Çfarë do të bënit nëse ju thonë se ju kanë ngelur vetëm pak ditë jetë? Do t’i kalonit me familjen e me miqtë, nuk do të mendoheshit dy herë për të provuar gjëra të ndaluara apo thjesht do të prisnit i,e qetë atë që ka fati ka paracaktuar për ju? Mundësitë janë të pafundme,por kur Gary Smart u gjend përpara kësaj situate e dinte mjaft mirë se ç’donte: të ndante orët e tij të fundit me gruan e jetës. Historia e tij është publikuar së fundmi në shtypin britanik duke emocionuar me mijëra njerëz në botë.
33-vjeçari, baba i një djali të vogël, ishte diagnostikuar me një kancer agresiv në mushkëri në qershor të vitit të kaluar. Edhe pse kishte kryer dy ndërhyrje kirurgjikale dhe i ishte nënshtruar kimioterapisë, mjekët nuk mund të bënin asgjë për të. Kur këta të fundit i thanë që i kishin ngelur pak ditë, Gary nuk u mendua dy herë dhe i kërkoi të dashurës të martoheshin në ato momente.
“Kishim aq shumë plane, por fati kishte projektuar të tjera gjëra për ne. Gary më tha se donte të ishte bashkëshorti im, qoftë edhe për pak orë. Kisha ëndërruar gjithmonë një dasmë madhështore, por në ato momente e vetmja gjë që doja ishte ta bëja të lumtur. Mjekët lajmëruan një prift, i cili pranoi të na martonte brenda në spital”- rrëfen Laura, gruaja e tij.
Edhe pse ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, Gary arriti t’i vinte unazën Laurës dhe të bënte betimet e martesës. “Atë natë unë u shtriva në shtrat me të dhe pamë “Fast and Furious 8”. U përgjuma për pak, por nga ora 3 e mëngjesit pashë që mjekët më larguan sepse gjendja e tij ishte përkeqësuar. Ai më pa për herë të fundit dhe më pas ra në agoni. Kishim vetëm shtatë orë si burrë e grua dhe unë e humba përgjithnjë.”-rrëfen ajo./BURIMI “MIRROR”