Drejtësia në dorë të fatit; goglat vendosin anëtarët e parë të KLGJ-KLP

Drejtësia në dorë të fatit; goglat vendosin anëtarët e parë të KLGJ-KLP

372
0

Me fat dhe jo me votë u përzgjodhën anëtarët jo gjyqtarë dhe ata jo prokurorë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Nënkomisioni i posaçëm i Ligjeve nuk ra dakord as herën e tretë dhe të fundit. Emrat që shorti i listoi për 5 vende në KLGJ dhe 5 në KLP nga radhët e avokatisë, pedagogëve dhe shoqërisë civile zyrtarizohen të enjten si anëtarë edhe pse nuk do të gëzojnë mbështetjen e 94 votave për miratimin në bllok të listave. Para se shorti të hidhej Partia Socialiste i hoqi mundësinë Kozma Janos për të pritur fatin e goglave, fat që i buzëqeshi në shortin e parë. Mazhoranca e hoqi nga lista kandidatin për KLGJ-në, pasi autoriteteti i dosjeve njoftoi se po bën hetim të thelluar nëse Kozma Jano ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit apo jo, sikundër thuhej në dokumentat që publikoi PD para dy javësh.

Ulsi Manja, PS: Janë kushte ligjore që nëse vërtetohen e çojnë kandidatin në kushtet e pazgjedhshmërisë. I propozoj komisionit që ky kandidat të mos jetë pjesë e shortit.

Oerd Bylykbashi, PD: Ju thotë institucioni që nuk kemi informacion dhe po hetojmë dhe ju thoni na mjafton kaq. Ua thotë ONM që duhet skualifikuar, jo thoni ju, ONM nuk na mbush mendjen!

 

Ulsi Manja: Ju jeni për të qëndruar në garë kandidati Kozma Jano?

 

Oerd Bylykbashi: Te tasi i qershive, nuk është se ka ndonjë diferencë se çfarë qershie po kap.

 

Përveçse PD nuk do t’i bashkojë votat as në seancë plenare të enjten, në mbledhjen e Grupit Parlamentar vendosi t’i përqendrojë diskutimet tek situata e drejtësisë dhe problemet social-ekonomike. Deputetët demokratë nuk përjashtojnë as skenarin e bllokimit të seances, nëse do të pengohen të flasin.

 

ANËTARËT JO GJYQTARË PËR KLGJ

 

AVOKATIA

Fatmira Luli

Alban Toro

 

PEDAGOGËT

Erion Muharremaj

Maksim Qoku

 

SHOQËRIA CIVILE

Naurela Llagami

 

ANËTARËT JO PROKURORË PËR KLP

 

AVOKATIA

Nurihan Seiti (Metaj)

Tartar Bazaj

 

PEDAGOGËT

Gent Ibrahimi

Sandër Beci

 

SHOQËRIA CIVILE

Alfred Balla