DW: A janë zgjedhjet lokale në Shqipëri moniste?

DW: A janë zgjedhjet lokale në Shqipëri moniste?

376
0

Në Shqipëri po zhvillohen sot zgjedhjet lokale 2019 për zgjedhjen e kryetarëve të rinj në 61 bashki. Gjatë pothuaj tre dekadeve post-komuniste këto janë zgjedhjet e para që zhvillohen në kushtet kur Presidenti Ilir Meta i ka cilësuar jo të ligjshme dhe kur opozita kryesore në vend, e drejtuar nga Partia Demokratike (PD) nuk merr pjesë.

Orët e para të zhvillimit të zgjedhjeve janë karakterizuar nga disa protesta të qytetarëve para qëndrave të votimit, në 3 shkolla të mesme në Tiranë. Qytetarë, kryesisht mbështetës të opozitës, protestojnë ndaj zhvillimit të zgjedhjeve pa opozitën, duke i quajtur zgjedhjet e kësaj të diele „ zgjedhje moniste”

A janë Lokalet 2019 moniste?

Bojkoti i opozitës ka sjellë që në 31 bashki përballë kandidatëve për kryetar bashkie të mos ketë asnjë konkurrent. Partitë e reja opozitare parlamentare nuk arritën dot të kenë kandidatura. Ato u formuan nga ish-kandidatë për deputetë, në listat e PD dhe LSI, që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare 2017 dhe hynë në Parlament pas heqjes dorë në bllok nga mandatet parlamentare te deputetëvetë PD dhe LSI, që protestojnë prej 4 muajsh për largimin e kryemnistrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij.

Kryetari i PD dhe opozitës jashtë parlamentare Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të bojkotojnë votimin dhe të mos marrin pjesë në zgjedhje, të cilat i cilëson si „farsë” dhe kthim pas në kohën e regjimit komunist, të zgjedhjeve një partiake.

Mbështetës të qeverisë në zgjedhjet lokale

Zgjedhjet zhvillohen në një atmosferë tensioni. Në ditët që paraprinë 30 qershorin , në bashkitë e fituara nga PD në zgjedhjet e kaluara lokale, të vitit 2015, ka patur  protesta dhe mosbindje civile nga mbështetës të opozitës, janë bllokuar qëndra votimi, janë djegur materiale votimi. Policia ka arrestuar rreth 50 autorë që kanë kryer akte dhune për të pamundësuar zgjedhjet. Ajo ka hapur me forcë qëndrat kyçura me dryn të votimit, kryesisht shkolla.

Ndonëse Presidenti Meta i quan zgjedhjet lokale të kësaj të diele „ të paligjshme” ato po zhvillohen sipas dekretit të tij, në tetor 2018 që vendosi 30 qershorin si datë. Dy dekrete të njëpasnjëshme gjatë këtij muaji,  që shfuqizuan 30 qershorin dhe caktuan 13 tetorin e këtij viti si datën e re u shpallën ” nul” nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor, Gjykata më e lartë për zgjedhjet në Shqipëri. Presidenti Meta nuk u njohu këtyre organeve kompetencën për zhvlerësimin e dekreteve presidenciale.

Parlamenti po vijon procedurat për shkarkimin e Presidentit Meta, pasi e konsideron akt antikushtetues shfuqizimin e 30 qershorit si datë zhvillimit të Lokaleve 2019.

Zgjedhjet Lokale 2019 po vëzhgohen nga misioni ndërkombëtar i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe vëzhgues nga vendet anëtare të BE, mes të cilëve edhe nga Gjermania./DW.de/