Aktualitet

Dosja “Shullazi”, dëshmon ish-drejtori i Hipotekave: Vollga u regjistrua kur isha me pushime

By vizional

September 26, 2017

Ish-kreu i hipotekave, Ilirjan Muho ishte dëshmitari i radhës në procesin gjyqësor ndaj Emiliano Shullazit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij. Muho rrëfeu para gjykatës për takimin e tij me Shullazin, pak ditë pas regjistrimit të pronësisë së ish-hotel “Vollgës” nga hipoteka e Durrësit. Emiliano Shullazi nuk mori pjesë në seancën e së martës ndaj tij dhe grupit tek Krimet e Rënda, ku përfaqësohej nga avokati. Për këtë shkak i pandehuri nuk u përball në sallën e gjyqit me ish-kreun e Hipotekave, dëshmitarin Ilirjan Muho. Ish-zyrtari i lartë rrëfeu para gjykatës takimet me Shullazin dhe biznesmenin Ylvi Beqja, pak pasi Hipoteka e Durrësit kishte regjistruar si pronë të tyre ish-hotel Vollgën. Dëshmitari tha se regjistrimi i pronës ishte bërë në një kohë që ai ishte me pushime. Pa kthimit në detyrë dëshmitari kishte pritur në takim palën kundështare të Beqjes në konfliktin mbi pronësinë e ish-Vollgës. “Përfaqësuesi i kësaj pale më tha se ishte cënuar nga regjistrimi i pronës. Pati tone të larta zëri prej tij në takim dhe disa herë i kërkova të qetësohej. Unë ngrita një grup punë për verifikimin e procedurës dhe vendosa pezullimin e tjetërsimit të pronës”, theksoi dëshmitari.  Disa ditë më vonë dëshmitarit i ishte kërkuar një takim nga Shullazi dhe biznesmeni Beqja. “Nuk kisha asnjë kompleks. I kam takuar në nja kafe pranë ‘21 dhjetorit’. Emiliano Shullazi u prezantua si bashkëpronar i ish-hotel Vollgës. Pezullimi kishte penguar qëllimet e tyre. I thashë Ylviut të më sillte dokumentet që kishte. I solli më vonë në zyrën time. Rezultonte se Shullazi ishte bashkëpronar”, rrëfeu Muho. Dëshmitari saktësoi se pezullimi kishte skaduar në përfundim të afatit 30-ditor. Në takimet e mëvonshme që kishte pasur me biznesmenin Beqja, Muho tha se ai nuk i kishte shprehur ndonjë shqetësim në lidhje me Shullazin. Ndërsa dëshmitari Fehmi Zaka tregoi për konfliktet mbi pronësinë e një garazhi të djalit të tij Jani Zaka tek ish-parku. Dëshmitari tregoi se nuk e dinte vendodhjen e të birit, i larguar nga vendi pas shpërthimit me eksplozi në këtë parking në shkurt 2015. Në sallën e gjyqit, Zaka nuk përmendi ndonjë kërcënim nga Shullazi. Në dëshminë e dhënë prej tij gjatë hetimit, Fehmi Zaka kishte pohuar se para largimit ne vendi i biri i kishte treguar kërcënimin nga Shullazi. “Ai i kishte thënë të kalonte pronësinë e parkingut në emër të Blerim Shullazit”, kishte pohuar dëshmitari. Seanca vijoi me dëshmitarë të tjerë të akuzës. Emiliano Shullazi dhe katër të bashkëpandehurit e tij akuzohen për “gjobëvënie”, “kanosje” dhe “grup të strukturuar kriminal”./ABCNEWS