madje këngën e parë kur jam ngjitur në skenë për herë të parë ka qenë kënga “O dhëndër ku vete kështu”, këngë që e këndonte Aurela Gaçe atëhere në spektaklin 12 në Holliëood. Gjithashtu kam kënduar dhe disa këngë të tjera të jugut, ka këduar dhe mami im që unë i dëgjoja kur isha fëmijë dhe kam menduar ti risjell.

 

Kush ju ka zbuluar si talent?

 

Eglantina Toska: Ka qenë motra ime e madhe sepse dhe ajo ka konkuruar në shkollën e muzikë por nuk e fitoi dot sepse nuk kishte volum zëri. Ajo më thonte gjithmonë që unë ti këndoja dhe në njëfarë mënyre bëja prova duke i kënduar asaj. Edhe mësuesja e klasës së parë më nxirrte gjithmonë para klasës dhe më thoshte hajde të këndosh sepse ti do të bëhesh këngëtare. Kështu që mendoj që ajo i vuri vulën.

Cilën nga këngët e repertorit tuaj popullor do të veccoje si më të suksesshme dhe të pëlqyer nga publiku?

 

Eglantina Toska: Kënga më e suksesshme për publikun ka qenë “Pipzat e reja” në një bashkëpunim me kolegun tim Enkel Kasemi që e kam dhe në grupin muzikor. Ndërsa për mua kënga më e mirë do të thoja se është “Elbasani i bukur”. Kështu që unë mendoj se kjo këngë do mbetet më e bukura për mua artistikisht.

Jetoni prej vitesh në Tiranë por që nuk jeni shkëputur nga Elbasani për aktivitetet artistike sepse jeni dhe pjesë e ansamblit popullor “Isuf Myzyri”. Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja me këta ansambël?

 

Eglantina Toska: Unë jam prej 15 vitesh pjestare e ansamblit “Isuf Myzyri”, dhe bëjmë diku 4-5 premiera në vit, ku deputojmë jo vetëm në Elbasan por dhe në trevat jashtë Shqipërisë. Kemi qenë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Turqi. Ndjehem shumë mirë që jam pjesë e këtij ansambli sepse mbas ansamblit të shtetit si emër më duket asnambli i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri, që njihet nga gjithë diaspora ku jetojnë shqiptarët.

 

Në muajin nëntor ju morët pjesë dhe në koncertin recital të Vëllezërve Zena. Si u ndjeve mes artistëve të tjerë të njohur që ishin pjesë e këtij koncerti?

 

Eglantina Toska: Unë jam ndjerë shumë mirë mes artistëve të vërtetë. Koncerti u prit shumë mirë, madje kishte shumë kërkesa dhe njerëzit nuk po gjenin dot bileta. Ky koncert u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku i qytetit të Elbasanit dhe ishte shumë i suksesshëm.

 

Një vlerë e çmuar e këngës popullore është dhe veshja popullore. Kam parë që ju herë pas here jeni veshur me këtë kostum gjatë videoklipeve tuaja. Çfarë emocioni përjeton kur e vishni kostumin tradicional dhe interpretoni këngën popullore?

 

Eglantina Toska: Në fakt kostumin që përdor unë sikur është prerë për mua dhe e përdor vetëm unë. Ai kostum që unë vesh është kostumi i kalasë. Kur kam qenë njëherë në Shkodër ju ka bërë shumë përshtypje të gjithëve, dhe prezantuesja e eventit më tha se vajzat e Shkodrës donin ta vishnin për xhiro këtë kostum që unë kisha. Është një kostum shumë i bukur dhe ndjehem shumë mirë kur shpalos vlerat kombëtare me kostumin dhe këngët.

Si janë marrëdhëniet tuaj me këngëtarët e tjerë të muzikës popullore?

Eglantina Toska: Unë me të gjithë këngëtarët kam marrëdhënie shumë të mira, dhe asnjëherë nuk kam pasur konflikt me një koleg apo kolege. Ndoshta është dhe natyra ime që unë jam shumë e sjellshme dhe jam distancur, kështu që asnjëherë nuk kam pasur probleme me kolegët.

Ju ka ndodhur ndojnëherë në ndonjë aktivitet muzikor që të kesh probleme me zërin?

Eglantina Toska: Në aktivitete apo gëzime familjare nuk kaam pasur probleme me zërin, por që të jem sëmurë më përpara dhe kam lënë ndonjë aktivitet. Fatmirësisht kur kam qenë e pranishme më ka nderuar Zoti dhe kam qenë shumë mirë.

 

Përveç Shqipërisë dhe vendeve fqinje ku keni qenë në vende të tjera për koncerte?

 

Eglantina Toska: Unë kam qenë në SHBA, Australi dhe pastaj në Zvicër, Itali dhe Greqi.

 

Sa rëndesi i jepni lukut dhe veshjes suaj kur dilni në skenë?

Eglantina Toska: Kur dal në skenë i jap shumë rëndësi, ndërsa në jetën e përditëshme jam pak më e thjeshtë. Në jetën e përditshme duhet të jem Egla, kurse në skenë të jem Eglantina dhe dua që të jem rehat. Padyshim që i jap rënësi lukut por nuk jam e fiksuar dhe fatmirësisht jam fotozhenike vetë në foto dhe video.

Ke ndonjë këngëtar idhull të muzikës popullore?

Eglantina Toska: Unë e kam thënë gjithmonë që idhull kam pasur Parashqevinë dhe në muzikë të lehtë sepse kam pasur qejf të këndoja dhe këngë të muzikës së lehtë. Gjithashtu idhuj kam pasur Merita Halilin dhe Eli Farën. Pra këto tre këngëtare kanë qenë idhujt e mi kur kam qenë në moshë të hershme.

Do të dëhiroje që të kishe ndonjë bashkëpunim me këto këngëtare?

Eglantina Toska: Pse jo, kismet ku i dihet.

 

E ka pasion muzikën vajza juaj?

Eglantina Toska: Vajza ka shumë talent por që unë do e le të bëjë çfarë të dojë ajo, vetëm ta shijojë atë që do bëjë. E shoh që është e apasionuar pas artit.

Çfarë prisni nga vitit 2023 në aspektin personal dhe artistik?

Eglantina Toska: Unë në fillim të vitit 2023 do të publikoj një këngë tjetër dhe do të fokusohem te projektet që do të sjell për publikun në vitin 2023. Kam shumë projekte muzikore që do i lançoj vitin që vjen.

Keni marrë ftesa për koncerte për vitin 2023?

Eglantina Toska: Unë do të jem e ftuar në disa koncerte për bashkëatdhetarët që jetojnë në vende të ndryshme të Europës. Gjithashtu kam marrë ftesë speciale për të qenë e ftuar në SHBA për festat e këtij viti nga Albanian Entertainment LLC nga Z. Hysen Elmazaj i cili më ka ftuar dhe jam shumë e mirëpritur nga komuniteti shqiptar në SHBA.

Intervistoi: Gazmend Agaj