
Larry Brilliant, epidemiologu që ndihmoi në zhdukjen e lisë së dhenve 14 vjet më parë, në një fjalim për TED Speech, e përshkroi se si do të dukej pandemia e radhës.
“Një miliard njerëz do të sëmuren, ndërsa 165 milionë njerëz do të vdesin. Do të ketë një recesion global, depresion dhe kosto për ekonominë 1 deri në 3 trilion dollarë, do të jetë më keq sesa vdekja e 100 milionë njerëzve, sepse shumë më shumë njerëz do të humbnin punën dhe përfitimet e tyre të kujdesit shëndetësor, në mënyrë të tillë që pasojat janë pothuajse të paimagjinueshme”, tha ai.
Brilliant është sot kreu i bordit të Ending Pandemics (Fundi i Pandemive) dhe po ndan përvojën me ata që janë në “vijën e zjarrit”. Ai ka qenë këshilltari teknik për filmin horror “Contagion”, ka punuar me Organizatën Botërore të Shëndetit në përpjekjen për t’i dhënë fund lisë.
Keni shpjeguar domethënien e koronavirusit të ri?
Novel do të thotë që është e re. Që nuk ka qenie njerëzore në botë që ka imunitet, sepse mund ta ketë pasur më parë. Kjo do të thotë se është i aftë të infektojë 7.8 miliardë vëllezërit dhe motrat tona.
Meqenëse është i ri, ne ende po mësojmë për rreth tij. A besoni se nëse dikush që është prekur, dhe shërohet, mund të infektohet sërish?
Unë nuk shoh asgjë në këtë virus, edhe pse është i ri, që bie në kundërshtim me këtë. Ka raste kur njerëzit mendojnë se janë infektuar sërish, por ka më shumë të ngjarë që të jetë një gabim i testit sesa një rikthim i virusit. Por do të jenë dhjetëra miliona prej nesh ose qindra miliona prej nesh ose më shumë që do ta marrin këtë virus para se të përfundojë gjithçka, dhe me një numër të madh si ai, pothuajse çdo gjë që ju pyesni “A ndodh kjo?”, mund të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se është me rëndësi shëndetësore publike ose epidemiologjike.
A është ky shpërthimi më i keq që keni parë ndonjëherë?
Është pandemia më e rrezikshme në jetën tonë.
Neve na kërkohet të bëjmë gjëra, sigurisht, që nuk na janë kërkuar kurrë, të qëndrojmë në shtëpi, të mbajmë disa metra distancë nga njerëzit e tjerë, të mos shkojmë në tubime në grup. A po marrim këshillat e duhura?
Epo, tani që po flasim, po pretendoj se jam në një seancë meditimi, por në të vërtetë jam gjysmë i karantinuar në Marin County. Po, kjo është këshillë shumë e mirë. Por, a morëm këshilla të mira nga presidenti i Shteteve të Bashkuara për 12 javët e para? Jo. Gjithë sa kemi marrë ishin gënjeshtra. Duke folur si një zyrtar i shëndetit publik, ky është akti më i papërgjegjshëm i një zyrtari të zgjedhur që kam parë ndonjëherë në jetën time. Por ajo që po dëgjoni tani [për të izoluar, mbyllur shkollat, anuluar eventet] është e drejtë. A do të na mbrojë plotësisht? A do ta bëjë botën të sigurt përgjithmonë? Jo.
Kur mund të dalim nga shtëpia pa frikë?
Nëse kjo do të ishte një ndeshje tenisi, unë do të thosha se tani ka përparësi virusi. Por ka vërtet një lajm të mirë nga Koreja e Jugut – ata kishin më pak se 100 raste sot. Kina kishte importuar sot më shumë raste sesa kishte nga transmetimi i vazhdueshëm nga Vuhani. Modeli kinez do të jetë shumë i vështirë për ne që ta ndjekim. Ne nuk do t’i bllokojmë njerëzit në apartamentet e tyre. Por modeli i Koresë së Jugut është ai që mund të ndjekim. Fatkeqësisht, ai model kërkon të bësh numrin proporcional të testeve që ata bënë – ata bënë një çerek milioni. Në fakt, deri në kohën kur Koreja e Jugut kishte bërë 200 000 teste, ne ndoshta kishim bërë më pak se 1 000….
A duhet të mbajmë maska?
Maska N95 është jashtëzakonisht e mirë. Poret në maskë janë tre mikronë të gjerë. Virusi është një mikron i gjerë. Kështu që ka njerëz që na thonë mire “kjo nuk do të funksionojë”. Por ju provoni të imagjinoni tre futbollistë të mëdhenj, të cilët po nxitojnë për të shkuar për drekë përmes të njëjtës derë – ata nuk do të hyjnë dot. Në të dhënat e fundit që pashë, maska siguronte mbrojtje 5-fish. Kjo është vërtet e mirë. Por ne na duhen spitalet dhe duhet t’i mbajmë profesionistët e shëndetit të aftë të vijnë në punë dhe të jenë të sigurt. Kështu që maskat duhet të shkojnë atje ku duhen më së shumti: te kujdesi për pacientët. /Wired.com/