Dosja 339/ Doli në përgjimet e publikuara nga BILD, zgjidhet në krye...

Dosja 339/ Doli në përgjimet e publikuara nga BILD, zgjidhet në krye të Këshillit Bashkiak…

294
0

Këshilli Bashkiak i Durrësit i dalë nga votimet e 30 qershorit do të drejtohet nga Ani Dyrmishi, i cili u zgjodh dje në mbledhjen e parë, ku u betua edhe kryebashkiakja Valbona Sako.

Dyrmishi ka mbajtur më parë postet e drejtorit të Hipotekës në Durrës, por edhe ka drejtuar Hekurudhën shqiptare.

Emri i tij u përfshi në një listë të “zezë” të publikuar nga Rama pas zgjedhjeve parlamentare të 2017, kur i bëri thirrje drejtorëve të institucioneve të jepnin dorëheqjet.

Por kjo nuk e pengoi Dyrmishin të vijonte karrierën në institucione, madje edhe në rradhët e Rilindjes. Ai është konsideruar shpesh si një nga të besuarit e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i cili, bashkë me familjen e tij nuk lejohen të futen në SHBA, pasi përfshihen në “listën e zezë” bazuar në të dhënat që kanë amerikanët për korrupsion në nivele të larta.

Emri i Dyrmishit rezulton edhe në përgjimet e publikuara nga prestigjozia gjermane “Bild”, si pjesë e dosjes 339, që bën fjalë për manipulimin e zgjedhjeve në 2017 në qarkun e Durrësit.

Ani Dyrmishi ka dalë në përgjime duke komunikuar me Astrit Avdylajn, i konsideruar si kreu i grupit të Shijakut, ndërsa në kohën kur janë realizuar përgjimet ai mbante postin e drejtorit të Hipotekës së Durrësit.

Dyrmishi është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me përgjimet e publikuara, në kuadër të hetimeve që po zhvillon kjo prokurori.