Kulture

Doli në treg Monografia e rrallë “Anita Bitri një meteor, në qiellin e këngës shqiptare”

By vizional

November 05, 2019

-Sekretet- enigmat

NË VEND TË PARATHËNIES…

Albert Z. ZHOLI

 

 

Sigurisht, Anita Bitri u bë parakohe një emër i madh në panteonin e muzikës së lehtë shqiptare. Ky libër, megjithatë, gjithsesi nuk mund ta përmbylli një jetë aq intensive. Me siguri shkrimtarë a biografë, miq të këngëtares, apo kolegë të saj do të kenë rastin edhe më tej të shkruajnë më ndryshe. Një jetë nuk është siç e shohim, madje edhe kur e rishkruajmë vet. Ajo ka skuta të magjishme të cilat shpesh as individi nuk i vë re. Por, në shpërfaqjet e fuqishme si ato të Anita Bitrit, në  parakalimet e mëdha e të forta të një jete që prej adoleshencës e deri në fund të jetës, të gjithë ata që e dëgjuan dhe e shijuan zërin e saj të mrekullueshëm, gjithë ata që e takuan, e vlerësuan, e aktivizuan, ia ndjenë frymëmarrjen pas kuintave para dhe pas interpretimeve famoze, me siguri do të shënojnë ndjesitë e tyre. Këto faqe libri mund të shërbejnë edhe si shtysa për më tej, pasi jeta e saj mbetet unike, e rrallë, specifike dhe plot mistere. Ishte kjo jetë befasuese, tepër e veçantë, me kulme befasuese në kohë të shkurtër, që shërbeu si shtysë për këtë libër, sepse ka ende figura në panteonin e madh të muzikës shqiptare këngëtarë, kantautorë, dirigjentë e kompozitorë për të cilët nuk është shkruar thuajse asgjë. Por unë mendoj se jo thjesht interesimi i atyre që e deshën aq shumë Anitën, jo vetëm trishtimi që ngjalli në mbarë botën shqiptare ikja e saj aq e parakohshme, aq tragjike, por sepse vet individualiteti që krijoi në ato pak vite të interpretimeve të saj skenike, la pas vetes një ëndje të madhe kulture, energjie, entuziazmi, la pas vetes një shpresë se emri dhe kënga e Anitës do të shndriste fort në truallin thuajse të ngrirë të vendit të saj aq të bukur, la pas një dëshpërim të madh.

 

Një këngëtare aq entuziaste, një vajzë e re e cila këmbënguli gjithmonë ta shkrinte në jetë gjithë bagazhin e vet kulturor, thuajse të gjitha hobet e çuditshme, të cilat as që kishin lidhje me njëra-tjetrën, si volejbolli, noti a gjimnastika, me sentimentet e interpretimeve skenike, – sigurisht zotëronte jo thjesht një këmbëngulje e vullnet, kulturë e pasion, por gëlonte brenda saj një botë e madhe idesh, ëndrrash, dëshirash, një botë të cilën nuk do të mundte të arrinte ta shpërfaqte plotësisht.

 

Biografë njerëzish të mëdhenj të muzikës e artit shpesh flasim për trashëgimi genetike të kolosëve që do të tronditnin botën në jetën e tyre. Sigurisht askush nuk mund ta mohoj genetikën dhe misteret e saj të çuditshme. Por Anita Bitri ishte vajza e vetme e një familje njerëzish që u shkolluan pas Luftës së Dytë Botërore, siç ndodhi me qindra mijëra shqiptarë dikur analfabetë e të varfër. Kjo tip celule, përmes së cilës kanë kaluar mijëra intelektualë të ardhëm, shpesh të nxiste, por edhe të frenonte, ishte gati të shiste edhe rrobat e trupit për shkollimin e fëmijës, por po aq ishte e paqartë se ku do të mbërrinte ai ose ajo.

 

Jeta e njeriut është gjithashtu një cikël rastësish të cilat zmadhohen ose mbyten në detin e askundit për shkak të pamundësive, për shkak të ëndrrave që digjen në ditën e dytë të së vërtetës, sikundër formësohen, tronditen, përçahen, ribashkohen përsëri përmes dhimbjesh. Sidomos arti është një fushë talenti e ndjeshmërie të lartë njerëzore. Anita Bitri për fat e kaloi periudhën e sukseseve të saj të para e stimuluar jo vetëm nga prindërit e vëllezërit, por edhe nga shoqëria totalitariste e viteve 1980, kur ajo nisi të shkëlqente, investonte fuqishëm në këto talente të reja edhe sikur njerëzit të mos kishin as bukë të hanin. Kemi kohë të flasim për kufizimet ideore, për ngushtësinë e të kundruarit të artit me gjerësinë dhe individualizimin, me format muzikore dhe lirinë e shprehjes së vargjeve, me lëvizjet në skenë e deri te dekoret standarde e të politizuara. Por një vajzë si Anita Bitri kishte, ama, të drejtën ta përçonte zërin e saj te ata që e dëgjonin në sallën e madhe a të vogël, të incizohej në radio a të filmohej në televizionin e vetëm kombëtar dhe kjo sigurisht e bënte aq të njohur..

 

Në këtë atmosferë sa intime po aq edhe shoqërore në qytetin e Vlorës do të binte në sy një vajzë e re, jo fort e gjatë në trup, por gjithsesi e bukur, me një zë brilant që do të mrekullonte specialistët, por edhe artdashësit. Qysh në moshën gjashtë vjeç ajo do të ishte nxënësja e pedagogut të shquar Robert Papavrami në veglën e violinës. Dihet mirë tashmë se kush ishte mjeshtri Papavrami. Atë e bëri tepër të njohur jo vetëm talenti i të birit, violinistit të famshëm Tedi Papavrami, por skrupuloziteti me të cilin ai përparonte nxënësit e vet, që nga Liceu artistik “Jordan Misja”, në Tiranë e deri në shkollat e muzikës nëpër rrethe. Qe fat sigurisht për vogëlushen Anita Bitri që të kishte për pedagog këtë emër të rëndësishëm të violinës. Robert Papavramin e kujtojnë edhe sot qindra nxënës e student të tij në orkestrat e mëdha a të vogla simfonike të vendit, apo edhe gjetkë.

 

Ky qe një hap domethënës, një fat. Një violinë është një violinë, jo aq si vegël muzikore, por për lirizmin që buron nga telat e saj. Ky ushqim depërtues në ndjesitë e një fëmije e që rritet me të, sigurisht nisin e shtohen shije, ide, nota, fluturime pindareske, përplasje krahësh të një zogu a të një fluture, përpëlitje këto të shpirtërave të ndjeshëm.

 

Anita do të dilte të interpretonte para spektatorëve pikërisht me këtë vegël aq fisnike, me këtë instrument që në fillim ndoshta ishte më i gjatë se trupi i saj prej gjashtë vjeçareje.

 

Ky libër për jetën e saj nis këtu…Me tingujt e magjishëm të një violine.

 

Deri te tragjedia e madhe, te ngjarja e përditshme pabesisht banale, që i mori gjithë malin e ëndrrave, gjithë librin e veprave, të gjitha lajtmotivet e këngëve, bukurinë e vargjeve, pasionin e zërit të saj, familjen e gjithçka të shtrenjtë dhe…i dogji!  Autori