Edhe pse në kohë pandemia shqiptarët nuk heqin dorë nga pushimet, cili...

Edhe pse në kohë pandemia shqiptarët nuk heqin dorë nga pushimet, cili mbetet destinacioni i preferuar tradicionalisht

358
0

Antalia ka qenë një destinacion mjaft i preferuar i shqiptarëve për të kaluar pushimet e verës, me një rritje të fortë gjatë viteve të fundit. Në vitin 2019 udhëtuan drejt dhe nga aeroporti i Antalias përmes charter-ave rreth 62 mijë pasagjerë.

 

Në verën e 2020-s, hotelet në Antalia vijuan punën dhe charter-at me Shqipërinë nuk u bllokuan. Por situata e krijuar me pandeminë ka stepur shumë shqiptarë që të udhëtojnë me pushime drejt Turqisë. Të dhënat e TIA-s tregojnë se drejt dhe nga Antalia udhëtuan gjithsej vetëm 9,700 pasagjerë, me rënie prej 84% në krahasim me vitin e mëparshëm.

 

Sipas përfaqësuesve të agjencive turistike në vend, dy janë arsyet pse shqiptarët vijuan të shkonin me pushime në Turqi edhe në kohë pandemie. Së pari, Turqia ishte e vetmja mundësi për të udhëtuar jashtë, për shkak të mbylljes të kufijve me vendet e tjera. Së dyti, udhëtarët janë shprehur se parapëlqejnë të pushojnë drejt Turqisë për shkak të çmimeve të ulëta.

 

Të dhënat nga institucionet zyrtare turke bënë më herët të ditur se gati 3.3 milionë turistë vizituan provincën mesdhetare në 10 muajt e 2020-s, një rënie prej 77% krahasuar me një vit më parë.

 

Pavarësisht nga një rënie vjetore prej 74%, rusët ishin turistët kryesorë për Antalia-n, me 1.4 milionë vizitorë në periudhën janar-tetor. Ukrainasit ishin të dytët, me rreth 550 mijë turistë, një rënie prej 31% nga viti në vit. Turistët gjermanë, të cilët tradicionalisht qëndrojnë në krye të listës të turistëve të huaj, u renditën të tretët me vetëm 335 mijë turistë. Në vitin 2019, Antalia priti një numër rekord prej gati 15 milionë turistësh të huaj.

 

Nuk rifilluan fluturimet me Egjiptin

 

Egjipti ka qenë një tjetër destinacion që në 2019-n u rikthye në modë për shqiptarët, pas qetësimit të konflikteve që i larguan për njëfarë periudhe pushuesit nga e gjithë bota. Në vitin 2019, ndonëse në nivele të ulëta rifilluan charter-at drejt Sharm El-Sheikh dhe Hurghada-s, me një total prej rreth 4.400 pasagjerësh. Ndërsa në vitin 2020, ky destinacion u bllokua sërish./Monitor