Ekonomi

‘Duty Free’/ Gjykata rrëzon Financat, reagon ambasada e SHBA

By vizional

February 11, 2020

Gjykata Administrative e Shkallës së parë Tiranë, ka pranuar sot kërkesën e kompanisë Albania Duty Free Distribution për shfuqizimin e vendimit të Ministrisë Ministrisë së Financave për t’i anuluar autorizimin për ushtrimin e aktivitetit tregtar në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit.

 

Me këtë vendim, bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, do vijojë kontrollin e dyqaneve pa taksa në Rinas, edhe pse për këto dyqane tenderin e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e cila ka lidhur edhe një kontratë me TIA që në korrik të 2019.

 

Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe ambasada e SHBA, e cila shkruan se klima e biznesit në Shqipëri është zhgënjyese për investimet e huaja.

 

“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme”, deklaron ambasada e SHBA-së./