“E vërteta e Vlorës” në “Autokton”/ Roli i djalit dhe nipit të...

“E vërteta e Vlorës” në “Autokton”/ Roli i djalit dhe nipit të Skënderbeut në mbrojtjen e Himarës e rrethinave

58
0

Pas vdekjes së Skënderbeut Andronika u largua nga hakmarrja osmane nga ku i biri i heroit, me emrin Gjon Kastrioti dhe i nipi Gjergj, vazhduan luftën ne territoret e të parëve mbi 10 vjet, duke luftuar në zonat e jugut arbër, si Himarë etj. Epoka Skënderbejane e mori emrin të tillë, pasi fenomeni vetë është i papërsëritshëm, ndërsa veprat e birit dhe nipit, qëndrojnë si roje lavdie veprës së paraardhëësit.

Nën administratën osmane tashmë nga qyteti i Vlorës nisen ekspedidat ndëshkimore drejt atdheut të Rilindjes Europiane, Italisë, ndërkohë që mburoja e saj dhe gjithë Krishtërimit, Skënderbeu, kish lënë pas veprën në formë legjende. Të prira tashmë edhe nga ushtarakë vendas nën  taboret e shumtë e kaluan më në fund ngushticën, ku ata po bënin realitet ëndrrën e Sulltanit të tyre më të egër, Mehmetit të dytë, i cili e kish rrënuar Kostandinopojën qysh 21 vjeç. Me mbërritjen e anijeve të shumta, jo më mbretëritë italiane, por dhe periudha e artë e Rilindjes, po dridhej nën kërcënimin Lindor. Masakra osmane ishte e skajshme dhe sot në formë kujtimi makabër, ruhen rreth 800 skelete të copëzuar mizorisht në një muze unik në Otranto.

 

Vitet, shekujt, ecnin dhe Epoka Skënderbejane nuk kish gjasa të përsëritej, por qysh para saj kishte nxjerrë krye një dukuri e përzishme disfatiste nën emrin e karrierës, ajo e renegatëve kryeministra e Vezirë të Mëdhenj me origjinë shqiptare.

 

 

 

Qysh nga i pari prej tyre Bajazid Pasha, kish dhënë urdhërin më të urryer për kombësinë nga rridhte, marrjen peng të bijve të princërve vendas, përfshi këtu edhe 4 bijtë e Gjon Kastriotit të Principatës së Matit, Stanishën, Reposin, Kostandinin dhe Gjergjin 9 vjeçar në vitin e mbrapshtë 1414.

 

Karli I Anzhu më 7 shtator 1204, kohë Kryqëzatash, përgëzon mbrojtësit e kështjellës për qëndresën, fakt që tregon se “Kastrum Avelonen” (Kështjella e Vlorës) ka ekzistuar shumë më përpara. Por më 1466 kur Principata e Vlorës kish rënë tashmë, kërcënimi prej Flotës Europiane i bëri osmanët e sapoardhur të ti jepnin kështjellës një rëndësi të veçantë, si pika më e avancuar në mbrojtjen e kufijve perëndimore të Perandorisë.

 

Më 1531 sulltani Sulejmani i Madhërishëm, urdhëroi të rindërtohej në kështjella detare e Vlorës, fortesa fare të pakta në Ballkanin Perëndimor, pasi Europa, nuk kërkonte drejtësi, por qetësi brenda Perandorisë Osmane. Ajo u rindërtua në breg të detit me një arkitekturë funksionale të kohës nga vetë “Mikelanxhelo i Orientit”, siç thirrej Arkitekt Sinani, si dhe faltoren kryesore, Xhamien Murad. Kështjella tetëkëndëshe ishte unike rajonin perandorak të Ballkanit përfshinte një sipërfaqe të madhe disa hektarëshe dhe mure mbi 15 metra të lartë, shkruan historiani osman Evliha Çelebi, pasi një rrjet i pakët të tilla fortesash, natyrisht më të vogla, kish vetëm në Ulqin, Budva e Dubrovnik.

 

Ato shekuj nën Perandorinë Osmane ishin shekujt e asimilimit, periudhës më kritike të ekzistencës së kombit shqiptar, e cila për çudi dhe fat u ndërpre pikërisht pas pesë shekujsh, kur pas shtatë të tillëve do të ishim asimiluar totalisht. Kështu që shqiptarët u përpoqën që të ndërtonin domenet e tyre brenda Perandorisë ndoshta me shpresë të lindjes së një shteti shqiptar një ditë, apo ndoshta jo, por në ato zotërime vazhdonte natyra konfliktuale e shqiptarëve. Në trevat jugore Veziri Ali pashë Tepelena në fund të shekullit 18 dhe fillim të atij 19 vetëm për të nënshtruar rivalët dhe zgjeruar territoret në shpinë të atyre vlonjatë, dhjetra prej krerëve bejlerë mes tyre i vrau mizorisht.

 

 

 

Por me rënien e Pashallëkut të Janinës, për krerët e Kazasë së Vlorës filloi një etapë e re kohore, mjaft e rëndë, ajo e konflikteve me Portën e Lartë, që tregonte shkallën e pjekurisë së idesë shtetformuese. Kjo aristokraci opozitare në një periudhë të rrezikshme të reformimit perandorak “Tanzimatit”, në rrezik ekzistence arriti të luajë rolin e saj në mënyrat më komplekse për kohën, që e çuan atë në një përplasje të armatosur me Stambollin. “Parësia dhe disa shqiptarë me rëndësi janë në marrveshje me kryengritësit shqiptarë dhe të një mendimi me ta, por askush prej tyre nuk u ngrit për t’u vënë në krye si udhëheqës..Familjet e para u mënjanuan në marrjen e udhëheqjes, dhe sido që të ketë qënë gjëndja, vëndimi i tyre i shërben interesit të përgjithshëm” i raporton konsulli i Janinës, Klerinxis qeverisë greke. Si strategji kjo shtresë vitale kombëtare dhe kundërshtare e Stambollit, nxorri në skenë një klasë të re luftëtarësh profesionistë që do të mbanin peshën e betejave, si në Kazatë e Mallakastrave dhe të Delvinës, por ajo e Vlorës theu çdo rregull. Në të krerët e kazasë ishin të më të shumtë se të tjerat, ku përfshiheshin edhe pashallarë në të, gjë që tregonte se për konseguencat nuk pyesnin, kur bëhej fjalë për mbajtjen gjallë të shqiptarizmës, edhe ndaj ndëshkimit perandorak.

 

Për këtë në letrën komplekse dërguar mbretit gjerman të Greqisë, Oto fon Vitelsbah për ndihmë më 15 gusht 1847, i kujtonin se pavarësia e Greqisë do të ishte një iluzion pa arvanitasit dhe vetë shqiptarët. Në qoftë se për Kazanë e Mallakastrave në krye firmoste Rrapo Hekali, dhe për atë të Delvinës krerë legjendë si Zenel Gjoleka, Hodo Nivica, Çelo Picari etj, Kazaja e Vlorës me numrin më të madh të krerëve që nga Hadër Sulo Kanina e deri tek Dervish Ali Dukati, 45 krerë ishte kudo e pranishme.

 

Në këtë operacion luftarak Porta e Lartë futi nga të gjitha anët në Shqipëri një numër të jashtzakonshëm trupash edhe me zbarkim. Gazeta ruse “St Petërburgskie” duke ndjekur kryengritjen në Shqipëri njoftonte: “Porta e Lartë me notën e datës 2 gusht 1847 u bëri të ditur ambasadave të huaja, se brigjet e Shqipërisë që nga Preveza deri në Durrës do të jenë të bllokuara pa afat nga forcat detare turke.”  Kështu që mes dy zjarresh në betejat e panumërta Kazaja e Vlorës tregoi se ishte vendimtare;

 

Tragjas e Dukati shumë,

 

Dil o Kanina me vulë!

 

Kaza e Vlorës furtunë,

 

Asnjë nuk e lojti gurë..

 

Por një pakicë krerësh proosmanë që nuk guxuan përballë furisë së shumicës luftarake të feudalëve opozitarë të Portës së Lartë, filluan me armën e stërlashtë, përçarjen dhe asgjesimin e krerëve kryengritës;

 

Hipe kalit hergjelè,

 

Tre sahat Vlorën e bëre,

 

Me bejlerët takove,

 

Të hodhën helm në kafè,

 

Të plasën sytë e s’e pè..

 

Kjo përbën një të vërtetë të hidhur historike, ku asimilimi dhe besnikëria e verbër ndaj sunduesit, e bën qëndrimin e këtyre krerëve vrastar ndaj vëllezërve të një gjaku.

 

Pushteti perandorak pas shtypjes së Kryengritjes kundër Tanzimatit vendosi sanksione duke u konfiskuar pasuritë fisnikërisë vlonjate dhe me fillimin e luftrave ruso-osmane më 1852 i amnistoi nga internimet tërë diabolizëm krerët kryengritës, për ti dërguar në luftë ndaj sllavëve në Malin e Zi. Lufta në territore të panjohura dhe pabesitë që hasen kudo, nuk i penguan krerët e Kazasë së Vlorës të korrnin fitore, por shumë prej legjendave që kishin vënë në vështirësi të papara vetë Portën e Lartë, mbetën në tokë të huaj, si Zenel Gjolekë Kuçi, apo Hodo Ali Nivica etj.

 

Do të kalonin vite të tëra, por dy perandoritë ruse dhe osmane, nuk i linin rrugë njëra-tjetrës, duke përdorur forcën mbi diplomaci. Kjo bëri që rusëve t’u lindëte idea për të përdorur popujt sllavë justifikuar kjo nga liria e tyre dhe dalja nga Perandoria Osmane, ndërsa shqiptarët në një numër të madh shijonin sipas kushteve, jetën Stambollit, ndërsa për territoret shqiptare u shfaq një pikpyetje ekzistence.

 

Dovleti, si edhe flitej perandoria u gjend përpara kapitullimit të papritur ndaj armatave ruse, dhe e detyruar në Shën Stefan lejoi gati gjithë Ballkanin të dilte nga Perandoria, si një fund i turpshëm dominimi. Shqiptarët ngritën Lidhjen e Prizrenit, por duke mos pasur shumë alternativa zgjedhjeje, edhe ata u përpoqën për të dalë nga Perandoria, por vështirësitë në kufijtë e të pamundurës vinin nga jashtë, por më shumë nga brenda. Qindra vite shërbim Stambollit kishin prurë atë moment kritik ku shqiptarët nuk mund ta besonin shkëputjen nga Porta e Lartë, dhe vazhdonin të besonin se mëshira e fatit, nuk ekzistonte. Fare pak mendje të ndritura ishin ato që e peshonin situatën dhe atë çfarë mund të ndodhte, edhe vetë brenda Lidhjes, ndërsa periferive thuajse çdo gjë ishte osmanizuar.

 

Vlonjatët nga ky moment dhe deri në fillim të shekullit 20 kur pyesnin udhëtarët që vinin nga Stambolli, dhe merrnin përgjigjen se “vij nga Turqia”, nënqeshnin duke shtuar habinë e shtegëtarit; Nuk e njohim këtë vend, ne jemi osmanë, gjë që tregonte se këta aksionerë perandorakë e kishin mbajtur Dovletin gjallë për qindra vjet. Ky mendim ishte fatal në një kohë kur duhej, jo të mendohej per të hidheshin hapat ndryshe. Lidhja e Prizrenit kishte në nahijen e Fierit dhe në Berat degë të fuqishme me Mehmet Ali pashë Vrionin etj. por Vlora që ishte rebeluar kaq herë, bartëte tashmë atmosferë mbytëse për kundërshtarët perandorakë. Kjo po të mendosh se në krye të Komitetit të Stambollit, krahas Abdyl Frashërit dhe Pashko Vasës, gjendej si përherë Mustafa pashë Vlora. Në këtë kohë Abdyl Frashëri kish lëshuar kushtrimin për kufijtë jugorë, të kërcënuar përjetësisht nga grekët; “Po të nguli këmbë Greqia në aspiratat e saj të pangopura, të cilat i kundërvihen drejtësisë dhe të drejtës së kombeve, shqiptarët kanë vullnet të patundur që të mbrojnë deri në fund atdheun e tyre e janë betuar të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë tokë dhe të vdesin, po të jetë nevoja. Europa nuk do të marrë përgjegjësinë e luftrave shkatërrimtare që do të inaguronte Greqia për këtë aneksim të shëmtuar, përballë betimit tonë.” në gazetën Monitër Universel, Paris, maj 1879

 

Ishin të shumtë ata që kërkuan ta ndihmonin, qoftë financiarisht, por sëmundja kronike, përçarja bënte ndër vlonjatët më shumë punë, dhe ata nuk duhet të lejonin asnjë veprim kundër Dovletit. Në pamundësi dhe me ndërgjegje të qëtë ndihmat u groposën për të mos shkuar në destinacion, e që u gjetën në themelet që u hapën për hotelin e ri në qendrën historike të qytetit në vitet ‘80, së bashku me një letër listë dhe arsyen përse ishin groposur, por njerëzit e painteresuar për historinë e vendit të tyre, por vetëm për arin, nuk lanë gjurmë. Shteti komunist i kohës, madje nuk la asnjë punëtor në vendin e thesarit, por këtë punë e kryenin policët, natyrisht më të sigurtë e të përbetuar ndaj tij.

 

Por në vend që të heshtnin shqiptarët, luftën e drejtuan në një zhvillim të ri, atë të Gjuhës Shqipe, tipari vendimtar që do të ndërgjegjësonte shqiptarët për origjinën e tyre, peshën që i kanë dhënë historisë dhe natyrisht shtetformimin. Librat shqip nuk kish si të mos dukeshin në qytetin-port të Vlorës, në kohën kur vetëm internimi për to në Azinë e Vogël shkonte deri në 7 vjet.

 

Përsëri vlonjatët të ndarë në dy kampe, njëri në shërbim të aspiratave të kombit dhe tjetri të sunduesëve, vazhduan me vrullin që solli koha punën e tyre. Kjo bënte që edhe pas internimit të shpërthente një hakmarrje, duke e thelluar dasinë mes tyre. Një fakt të vetëm shkëpusim nga kujtimet e një firmëtari të pavarësisë së mëvonëshme; Në Kaza të Vlorës llafi bie, më tjatër kohë e kishin paguarë kush e di sa vetë për këtë punë. Se aty është sqela dhe bijin dhe këta duket libra shqip nga Bukureshti që i bjenë vaporët aty. Një nga këta, Neim Beu nga Kanina e muarti dhe e mbëshehu më vatër. Po atë libër të shkretë, se kujt j’a kish treguar. Hafijet nuk flenë dhe xhandarët ju sosën atë çast Pa e mbajti frymën në Konia në Anadoll syrgjyn, kush e di sa mote. U kthye vetëm filli më Vlorë, po kujt t’i besonte më? E pa Dervish Alinë që e kish spiunuar serbes tutje-tëhu nëpër pazar. Po atje një copë vënd ishte e s’kishje nga e merrje hakën, se prapa xhamisë Murad ishin gazermat, për këtej konsullatat, po ky nuk mbante dotë më!

 

Të hënën që në mëngjes,

 

Qe vrejtur e binte vesë,

 

Mu te Konsull’ e Moresë,

 

Mu përpara xhephanesë,

 

U vra Dervishi teqesë..