E papritur/ Trump gati të takojë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim...

E papritur/ Trump gati të takojë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un

371
0

Presidenti Trump njoftoi se do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un para muajit maj për bisedime mbi çështjen bërthamore. Njoftimi i papritur u bë nga delegacioni i Koresë së Jugut, i cili u takua të enjten me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Njoftimi u konfirmua më pas nga sekretarja e shtypit e zotit Trump, Sarah Sanders në një deklaratë me shkrim, e cila shtoi se vendi dhe koha e takimit nuk janë përcaktuar dhe se deri në mbajtjen e takimit të gjitha sanksionet dhe presioni maksimal do të mbeten në fuqi. Këshilltari i sigurisë kombëtare i Koresë së Jugut, Chung Eui-Yong, i njoftoi gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë se Kim Jung Un kishte shprehur dëshirën për t’u takuar sa më parë me zotin Trump dhe se Presidenti amerikan e kishte pranuar ofertën. Delegacioni koreanojugor u takua në fillim të kësaj jave me udhëheqësin koreanoverior në Phenian dhe më pas u njoftua se Kim Jung Un i kishte dhënë një letër konfidenciale për Presidentin Trump. Sipas zotit Chung, udhëheqësi koreanoverior i kishte thënë se “ishte i përkushtuar për çnuklearizimin” dhe kishte premtuar se Koreja e Veriut do të përmbahej nga kryerja e provave të mëtejshme bërthamore ose raketore. Presidenti Trump komentoi të enjten mbrëma në Twitter: “Kim Jong Un foli për çnuklearizim me përfaqësuesit koreanojugorë, jo thjesht për ngrirje. Gjithashtu, nuk do të ketë prova raketpre nga Koreja e Veriut gjatë kësaj periudhe kohe. Po bëhet përparim i madh por sanksionet do të mbeten në fuqi deri sa të arrihet një marrëveshje. Takimi po planifikohet!” “I shpjegova Presidentit Trump se roli i tij udhëheqës dhe politika e tij e presionit maksimal, krahas solidaritetit ndërkombëtar, na solli në këtë rezultat,” u tha zoti Chung gazetarëve. Zhvillimi i fundit vjen pas një shkrirjeje të marrëdhënieve gjatë disa javëve të fundit mes Koresë së Veriut dhe të Jugut, pas pjesëmarrjes së Koresë së Veriut në Lojrat Olimpike Dimërore të Pjongçangut në Korenë e Jugut. /VOA