Femrat kanë gjithmonë një arsye për t’u trukuar, por çfarë nënkuptimi ka ky gjest në këndvështrimin psikologjik? Një psikolog që merret me këtë fushë na zbulon plot sekrete të këtij arti apo gjesti shumë personal…
Një art i vjetër sa njerëzimi Grimi dhe truku për fytyrën i ka rrënjët të thella në kohë. Studimet arkeologjike kanë nxjerrë në pah se në shumë vende të botës ky është arti i zbukurimit të fytyrës. Dhe, në fakt, në ditët tona tashmë dihet që fytyra zbukurohej me produkte natyrore dhe qëllimi nuk ishte vetëm zbukurimi, por që të dilte në pah edhe karakteri i femrave, personaliteti dhe kushtet shoqërore. Sipas profesor Roberto Pani-t, docent në Klinikën Universitare të Psikologjisë në Bolonja, ky zbulim i arkeologëve edhe një herë nxjerr në pah faktin që truku kishte lidhje si me identitetin psikologjik të një personi, edhe me qëllimin për t’u bërë e bukur për të tjerët. Sipas profesorit, truku i një njeriu mund të evidentojë karakterin dhe personalitetin e tij.
Të lyhesh për t’u ndjerë VIP Edhe pse nuk është një rregull fiks, ajo që na shtyn të lyhemi është shpesh dëshira për t’u përmirësuar, duke nxjerrë në pah disa aspekte të vetes që nuk janë asnjëherë fizike, por të brendshme, pra lindin në brendësi të mendjes, në përjetimin e perceptimit që kemi për veten. Është njësoj sikur femrat, nëpërmjet grimit, duan të luajnë me imazhin dhe identitetin e tyre, duke i thënë vetes: “Dua të ëndërroj sikur jam një divë, një femër seksi, e bukur, e thjeshtë, që të tjerët e vlerësojnë, e ëmbël, në modë” e kështu me radhë.
Nxirrni në pah aspektet psikologjike Ajo çka e bën “serioze” një gjë kaq “argëtuese” si grimi është fakti se kur lyhemi, kemi tendencën të nxjerrim në pah një aspekt të brendshëm që lind në psikikën tonë. “Make up”-i nuk është më vetëm “maskë” që vendoset në fytyrë, por diçka më e thellë. Grimi është pika ku ne referohemi kur prezantojmë veten dhe se si duam që të tjerët të na shohin.
Grimi, tregues sigurie Kush është mësuar të lyhet çdo ditë, e ka të vështirë të dalë nga shtëpia me pamje natyrale, pasi duket sikur nuk ka veshur asgjë. Megjithatë nuk bëhet fjalë për pasiguri: përkundrazi, arsyeja pse ndihemi mirë kur lyhemi shpjegohet me faktin që një femër e trukuar ka tendencën të nxjerrë edhe më tepër në pah pjesë të fytyrës që mendon se janë tërheqëse. Pra, kur lyhemi, kemi bindjen se jemi tërheqëse dhe të dëshiruara. Mirëpo, ka nga ato që lyhen aq shumë, sa duken qesharake. Kjo tregon jo vetëm pasiguri, por edhe një nevojë për të injoruar një defekt që nuk na pëlqen. Dhe kështu ‘i dorëzohemi’ penelit, lapsave dhe xixave me një tepri të jashtëzakonshme.
Lyerja e syve, arsye psikologjike Në një sondazh të bërë, grimi i syve është e vetmja gjë pa të cilën femrat nuk bënin dot, duke filluar që nga rimeli. Shumica prej nesh, kur sapo zgjohet nga gjumi në mëngjes, para se të dalë për angazhimet e ditës, mjafton të bëjë një grim të lehtë dhe një kalim rimeli mbi qerpikë për t’u ndier mirë me veten.
Ç’nënkupton lyerja e buzëve? Lyerja e buzëve tregon dëshirën për të shprehur sensualitetin dhe feminitetin personal. Kjo dëshirë është edhe më e fortë kur përdoren buzëkuqe me ngjyra të ndezura e të gjalla, apo edhe plot shkëlqim.
Ngjyrat e ndezura dhe të lehta Edhe ngjyrat e përdorura kur lyhemi tregojnë anën psikologjike ose probleme të caktuara psikologjike që po kalojmë. Ngjyrat e forta të buzëkuqit, manikyrit, pluhurit të syve tregojnë gjallëri, por ndonjëherë mund të jenë dhe një tentativë për të fshehur trishtimin dhe melankolinë. Paradoksalisht, nëse një grua lyhet me shumë shkëlqim, nuk do të thotë se është e lumtur. Femrat që lyhen me ngjyra të lehta shpesh janë të ndrojtura dhe mund të fshehin ndrojtjen e të qenit në qendër të vëmendjes.
Lyhemi për vete apo për të tjerët? Në përgjithësi, femrat lyhen për mirëqenien e tyre, në kuptimin që kanë dëshirë ta shohin veten me një imazh të tillë i cili të përfaqësojë atë çka ato duan të zgjedhin, shkruan revista Psikologji. Një femër që lyhet, e bën edhe për njerëzit që e rrethojnë, që takon në jetën e përditshme, partnerin etj. Përgjithësisht lyhemi për mirëqenien tonë, por edhe duke pasur parasysh që do të na shohë dikush të lyera dhe që mund të na vlerësojë.
Kur grimi nuk përmirëson imazhin Kur grimi nuk është në harmoni me fytyrën e një femre, tentativa për të ndryshuar një pjesë të fytyrës duke përdorur produkte me tepri jep një efekt të shëmtuar. Dhe kjo lidhet me faktin që me lyerjen shtrembërojmë imazhin tonë para të tjerëve. Ndaj duhet së pari të mësojmë artin e “make up”-it. Kur ulemi para pasqyrës me produktet kozmetike është njësoj si të fillojmë të pikturojmë në një telajo: një piktor para se të marrë penelin në dorë, e ka një projekt në mendje dhe më pas, me idenë në kokë, është në gjendje ta realizojë pikturën me penela e ngjyra. E njëjta gjë vlen edhe për grimin.