Edi Rama për “listën e zezë”: Katundi politiko-mediatik, nuk keni parë gjë...

Edi Rama për “listën e zezë”: Katundi politiko-mediatik, nuk keni parë gjë akoma!

473
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas mesnate lidhur me reagimet e shumta për listën me 100 emra që sipas tij janë denoncuar si abuzues me pushtetin. Lexoni më poshtë, postimin e plotë të Edi Ramës në “Facebook”.

PER LULET MOS ME PREK

Jam shumë i impresionuar nga reagimet e zhurmshme të luleve “Mos më prek” për emrat e zyrtarëve të rreshtuar në përmbledhjen e raportit të postimit Eksperienca Juaj Negative! Çfarë ka ndodhur që deri edhe opozita e vjetër dhe e re, qenkan alarmuar në pikën që të vënë kujën përmes vetë udhëheqësve të tyre?! Kësaj i thonë tamam, “Bir Selman i nënës kë të qaj më parë?!”… Sidoqoftë po jap një sqarim për kë ka veshë të dëgjojë: E para, emrat janë nxjerrë nga komentet e miqve të këtij rrjeti social, pra kanë qenë aty, në postimin prej ku janë përmbledhur dhe nuk janë as “listë e zezë”, as “listë shtrigash”, as kurrëfarë gjëje tjetër përveçse një përmbledhje mekanike që ka bërë Skuadra e Shënimeve.

E dyta, përmbledhja në fjalë nuk është as opinioni im, as qëndrim i imi, as qëllim për të hedhur hije mbi ndokënd apo arsye për të vepruar administrativisht ndaj askujt prej individëve në fjalë.

E treta, “lulet mos më prek” dhe gjithë tallavaxhinjtë e katundit politik e mediatik që qenkan kuturisur sot të vënë kujën për demokracinë në rrezik, i këshilloj të ruajnë energjitë se nuk kanë parë e as dëgjuar gjë akoma! Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm PER SHQIPERINE QE DUAM, e cila do të hapet me fillimin e punës së qeverisë së re, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta. Dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh digjitale nga qytetarë digjitalë që nuk tregojnë identitetin e tyre, po do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij! Pa merak, gjithçka do të jetë morale, ligjore e transparente dhe ferri në fjalë do të jetë prej vërteti jo digjital, sepse boll u cfilit Shqipëria nga Tepsia dhe boll u pataksën njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nga ferrat e administratës shtetërore që janë rritur prej çerekshekulli në lekurën e Shqipërisë✌️