Drafti i ri/ Ndryshon taksa e ndërtesës, do llogaritet mbi çmimet e...

Drafti i ri/ Ndryshon taksa e ndërtesës, do llogaritet mbi çmimet e tregut. Ekspertët: Tirana dhe bregdeti do paguajnë më shumë

226
0

Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) është duke rishikuar vendimin e metodologjisë për llogaritjen e vlerës së taksës së ndërtesës.

 

Ministrja e MFE-së Delina Ibrahimaj në konferencën për ecurinë e ekonomisë pohoi se për taksën e pronës një nga propozimet është të taksohet me vlerën e tregut.

 

Monitor mëson se tashmë MFE ka nisur punën për draftin e ri ardhshëm për ndryshimet e taksës së ndërtesës që pritet të jetë gati vitin e ardhshëm.

 

Drafti i ri nuk synon ndryshimin e nivelit të taksës që është sa 0,05% e vlerës së shtëpisë, por bazën e llogaritjes së taksës që është vlera e shtëpisë.

 

Ndryshimet e bazës së llogaritjes së taksës synojnë të përafrojnë nivelin e taksimit me çmimet aktuale të apartamenteve, ku në shumë zona të kryeqytetit, kryesisht ndërtimet e reja kanë pësuar rritje të lartë. Për rrjedhojë pritet që për të përcaktuar vlerën e shtëpisë do të përdoren çmimet sipas kontratave të shit-blerjes së regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).

 

Aktualisht në mungesë të çmimeve të tregut për të vlerësuar bazën e taksës së ndërtesës përdoren çmimet mesatare referuese të përcaktuara në aneksin 1 të vendimit nr.132 “Për metodologjinë e përcaktimit të vlerës së taksueshme të pasurive të paluajtshme “ndërtesa”.

 

Vlera e apartamenteve aktualisht llogaritet me çmimet fiskale referencë për metër katror, që përdorin Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në aneksin e vendimit janë të përcaktuara edhe çmimet mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllim banimi sipas qyteteve, ndërsa për Tiranën çmimet janë të ndara në 32 zona kadastrale.

 

Sipas raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë çmimet e apartamenteve periudhën janar-qershor 2022 janë rritur 28,4% në raport me 6-mujorin dhe 39% në krahasim me një vit më parë. Ndërsa indeksi i çmimeve për shitjet në kryeqytet regjistroi një rritje prej 28,5% ndaj periudhës paraardhëse dhe rreth 40% ndaj një viti më parë.

 

Drafti i ri gjithashtu do të përcaktojë indeks të ri për taksimin e truallit dhe tokës bujqësore, të cilat nuk përcaktuan në vendimin aktual.

 

Eksperti i çështjeve të pushtetit vendor Agron Haxhimali tha për “Monitor” se nëse do të ndryshojë baza e llogaritjes së taksës që është vlera e shtëpisë, ata që kanë prona në kryeqytet e bregdet do të paguajnë më shumë se aktualisht, për shkak të rritjes së çmimeve.

 

“Llogaritjet mbi bazën e tregut pa diskutim që do të thotë së do të paguajnë më shumë, ata që posedojnë prona në zonat urbane në bregdet dhe mbi të gjitha në kryeqytet. Pasi këto zona po shënojnë dhe imponojnë çmime të vlerës së pronës, si pasojë e kërkesës së tregut, por edhe për faktorë të tjerë, që kërkojnë një tjetër analizë. Kujdesi duhet lidhur me të vërtetën e vlerës reale, dhe prekjen e shtresave në nevojë që jetojnë me ekonomi të dobët edhe në ndërtesa, ku çmimi i zonës zone ka vlerë ndryshe nga çmimi referues”.

 

Sipas Haxhimalit ndryshimet e llogaritjes së vlerës së shtëpisë treguan mosfunksionimin e sistemit aktual.

 

“Së pari kjo tregon se reformat dhe ndryshimet ligjore që u bënë për taksimin e pronës në 2018 nuk paskan qenë të mirë studiuara dhe analizuara, meqë pas 4 vitesh kërkohet sërish ndryshime.

 

Së dyti është dhe ishte dhe kur u bënë ndryshimet e taksimit të pronës çështje e taksimit mbi vlerën reale të pronës dhe jo mbi bazë të çmimit të referencës.

 

Se treti, korrigjimet shume mirë që bëhen, por është me rëndësi që të ndërtojmë ligje, mekanizma dhe instrumente që t’i rezistojnë kohës dhe të mos dëmtojnë qytetarët më asnjë aspekt.

 

Taksimi sigurisht duhet të jetë i drejtë dhe real për çdo pasuri të çdo kategorie. Tani ka disa rruge që na çojnë në taksimin mbi vlerën reale. E para është vetë deklarimi që mesa mendoj vështirë se funksionon, pasi asnjë nuk do dhe mbase nuk di vlerën e tregut të pasurisë.

 

Një rrugë tjetër është nëpërmjet verifikimit nga transaksionet, nga zyrat noteriale dhe kadastra. Por edhe këtu jo të gjithë e trajtojnë pronën e tyre. Ndaj rruga tjetër është përcaktimi sërish nga ligji, pasi vështirë të përcaktosh vlerën reale nga opinione dhe vlerësime të palëve të treta. Meqenëse tani është rihap kjo çështje duhet se pari konsultime dhe praktika nga vende te tjera. Por gjithsesi duhet përshtatshmëri me kontekstin lokal”, pohoi ai.

 

Shembull si llogaritet sot taksa e ndërtesave

 

Detyrimi vjetor i taksës së pasurisë duke marrë në konsideratë çmimin e vlerësuar për një apartament llogaritet si më poshtë: Detyrimi vjetor i taksës = çmimi mesatar referues( sipas qytetit përkatës) x sipërfaqe (m²) x shkalla e taksës.

 

Referuar tabelës të aneksit 1 të vendimit, çmimi mesatar fiskal për zonën kadastrale 5/1 që zona e ish Bllokut dhe Librit Universitar, çmimi referencë është 190,000 lekë/m2. Vlera e një shtëpie me sipërfaqe 100 m2 është 19,000,000 lekë. Taksa është sa 0,05% e vlerës, pra 9,500 lekë në vit. Ndërsa taksa për apartamentet e privatizuara, për të cilat nuk është kryer asnjë transaksion shitblerje llogaritet se 70% e vlerës.

 

Për një familje që jeton në qytetin e Durrësit, në një shtëpi me sipërfaqe 100 m2, vlera e shtëpisë llogaritet 6,750,000 lekë. Çmimi fiskal për këtë qytet është 67,500 lekë/m2. Taksa do të jetë sa 0,05% e vlerës së shtëpisë, pra, 3375 lekë. Por, në rast se qytetarët kanë në pronësi një shtëpi, të cilën e privatizuan me ligjin nr.7652, datë 23.12.1992, taksa llogaritet për 70% e vlerës.

 

Marrë nga: Monitor